Në moment kur BE-ja po trazohet nga kriza greke, Presidenti Bullgar Rosen Plevneliev dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Daniell Mitov bënë vizitë zyrtare në Ukrainë. Vizita e fundit e kreut të shtetit bullgar në Ukrainë ka qenë para 12 vitesh. Ndoshta për këtë pauzë diplomatike ka pasur arsye serioze. Vizita në Kiev na bënë të mendojmë se gjatë bisedimeve u vë theks mbi përkrahjen politike të Bullgarisë për Ukrainën në mospajtimin e kësaj të fundit me Rusinë.
Presidenti Plevneliev e vizitoi Kievin pikërisht kur konflikti për gazin në mes të Ukrainës dhe Rusisë ka marrë drejtim dramatik. Disa ditë më parë në negociatat mes Rusisë, Ukrainës dhe BE-së për furnizime me gaz nuk u arrit pajtim. Pala ruse nuk u pajtua me uljen e çmimit të gazit, të propozuar nga Kievi, ndërsa Ukraina ndaloi blerjen e gazit rus. “Gazprom”-i shpalli se do të heqë dorë nga tranziti i gazit përmes Ukrainës pas vitit 2019 dhe nuk do ta ristartojë atë në asnjë rrethanë. Kievi ka interes të transportojë gaz rus në Evropë, e cila nga ana tjetër mund të pajiset me gaz dhe nga Sllovakia, Hungaria dhe Polonia. Javën që vjen priten negociata mes qeverisë ukrainase, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane të Investimeve dhe FMN-së. Tema e negociatave do të jetë ndihma financiare për blerjen e sasive të nevojshme të gazit për sezonin e ardhshëm dimëror.
Bullgaria nuk mund të rri anash ndodhisë, sepse përmes Ukrainës kalon gati tërë gazi që konsumojnë bullgarët. Në këtë lidhje në Kiev Presidenti Rosen Plevneliev tha se ekonomikisht më i përshtatshëm do të ishte shfrytëzimi i rrjeteve ekzistuese të gazit të Ukrainës dhe të Bullgarisë, në vend që të investohen miliarda në projekte të reja. Bullgaria haptas mori anën e Ukrainës kundër Rusisë, duke komentuar se gazi nuk është armë, por është një mall të cilin prodhuesit duhet ta transportojnë dhe ta sheshin në Evropë me çmimet e tregut dhe në pajtim me marrëveshjet. Që të mos përsëritet situata e dimrit të 2008-ës kur Bullgaria mbeti pa gaz, sepse ishte detyruar të paguajë furnizimet e gazit rus për shkak të mospajtimit mes “Gazprom”-it dhe Ukrainës. Presidenti bullgar tha po ashtu se tregtia e gazit duhet t’u përgjigjet kërkesave të BE-së, sipas të cilave çdo vend duhet të ketë alternativë për tre furnizues të tjerë të gazit dhe për tre itinerare të tjera të transportimit.
Vizita e kreut të shtetit bullgar përkoi me negociatat e reja në kryeqytetin bjellorus Minsk në kuadër të Grupit të Kontaktit për Ukrainën. Ky grup përbëhet nga përfaqësuesit e Kievit, Moskës, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe nga separatistët prorusë, të cilët prisnin të aneksonin pjesën lindore të Ukrainës, ashtu si ndodhi me Krimenë. Në mes të raundit të ri të bisedimeve rreth kësaj çështjeje të ndejshme, Presidenti Plevneliev kategorikisht tha se Bullgaria përkrah sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, nuk do të njohë aneksimin e Krimesë dhe Sevastopolit, dhe beson se kriza në Donbas të Ukrainës Lindore do të zgjidhet po të respektohen marrëveshjet e Minskut. Dhe në këtë çështje Bullgaria mori anën e Kievit.
Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko tha se do të fillojë punë mbi ndërtimin e korridorit transportues Odesë-Rumani-Bullgari. Presidenti i Bullgarisë deklaroi se do të rindërtojë linjën e trageteve mes portit bullgar Vrana dhe portit ukrainas Iliçovsk të Odesës. Kreu i shtetit bullgar argumentoi përshtatshmërinë ekonomike të projektit, duke e krahasuar atë me linjën e rindërtuar të anijeve mes portit bullgar Burgas dhe portit gjeorgjian Poti. Sipas fjalëve të presidentit Plevneliev falë kësaj linje Bullgaria është bërë tregu i dytë për eksportin e Gjeorgjisë.
Bisedimet dypalëshe u shoqëruan gjithashtu me temën për minoritetin bullgar në Ukrainë, i cili minoritet numëron mijëra veta. Pala bullgare shprehu mirënjohje për politikën ukrainase drejtuar bullgarëve etnikë. Ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Daniell Mitov shprehu kënaqësinë se kanali televiziv bullgar “BNT World” transmetohet në rajonin e Odesës. Ministri bullgar po ashtu shprehu besimin se së shpejti kanali televiziv do të fillojë të transmetohet dhe në rajone të tjera ku ka minoritet bullgar. Tema për integrimin e Ukrainës në BE u diskutua në të gjitha takimet që pati delegacioni bullgar në Kiev.
Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova