Në besimet tradicionale të shumë popujve në botë ari ka një forcë mbrojtëse. Simbol i diellit dhe zjarrit, ky metal fisnik asociohet me pavdekshmërinë dhe përjetësinë, ëndrra e njeriut qysh prej kohëve të lashta.
Argjendaria është një nga zanatet e para që u zhvilluan në trojet bullgare qysh në epokën e neolitit dhe eneolitit. Në Bullgari është gjetur ari i përpunuar më i lashtë, që datohet para 6 500 vjetëve. Përdorimi i sendeve të arta në jetën e përditshme dhe në ritet kishtare është tradicional. Shkencëtarët mendojnë se, megjithëse mungojnë të dhëna për vijimësi, ky zanat te ne ka rrënjë të thella historike. Për stolisjet e pasura prej ari në veshjen festive të bullgareve këndohet në shumë këngë folklorike. Ari përdoret dhe në pagëzimin e foshnjave. Një pare e artë vihet dhe ndër sendet rituale të varrimit. Buqeta e dasmës, flamuri i dasmës, druri i mbretit të kolendarëve – këto atribute të detyrueshme të festave të mëdha tradicionale doemos stolisen me ar.
Bullgarët besojnë se ky metal bën lidhjen me botën e të vdekurve, ruan nga sytë e këqij, siguron pjellori dhe begati. Dhe njerëzit që merren me këtë zanat të vështirë, gëzojnë një respekt të madh. Në përmbledhjet me këngë popullore gjejmë shumë tekste, në të cilat tregohet si argjendarët gjejnë vend madje në pallatin e mbretit për të punuar arin dhe argjendin.
Argjendaria dikur ishte një zanat shumë prestigjioz. Argjendarët respektoheshin baras me priftërinjtë dhe mësuesit. Arsimimi i tyre vazhdonte shumë kohë – të paktën tre vjet. Mjeshtrit e ardhshëm duhej zotëruar jo vetëm aftësi dhe hollësi të zanatit. Duke synuar të bëheshin të dëgjuar dhe të kërkuar, ata përpiqeshin që nga fillimi të gjenin stilin e vet të veçantë, të zhvillonin një ndjenjë estetike dhe një fantazi të pasur. Një përgjegjësi të madhe kërkonte përpunimi i stolisjeve të nuses. Pavarësisht nga gjendja materiale e familjes, çdo vajzë duhej shkelur pragun e shtëpisë së saj të re me stoli të shumta dhe të bukura. Medaljone, unaza, vathë, stoli specifike për kokën në varësi nga krahina folklorike – këto sende ishin të detyrueshme.
Stolisjen e nuses një mjeshtër argjendar zakonisht e punonte për gjashtë muaj. Ndonjëherë kjo kohë ishte plot me net të pagjumë. Sepse çdo stolisje duhej qenë e ndryshme. Dhe nëse dëshironte të ishte i respektuar, mjeshtri nuk duhej përsëritur format dhe detajet e stolisjeve. Por puna e argjendarëve shpërblehej. Përveç pagesës së pasur, mjeshtrit merrnin dhe një qengj. Vraca, Çiprovci, Vidin, Samokov, Panagjurishte, Sofja – këto ishin qendrat e zanatit të argjendarisë në të kaluarën. Në Panagjurishte mjeshtrit argjendarë kishin një kontribut të madh për lulëzimin ekonomik dhe kulturor të qytetit gjatë shekullit XIX. Sot atje ka një muze, i cili tregon për shkollën e argjendarisë së Panagjurishtes. Ndër eksponatet interesante janë luanët e artë që i mbanin pjesëmarrësit në Kryengritjen e Prillit kundër zgjedhës osmane (nga viti 1878), si edhe inkrustimet e armëve të përpunuara nga mjeshtërit si një dhuratë për kauzën atdhedashëse.
© Foto: pravoslavieto.com
Mjeshtri Matej, mjeshtri Velo – këta janë emrat e disa argjendarëve të njohur nga Sofja, ku gjithashtu kishte një shkollë të zhvilluar të argjendarisë. Emrat e tyre janë shkruar në veshjet e arta dhe të argjendta të librave kishtarë të punuar në shekullin XVI. Sipas një legjende, një mjeshtër i ri – Gjeorgji, iku nga vendlindja dhe erdhi në Sofje për ta mësuar zanatin e argjendarisë. Një fakt pak i njohur është se ky i ri më vonë u kanonizua për shenjtor si Gjeorgji i Ri i Sofjes. Në jetëshkrimin e tij thuhet se ai kishte një bukuri të brendshme të jashtëzakonshme dhe ishte një mjeshtër i talentuar. Një dëshmi se në Sofje ky zanat zhvillohej me sukses të madh është Lagja e Argjendarisë, e cila u ruajt edhe pas pushtimit të Bullgarisë nga osmanët. Megjithëse shumë atelie u shkatërruan, dalëngadalë ato rifilluan veprimtarinë e tyre dhe prodhonin sende dhe stolisje me cilësi të lartë.
Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
Fotografi: BGNES
Një Muze Etnografik Rajonal në Plovdiv hap dyert për edicionin e 16-të të Javës së Artizanateve Tradicionale, raportojnë organizatorët e muzeut. Hapja është në Ditën e Enjos (24 Qershor), e nderuar në traditën tonë popullore si dita e barërave dhe fuqisë..
Më 22 qershor mbi 30 kuzhinierë nga i gjithë vendi mblidhen në Montana për festivalin e kuzhinës popullore "Babina Dushica". Festivali i kuzhinës është pjesë e programit për kremtimin e festës së Montanës "Shpirti i Shenjtë" në Kopshtin e..
Myslimanët në Bullgari festojnë Kurban Bajramin. "Kurbani është një fjalë arabe që do të thotë “afrim”. Përmes kurbanit, myslimanët bëjnë gjithçka që është e mundur për t'iu afruar mëshirës së Allahut", tha kryemyftiu në Bullgari, Dr. Mustafa Haxhi, në..