Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Të përditshmet dhe festat armene përmes shikimit të fotografit Julian Angelov

Foto: Julian Angellov
“Të përditshmet dhe festat armene” është një tregim fotografik për kulturën e bashkësisë armene në Bullgari, i bërë nga fotografi i ri Julian Angellov. Në 30 fotografi ai prezanton llojshmërinë e traditave armene, të paprekura nga koha, si edhe skena nga e përditshmja e armenëve te ne. Fotografitë janë shtypur në pëlhurë – një material, i cili forcon ndjesinë dhe e afron me efektin e pikturave. Kjo është ekspozita e tretë e fotografit të ri. Ajo mund të shihet në galerinë “Sredec” të Ministrisë së Kulturës në Sofje. Ekspozita do të vizitojë dhe qytete të tjera të vendit, në të cilat ka bashkësi armene. Vitin tjetër ajo do të udhëtojë dhe në Armeni. “Të përditshmet dhe festat armene” realizohet nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës dhe të Ambasadës së Armenisë në Bullgari, si edhe me mbështetjen financiare të Unicredit Bulbank.

“Bashkësia armene është njëkohësisht e njohur dhe e panjohur për bullgarët – shpjegon Julian Angellov zgjedhjen e tij t’i kushtojë një ekspozitë bashkësisë armene te ne. – Ne i shohim armenët në mjedisin tonë dhe ata nuk dallohen shumë. Por ky është një nivel i sipërfaqshëm. Kur njeriu thellohet më shumë në kulturën e armenëve, kupton se kjo është një bashkësi me tradita unikale. Për mua është e rëndësishme se ky popull është ruajtur krenar dhe i paprekur dhe ka qëllime dhe vlera morale që e bashkojnë. Kjo më bëri përshtypje të madhe dhe unë vizitova shumë qytete në Bullgari, ku ka bashkësi armene. Pashë se festat e tyre janë shumë kolorite. U njoha me shumë njerëz me karaktere të ndryshme. Si fotograf kjo më provokoi të bëjë diçka.”

Si një studiues me objektiv në dorë, Julian Angellov udhëtonte disa muaj nëpër vend për të bërë fotografitë e tij. “Nuk është e lehtë të depërtosh në një bashkësi të mbyllur. Kërkohet shumë kohë, qëndrim i mirë dhe madje fat i mirë”, thotë fotografi.

“Gjithçka që ndodh në bashkësinë armene është nga ky lloj gjërash që nuk shihen në shikim të parë – shton ai. – Ky nuk është ndonjë shtet ekzotik, ku gjithçka meriton të fotografohet. Këtu kërkohet një shikim filozofik, thellim në tematikë dhe kjo është një sfidë më e madhe për një fotograf. Unë u përpoqa të hyjë në shtëpitë e njerëzve, në përditshmërinë e tyre, të bëhem një pjesë e mjedisit të tyre që të kap këto çaste unike,

me të cilat të bëjë një ekspozitë të vërtetë dhe jo thjesht të fotografojë festat armene. Armenët kanë ruajtur traditat e tyre, sepse kjo ishte me rëndësi të jashtëzakonshme që të mbijetojnë si pakicë. Ata kanë pesë festa kryesore – Krishtlindjet, Pashkët, festa e Shën Marisë, Shpërfytyrimi i Shpëtimtarit dhe Lartësimi i kryqit të nderuar. Gjatë këtyre festave ndodhin shumë gjëra si në pikëpamjen e religjionit, ashtu edhe në jetën e përditshme. Njerëzit festojnë në një mënyrë specifike, mblidhen në tryezë, bëjnë kurbane. Ndryshe nga bullgarët, armenët janë shumë religjiozë. U binda në këtë, kur isha në një koncert armen dhe dëgjova para fillimit të tij se ata filluan të këndonin diçka që më dukej si një himn. Pastaj mora vesh se kjo është lutja “Ati ynë”, gjatë së cilës tërë publiku u ngrit më këmbë. Kurrë nuk kam parë diçka e tillë të ndodhë në Bullgari dhe jam i sigurt se po të bëjmë një anketë nëpër rrugë, 99% të njerëzve nuk do të mund të thonë lutjen “Ati ynë”.

Ekspozita “Të përditshmet dhe festat armene” është vetëm hapi i parë i realizimit të një projekti të madh fotografik për armenët në Bullgari. Dëshira dhe ambicia e Julian Angellovit është të botojë një seri albumesh fotografike për historinë, traditat dhe festat fetare të bashkësisë armene në Bullgari.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Personaliteti i Vasill Levskit vazhdon të lidhë bashkatdhetarët tanë jashtë vendit

152 vjet pasi Bullgaria humbi birin e saj të dashur, luftëtar për një shtet të lirë, të pavarur dhe tolerant - Vasill Levski, personaliteti i tij vazhdon të emocionojë dhe të frymëzojë zemrat e bullgarëve të të gjitha brezave. Historianët vazhdojnë të..

botuar më 25-02-19 5.10.MD
Kirill Vëllçev

BTA prezanton një font unik me rastin e përvjetorit të saj

Më 16 shkurt 2025 bëhen 127 vjet nga botimi i buletinit të parë të Agjencisë Telegrafike Bullgare (BTA), të nënshkruar nga drejtori i parë i saj Oskar Iskander. Agjencia u krijua në vitin 1898 me një dekret të Princit Ferdinand I, i modeluar sipas Agjencisë..

botuar më 25-02-16 7.55.PD

Gëzuar 89 vjet, Radio Bullgaria!

Më 16 shkurt Radio Bullgaria feston 89 vjetorin e saj. Gjatë gjithë këtyre viteve, media jonë shumëgjuhëshe ka qenë jo vetëm një kanal informacioni, por ka krijuar një lidhje të paçmuar me audiencën tonë në mbarë botën. Sot Radio Bullgaria ofron përmbajtje..

botuar më 25-02-16 6.45.PD