Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Krishtlindjet janë të mundura që në nëntor – Sofja në drita, pazare dhe atmosferë festive

Foto: Pazari Gjerman i Krishtlindjeve Sofja

Këtë vit Krishtlindja “mbërriti” në Sofje që në nëntor, me aromë të verës së ngrohtë, kanellës dhe magjisë festive. Radio Bullgaria ju rekomandon të vizitoni disa prej këndeve të Krishtlindjes në kryeqytet:

Për më të paduruarit për të pritur festën



Që nga mesi i nëntorit, Pazari Gjerman i Krishtlindjes Deutscher Weihnachtsmarkt Sofia e shndërroi Kopshtin e Qytetit para Teatrit Popullor “Ivan Vazov”, duke e kthyer në një fshat romantik gjerman. Deri më 21 dhjetor, shtëpizat prej druri me emra gjermanë do të na joshin me bratwurst aromatikë, ëmbëlsira dhe verë të ngrohtë me kanellë dhe karafil. Skena qendrore e pazarit do të gjallërohet çdo ditë me teatër për fëmijë, kore shkollash dhe koncerte mbrëmjeje, dhe pas orës 18:00 Babagjyshi i Vitit të Ri do të jetë mysafir në pazar dhe do të gëzojë të vegjlit dhe të rriturit me praninë dhe humorin e tij. Një pjesë e të ardhurave do të ndahen për bamirësi, duke e kthyer festën edhe në një gjest ndaj njerëzve në gjendje të pafavorshme.

Magjia e Krishtlindjes shpërngulet edhe para Qendrës Kombëtare të Kulturës (NDK)



Disa ditë më vonë, më 21 nëntor, atmosfera festive do të pushtojë edhe zonën e Pallatit Kombëtar të Kulturës me Sofia Christmas Fest 2025. Atje do të ketë tezga të mjeshtërve artizanë dhe prodhuesve të suvenirëve autentikë bullgarë. Në shesh, mbi 40 shtëpiza prej druri, rrota panoramike, pistë akulli dhe skenë për koncerte do të presin banorët e kryeqytetit dhe mysafirët e qytetit deri në fund të dhjetorit. Pranë bredhit të madh të Krishtlindjes do të përhapet aromë pishe dhe ëmbëlsirash të parezistueshme festive, ndërsa muzika dhe buzëqeshjet e shitësve dhe vizitorëve do të krijojnë ndjesi festimi dhe ngrohtësie.


Pista e akullit në Kopshtin e Princit



Me ardhjen e ditëve të para të ftohta, Ice Park Sofia në Kopshtin e Princit do të shndërrohet për të disatin vit në vend për argëtime dimri. Pista e madhe e akullit në zemër të qytetit të ngarkuar shtrihet në rreth 4 000 m². Këtu mund të merrni me qira patina dhe të rrëshqisni në shtegun e veçantë për më të guximshmit, ose të zgjidhni pajisjet trajnimi për fillestarët. Ndërsa menjëherë pranë akullit do të shfaqet edhe një tjetër pazar Krishtlindjeje, me ushqim aromatik, pije të ngrohta dhe koncerte nga artistë të dashur.

Dhurata të punuara me dorë mes rrënojave nga kohët e lashta



Nëse kërkoni dhurata origjinale Krishtlindjeje dhe frymë artistike, mund të vizitoni Mish Mash Fest Christmas Edition 2025. Pazari do të zhvillohet nga 12 deri më 14 dhjetor në Largon pranë kompleksit antik Serdika, në zemër të kryeqytetit tonë të lashtë. Organizatorët kanë ftuar krijues dhe dizajnerë bullgarë, të cilët do të ofrojnë punime të punuara me dorë, qeramikë, bizhuteri, aksesorë dhe tundime festive për shijen. Do të ketë gjithashtu punëtori krijuese, performanca muzikore, si dhe iniciativa të ndryshme, që të kontribuojnë për atmosferën festive të qytetit.

Vera dhe atmosfera dimërore



Më 14 dhjetor, mes dritave të Krishtlindjes së Sofjes, do të hapë sërish dyert Christmas Wine Market 2025. Ngjarja njëditore do të zhvillohet në ambientin elegant të Klub-it Ushtarak Qendror. Vizitorët do të kenë mundësi të takohen me 23 ekspozues dhe të provojnë gjithsej 200 lloje verërash nga korrje të vjetra dhe varietete të përzgjedhura me kujdes. Disa prej tyre janë të disponueshme vetëm në enotekat e kantinave. Do të ketë degustime edhe të verërave të shkëlqyera nga importues të përzgjedhur me kujdes nga jashtë, si dhe seri të limituara butike nga Bullgaria.

Pritet që edhe pazaret e lagjeve të sjellin ngrohtësinë dhe rehatinë e tyre në hapësirën urbane, me zbukurime të punuara me dorë, me muzikë dhe punëtori për fëmijë. Sofja sërish do të ngjasojë me një përrallë dimri… vetëm dimri të vendosë të na gëzojë me borë!



Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: Pazari Gjerman i Krishtlindjeve Sofja, BGNES, BTA, Elena Karkallanova, Mish Mash Fest, Facebook /Vina Mellnik


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Muzeu i parë i arit investues hap dyert në Plovdiv

Muzeu i parë i arit investues mirëpret në Plovdiv vizitorë që duan të mësojnë më shumë rreth historisë së parave dhe lidhjes së tyre me arin – nga lindja e arit, origjina e tij kozmike dhe rruga e tij deri në Tokë, deri tek mënyra se si ky metal i çmuar..

botuar më 25-11-16 8.20.PD

“Caritas” u zgjat dorën të varfërve, njerëzve të vuajtur dhe atyre në nevojë

Më 16 nëntor do të shënojmë Ditën e “Caritas” – organizatës bamirëse të Kishës Katolike, e cila përmes kujdesit dhe gjesteve të mëshirës mbjell shpresë në zemrat e atyre që kanë nevojë. Në këtë ditë do të kujtojmë se më e rëndësishmja nuk është pasuria..

botuar më 25-11-15 8.00.MD
Qeni Maja

Rast i radhës i mizorisë ndaj një kafshe mobilizon energjinë qytetare

Rasti me një qen të shkelur nga një mjek në një lagje të kryeqytetit shkaktoi një valë pakënaqësie publike dhe organizimin e një proteste në Sofje, e cila do të zhvillohet sot para Akademisë Ushtarako-Mjekësore – institucioni shëndetësor ku punon mjeku...

botuar më 25-11-13 2.30.MD