Secila shfaqje në skenën bullgare e këngëtares së shquar operistike Aleksandrina Pendaçanska është një ngjarje e madhe për jetën tonë muzikore. Kështu ishte para pesë vjetësh, kur ajo shënoi përvjetorin e 25-të të saj në skenë me një koncert të paharrueshëm në Sofje. Kështu është edhe tani, pas premierës artistike në rolin e Toskës nga opera me të njëjtin emër të Puçinit. Dy spektaklet e para me pjesëmarrjen e Aleksandrina Pendaçanskës u zhvilluan më 8 dhe 10 dhjetor përpara publikut të Teatrit Operistik të kryeqytetit. Për shkak të interesit të madh para fundit të vitit është planifikuar akoma një shfaqje tjetër – më 20 dhjetor. Dirigjenti i spektaklit është Grigor Palikarov, regjisori – Pllamen Kartallov.
Aleksandrina Pendaçanska jeton dhe punon në Paris prej shumë kohe. Angazhimet e saj në teatrot e mëdha operistike botërore janë aq shumë, se ajo me vështirësi gjen kohë për gjërat më të zakonshme në jetë. Për të familja është diçka shumë e rëndësishme. Ka provuar gjithashtu se lidhja e saj me Bullgarinë është e fortë dhe se këtu akoma ndihet “si në shtëpinë e saj”. Ky është vendi, plot me kujtime, me magjepsjen e rinisë dhe të hapeve të para në jetë. Prandaj roli i saj i parë i Toskës gjithashtu është luajtur në skenën bullgare.
“Toska është një nga rolet për shkak të të cilave u bëra këngëtare – tregon Aleksandrina. Por nuk dëshiroja të nxitoja – duhej të isha e sigurt se ishte ardhur koha e përshtatshme, kurrë nuk duhet nxituar me këtë rol. Nëna ime mësonte rolin e Toskës kur isha 13-14 vjeçare. Kjo është vepra e dytë operistike pas “Manon Lesko”-së së Puçinit, e cila ndikoi fortë fatin tim. E pëlqeva aq shumë këtë muzikë, këto dy vepra! Ndoshta për shkak të Toskës kuptova se për mua nuk mund të ekzistojë një rrugë tjetër. Interpretimi më i përsosur i Toskës është ai i këngëtares Maria Kalas. Akoma nuk ka një këngëtare, që mund ta tejkalojë atë. Nuk ka një model tjetër dhe në se dikush ju thotë diçka tjetër, ai me siguri do t’ju gënjejë. Këtu është vështirësia më e madhe për secilën këngëtare – interpretimi hem nuk duhet të jetë në kundërshtim me këtë ideal, hem nuk duhet të jetë një imitim. Detyra ime më e vështirë ishte që ta “muros” rolin brenda vetes, kështu që ai të bëhet imi.”
“Ideja për këtë spektakël erdhi nga maestroja Mihaill Angellov, i cili për fat të keq ndërroi jetën gjatë kësaj vere. Bisedova me të gjatë shkurtit. Atëherë i thashë se do të kem kohë gjatë nëntorit dhe ai më propozoi Toskën. Dëshira ime e madhe ishte që ta mësoj rolin me maestron Angellov – kështu, siç nëna ime e interpretoi atë me Mihaill Angellovin para aq shumë vitesh. Gjatë përgatitjes shumë herë kur kisha nevojë për këshillë gjithmonë mendoja se çfarë do të më thoshte ai.”
Shfaqen e tretë të “Toskës” me pjesëmarrjen e së shquarës Aleksandrina Pendaçanka mund ta shikoni pikërisht në ditën e Shën Ingantit – në një nga festat e mëdha të krishtera. Sipas përfytyrimeve folklorike siç kalon kjo ditë, kështu do të kalojë edhe tërë viti i ardhshëm.
“Është shumë e mirë se shfaqja e tretë do të jetë pikërisht në Ditën e Shën Ignatit. Me bashkëshortin tim bëjmë shaka se tërë vitin do të këndoj në rolin e Toskës. Besohet se atë që e bëjmë në Ditën e Shën Ignatit do ta bëjnë gjatë vitit në vijim. Unë do të jem në punë – le të shikojmë se si do të kalojë viti... Mendoj se tani e tutje gjithnjë e më shumë do ta këndoj Toskën. Më vjen shumë mirë se do të jem me familjen time në festat e krishtlindjeve. Nuk kemi rituale të posaçme në këto ditë. Vetëm përpiqemi të jemi sa më shumë pranë njëri tjetrit. Në lidhje me këto festa të ndritshme u uroj të gjithëve shumë dashuri dhe dritë. Çdo ditë të jetojmë me dashurinë e madhe dhe me një dritë të përhershme shpirtërore.”
A do të jetë spektakli i sotëm i Toskës një shenjë për të ardhmen, do të shikojmë. Gjërat që me siguri janë shkruar në kalendarin e angazhimeve të Aleksandrinës janë disa. Ndër to janë një pjesëmarrje në rolin e Santucës në operën “Kavaleria Rustikana”(Pietro Maskagnit) në Bruksel, disa spektakle të kushtuara përvjetorit të 30-të nga fillimi i karrierës së saj, roli i Elizabetës në “Don Karlos” (të Verdit), etj.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova