Eмисия новини
от 15.00 часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Veshja popullore bullgare – shprehja e shpirtit bullgar

Veshje popullore nga rajoni i qytetit Kulla
Снимка: lostbulgaria.com

Studiuesi i madh i psikologjisë kombëtare bullgare Ivan Haxhijski, vitet 1907 – 1944, është i mendimit, se bullgarit nuk i pëlqen të flasë shumë. Ai preferon më tepër gjuhën alegorike dhe grafike, gjë që ka një ndikim më të fortë mbi shqisat. Në kohën më të lasht, kur bullgarët komunikuan në tregjet dhe në panairet, në festat fshatare dhe kishtare, në ndejat e mbrëmjes, petkat ishin ata, që flisnin për gjendjen sociale dhe familjare të burrit ose gruas. Kostumet e burrit ose gruas krijuan një përfytyrim për statusin e tyre social dhe familjar. Vashat dhe djemtë deri në moshën e pubertetit mbanin veshje të njëjta, jo të identifikuara sipas seksit. Sipas elementeve të ndryshme të petkave të vajzës ose të gruas mund të lexohej – a është ajo në pubertet, a është e fejuar ose është nuse e re, është e ve, ose është e martuar. Brezi i gruas ishte me xhufka. Xhufkat e vashave akoma të pamartuara ishin nga ana e majtë e mesit, ndërsa të nuseve dhe të grave të martuara – nga e djathta. Nëse ndonjë vajzë tashmë kishte dashnor, atëherë ajo ndërronte vendin e tufës, me të cilën zbukuronte shaminë. Në vend që të jetë nga e majta, ajo e vinte nga e djathta. Kështu, në se ndonjëri do ta pëlqente, e kishte të qartë se nuk ka asnjë shans.

Veshjet popullore bullgare janë jashtëzakonisht të pasura dhe piktoreske. Petkat në shkallë të madhe u formuan si një fryt i rajonit udhëkryq që popullojmë. Aty në të kaluarën zhvilloheshin shumë tradita dhe kultura – të trakëve, të protobullgarëve, të sllavëve. Nëpër trojet tona kaluan dhe lanë gjurmët e tyre fise si kumanë, avarë, tatarë, pothuajse dy shekuj bizantinët populluan trojet bullgare, këtu kalonte edhe rruga e kryqëzatave. E gjithë kjo larmi ushtroi ndikimin e vet mbi pasurinë e veshjeve bullgare. Më shumë hollësi tregon etnografja docent Ganka Mihajllova. Një element interesant në petkat popullore janë qëndisjet:

© Foto: Miglena Ivanova

“Qëndisjet janë ritmike – në fundin e fustanit, në skajin e mëngës, zakonisht të mbyllura në formën e rrethit. Kjo simbolizon ciklat e jetës, përmes të cilëve duhet të kalojë jeta e njeriut pa devijime dhe pa pështjellime. Çdo çrregullim përbën shmangje nga ky cikël, për shembull të mos martohet, të sëmuret ose herët të vejërojë. Në ornamentet e qëndisjeve kurrë nuk hasen dele ose pula. Por ka këndesa, që janë simbol i potencës së burrit. Ka edhe gjarpërushë, që bëjnë dredha pas njëra tjetrës. Ata janë simbol i botës së demonëve – mbartëse e forcës frytdhënëse. Ata hasen kryesisht në këmishët e grave, por nuk mund të shihen në veshjet e burrave. Gjithashtu në qëndisjet ka edhe pallua – një shpendë, që shumëzohet shpesh dhe me çdo bërjen e vezëve ndërron pendët. Ja përse që nga fejesa deri në përfundimin e fertilitetit, gruaja zbukurohet me pendë të palloit. Mirëpo, ato jo vetëm që duhet të bien në sy, por duhet të qëndrojnë drejtë dhe të përdridhen. Në se vihen horizontalisht atëherë ata mbajnë vdekje, domethënë palloi nuk është gjallë dhe nuk mund të bëjë vezë. Për sa iu përket figurave njerëzore në qëndisjet, ato radhiten në mënyrën e strukturimit të familjes. Figura e burrit, e gruas, dhe pas kësaj janë rombet e vogla – që mishërojnë fëmijët. Dhe kjo përsëritet pafundësisht, gjë që vjen të sugjerojë, se qarkullimi i jetës nuk duhet të ketë fund, që fisi duhet të mbijetojë. Një fakt kureshtar është, se mbi librat më të hershme dhe më të lashta të krishtere, që ishin të shkruara me dorë, pranë titujve mund të shihen po ato figura – këndesa, pallonj, kuçedra dhe po ato lëmshe rombesh dhe shumëkëndësh.”

Në të kaluarën qëndisjet ishin si të thuash “të rregulluara”. Nuk ishte e mundshme, që një qëndismë të bëhet për arsye se është më e bukur. Në çdo fshat kishte copëza speciale prej pëlhure, mbi të cilët mjeshtre qëndistare, zakonisht gra të moshuara, rikrijonin të gjitha figurat dhe ojnat, të cilat ishin karakteristike për fshatin përkatës. Secila prej figurave mbante në vet veten ndonjë simbolikë. Dhe në se figurat në qëndismat nuk ishin sipas kanunit, atëherë gjuha e komunikimit ngatërrohej. E njëjta gjë ishte edhe për pjesët e ndryshme të petkave – secila prej tyre mbante në vet veten semantikën e vet. Për shembull, gruaja e martuar deri në një moshë të caktuar duhej të mbante përmbi një jelek. Edhe të ishte asaj i ngrohtë, ajo nuk e kishte të drejtën ta heqë, sepse kjo do të thoshte, se ajo nuk është në këtë moshë, nuk është e martuar, ose u devijua nga martesa.

“Ngjyrat e kostumit popullor bullgar janë shumë të pasura. Gjithçka është e ngjyrosur me bojëra bimore të përgatitura me receta të ndryshme. Pas bojatisjes leshi futej të oksidohet prapë me lënde të natyrshme – lëng prej lakre turshie, prej dardhave ose mollëve të egra, uji gëlqereje; ose në plehun natyror e kështu me radhë. Si rezultat leshi nuk ishte bojatisur në mënyrë të njëtrajtshme. Por ngjyrat nuk zbardheshin dhe midis nuancave nuk kishte atë kontrast, që del te bojërat aniline. Dominonte ngjyra e kuqe – simbol i jetës, i verës, i gjakut. Krahas kësaj hasej edhe kafja, e verdhja, e florinjta – ngjyra këto të cilat simbolizojnë farën në kuptimin falik dhe pjellorinë e natyrës. Mirëpo, e gjelbra – ngjyra e barit, nuk haset, sepse besohej, se ajo simbolizon vdekjen. Dhe kjo për arsye, se njeriu kur është i sëmurë fytyra e tij zbehet dhe bëhet e gjelbëreme në të verdhemë. E zeza shfrytëzohej kryesisht për përvijim të ornamenteve.”

Kostumet tradicionale të burrave, sipas klasifikimit të etnografit të njohur profesor Hristo Vakarellski nga viti 1942 janë dy tipa – të zeza dhe të bardha. Veshjet më të vjetra burrash janë të bardha të punuara prej shajaku të bardhë me gajtanë të ngjyrshëm – të kuqe dhe të verdha për më të rinjtë, të zeza për të moshuarit. Mirëpo në mesin e shekullit XVIII në shumë rajone petkat e burrit u errësuan dhe ndryshuan modelin. Veshjet e bardha janë karakteristike për rajonet e vendbanimeve Sofja, Trën, Graovci. Në rajonet malore, kryesisht në qendrat e Rilindjes Kombëtare Bullgare – malin Sredna Gora, Stara Pllanina, Rodopet, ku rriteshin shumë dele për nevojat e ushtrisë osmane, filluan të shumojnë një dele nga Anadolli, me lesh bojë kafe. Nga fundi i shekullit XIV deri në vitin 1878 Bullgaria ishte nën sundimin turk. Popullsia prodhonte kaçkavall, djathë të bardhë, mish për nevojat e perandorisë. Gratë endeshin shajaku dhe aba, thureshin çorape, qepeshin veshje për ushtrinë turke. Ato ishin tepër të zënë dhe ishte shumë e vështirë, që një herë të bëjnë veshje për familjen dhe herën tjetër për shitje sipas gjedheve. Kështu dalë-ngadalë petkat e errëta u përhapën, sepse ishin më praktike.

Deri në martesë bullgarja duhej të përgatitë nga disa palë veshjesh për bashkëshortin e ardhshëm dhe po aq për veten sipas kërkesave të kanunit. “Tri ditë para martesës tërë paja e nuses, duke përfshirë edhe dhuratat e përgatitura prej saj për vjehrrën, vjehrrit, kunatat, kumbarët e kështu me radhë, rregullohej mbi muret e shtëpisë. Dhuratat më të mëdha rregulloheshin mbi gardhën – vazhdon docentja Ganka Mihajllova. – Tërë fshati vinte që të shikojë pajën. Mjeshtret më të mëdha ktheheshin qëndismat që të shikojnë edhe nga ana e kundërt. Por ato dukeshin nga ana e kundërt ashtu, si edhe nga ana e përparme. Askënd nuk shihej asnjë nyje, asnjë gabim. Por gjithnjë në ndonjë ornament mbetej ndonjë element pa i qëndisur deri në fund kundër sy të liga. Sepse shumë e bukura është fatkeq. Për më tepër, se përsosmëria nuk është e mundshme. Dhe është më mirë, që e meta të jetë mbi veshjet e punuara, sesa të rikrijohet në jetë.”

Me arsye se në veshjet gjithçka ishte rregulluar sipas zakoneve të rrepta, gruaja që martohej jashtë fshatit vajtohej. Siç thotë psikologu social Ivan Haxhijski: “Jeta jashtë fshatit është jetë jashtë shtetit”. Nusja shkonte me pajën e vet, por ajo nuk ishte në përputhje me kanunet e fshatit të ri, sepse kostumet e përgatitura prej saj gjatë viteve dalloheshin për nga pëlhurat, qëndisjet, përbërjen. Ajo nuk kishte kohë të përgatitë veshje të reja, sepse bashkë me kujdesin për fëmijët, punonte edhe në arat. Kështu ajo mbetej e izoluar, dhe nuk arrinte të përshtatet me fshatin e ri.

Veshjet popullore përbëjnë një univers të tërë, me gjuhë dhe kuptim të vet specifik. Por për shkak se nuk e njohin, bullgarët modernë bëjmë gabime dhe nuk mund të gjejnë përkthimin e saktë të simbolikës.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Fotografitë janë nga arkivi i Institutit të etnologjisë dhe folkloristikës me Muzeun etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave

По публикацията работи: Miglena Ivanova
Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна