Update Required To play the media you will need to either update your browser to a recent version or update your Flash plugin.
Lule për bukuri, lule për gëzim, lule për fat të bardhë... Në traditën popullore bullgare lulet kanë paracaktimin e vet special. Jargavani dhe burbuqet e çelura të dardhës mbrojnë nga takimet e këqija. Gonxhet e qershisë tërheqin syrin e të dashurit. Lulet e kuqe mbrojnë nga sytë e liga, nga çdo e keqe dhe nga takimet e padëshiruara. Një respekt i veçantë bullgari ka ndaj bozhures, prandaj lulja gjaku mund të shihet në çdo oborr shtëpie. Bozhurja është një simbol i vajzërisë dhe i bukurisë prej gruaje. Sipas besimeve popullore kjo lule mbron nga të gjitha të këqijat, nga magji dhe nga shtojzovallet mitike. Ai që mban lule gjaku do të jetë shëndosh dhe do të ketë jetë të gjatë. Dhurimi i një bozhureje përmban në vet veten urime për jetë të gjatë, për bukuri, për shëndet.
Si bozhurja, ashtu edhe aguliçja posedon një forcë mbrojtëse. Lulja pranvere është ndër më të preferuarat nga gocat. Në shumicën e këngëve popullore aguliçja është simbol i pastërtisë, i pranverës dhe i dashurisë. “Jemi si dy kërcej aguliçe” – kjo shprehje haset në qindra këngë popullore të krahinave të ndryshme të Bullgarisë. Aguliçja shkëlqen me ngjyrën e vet të verdhë në mesë të pyjeve, lëndinave të ndriçuara nga dielli. Ngjyra e verdhë e kësaj luleje pranverore kujton diellin. E verdhja mban në vet vete gëzimin dhe ngrohtësinë e rezeve diellore. Kjo ngjyrë shkëlqen dhe inspiron te njeriu ndjenje kënaqësie. Çupat mbanin në flokët buqete aguliçesh. Ngandonjëherë kjo tufë zbukurimi përbën një hajmali. Këtë nuskë origjinale vashat thureshin nga disa lule, për të cilat besuan se posedojnë forcë cilësi magjike. Ngjyra jeshile e shermashekut dhe aroma e tij e këndshme lavdërohen në shumë këngë popullore bullgare. Shermasheku gjatë tërë vitit ruan gjelbërinë e vet. Ai është pjesë e të gjitha riteve të mëdha fetare dhe popullore. Vjollcat pyjore, që rritin gjatë pranverës gjithashtu janë ndër lulet e preferuara nga vajzat. Ato lule të vogla me aromë të mirë posedojnë cilësi kuruese. Sipas besimit popullor ato pastrojnë gjakun, dhe krijojnë te njeriu ndjenje qetësie dhe harmonie. Vjollcat, aguliçja, ndryshkulli – nga të gjitha ato lule pranverore thureshin kurore jo vetëm vashat, por edhe barinjtë e rinj. Ata e mblidheshin gjatë verës, kur me kopetë ishin larg në mal. Dëshira e tyre ishte që kur ktheheshin në fshat t’u dhuronin vajzave në shenje dashurie.
Në zakonet pranverore të vashave një vend të rëndësishëm zërë shelgu. Ditën e Dafinave, degëza shelgu bekohen në kishë. Pas kësaj ato vihen para ikonës shtëpiake, ku ruhen gjatë tërë vitit për shëndet. Sipas besimeve popullore shelgu është ndër ato bimë me të cilat namatiset kundër sëmundjeve dhe syrit të keq. Janë të përshkruara praktika magjike, me të cilat gra të moshuara përpiqen t’u pengojnë shtëllungave resh breshëri t’u dëmtojnë arëve gjatë verës. Në se fillojnë të grumbullohen re të zeza me breshër, atëherë gratë dalin përjashta dhe shikojnë te qielli përmes një kurore të thurur me degëza shelgu Të Dielën e Dafinave. Gratë pëshpëritin fjalë magjike, me besimin, se ato posedojnë forcë të dëbojnë stuhinë larg. Shelgu është pjesë e pandarë e zakonit pranveror të gocave quajtur bullgarisht “kumiçene”. Ditën e Shën Gjergjit ka zakon, që vashat dhe nuset të lidhin rreth mesit degëza shelgu për shëndet.
Në këngët dhe legjendat popullore hasen shumë emra të barnave kuruese dhe të luleve, të cilat sot nuk janë të njohura. Disa bimë, që sot rriten si kaçuba, janë të përshkruara në folklor si pemë që posedojnë forcë hyjnore. Ka edhe barna dhe bimë të tjera si ryza që njihen vetëm nga njerëzit që merren me kurim me barna. Mirëpo në folklorin bullgar ato janë të përshkruara si bimë magjike për shëndet, bukuri dhe forcë.