Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

“Nuset e vizatuara nuk qajnë” – një film dokumentar për dasmat përrallore në fshatin Ribnovo

Foto: Televizioni Turizëm dhe see.bg

Në një prej rajoneve malore të Bullgarisë Jugperëndimore ndodhet fshati Ribnovo, ku banon popullsi muhamedane. Në të sikur koha është ndaluar, kurse popullsia vendase ruan shumë rreptë vlerat dhe traditat patriarkale. Në Ribnovo dasmat janë vërtetë përrallore – tri ditë mysafirët festojnë dhe argëtohen. Për një dasmë të tillë përrallore në Ribnovo rrëfehet në filmin dokumentar të Televizionit Turizëm (TVT) “Nuset e vizatuara nuk qajnë”. Autorja e tij është gazetarja nga Radio Bullgaria Veneta Nikollova. Kuadrot piktoreske nga fshati Ribnovo, i zhytur në natyrën e bukur të malit Rodope, muzika autentike dhe rrëfimi emocional na çojnë në një botë të panjohur dhe deri diku joreale.

© Foto: Televizioni Turizëm dhe see.bg

Renditja e pajës

“Menjëherë pasi mbërrita në Ribnovo për xhirimin e filmit më bëri përshtypje se ky fshat ndodhet shumë lart në mal dhe është larg vendbanimeve të tjera, por megjithatë është plotë jetë – na tregon kolegja Veneta Nikollova. – Në rrugët e përpjeta vazhdimisht lëvizin gra me shami lara-lara, burra dhe fëmijë. Kudo dëgjohen rrahje prej çekiçësh, sepse këtu ndërtohet shumë. Dëgjohet muzikë diku larg. Një gjallërim i tillë nuk është karakteristik për fshatrat tona, në të cilat popullsia pakësohet çdo vit. Filmi është një provë për t’u njohur me botën e këtij fshati interesant.

© Foto: Televizioni Turizëm dhe see.bg

Marshi dasmor kalon nëpër tërë fshatin.

Traditat dasmore në Ribnovo paraqesin më mirë mënyrën e jetesës së këtyre njerëzve, ndjenjën e tyre të përkatësisë në këtë komunitet të vogël. Etapat e jetës së fshatarëve nga Ribnovo janë lidhur me norma dhe rituale të veçanta. Kështu ka qenë para 200-300 vitesh, kështu është edhe sot! Pikërisht kjo qartësi u jep njerëzve në Ribnovo atë ndjenjë sigurimi dhe komforti, të cilën na mungon neve, njerëzve modernë. Pavarësisht se shkojnë në kurbet jashtë të gjithë kthehen në fshat. Pasi lindet vajzë në familje, menjëherë fillon grumbullimi i pajës – gjithçka e domosdoshme për jetën familjare. Në qoftë se lindet djalë, atëherë të gjitha përpjekjet përqendrohen te ndërtimi i shtëpisë së re për familjen e ardhshme.”

© Foto: Televizioni Turizëm dhe see.bg

Dasma është momenti më i rëndësishëm për çiftin e ri.

Filmi u xhirua me ide të kryeredaktorit të TVT Stojan Radullov. Operatori quhet Dobrin Keresteliev. Shumë interesante janë kuadrot e renditjes së pajës. Para shtëpisë së vajzës, gjatë tërë rrugës vendoset gjithçka e grumbulluar nga prindërit e vajzës gjatë viteve për shtëpinë e re – qilima lara-lara, përparëse, mbulesa, batanije etj. – një eksplozion i vërtetë prej ngjyrash, si dhe të gjitha orenditë shtëpiake – shtretërit, dollapët, furra me mikrovalë, televizori etj. Grumbullohet tërë fshati, që të shohë dhe të komentojë pajën. Pastaj vijnë dasmorët, të cilët do ta çojnë nusen në shtëpinë e lindjes, që të bëhet ajo “gelina”. “Kështu i quajnë nuset e vizatuara në këtë krahinë – thotë Veneta Pavllova dhe shton – Nëna e çon vajzën në shtëpinë e lindjes, pragun e së cilës ajo do ta shkelë për herë të fundit. Rreth saj grumbullohen vetëm gra. Ato e veshin me rrobën e saj dasmore, e cila nuk është e bardhë, por është e ngjyrshme. Nusja shtrihet në dysheme dhe vjen një grua, e cila mbulon tërë fytyrën e saj me krem të bardhë dhe ngjit rrethe të kuqe me temina në faqe, ballë dhe mjekër. Kjo në fakt është një maskë, e cila e fsheh nusen nga bota dhe e ruan nga syri i lig.”

© Foto: Televizioni Turizëm dhe see.bg

Maska e ruan nusen nga syri i lig.

Në fakt filmi “Nuset e vizatuara nuk qajnë” është një rrëfim për një bashkësi të mbyllur myslimane, e cila ruan shumë rreptë traditat e veta dhe nuk do që të ndryshohet. “Këta njerëz demonstrojnë përkatësinë e tyre më të ndryshme me krenari të madhe, por kjo nuk do të thotë se ata janë arkaikë, se janë “relikte” të izoluara nga shekulli i XXI! Fshatarët nga Ribnovo janë pjesë e dy kulturave dhe kjo i bën më të pasur nga ne, njerëzit e botës së globalizuar dhe të standardizuar” – thotë në përfundim Veneta Nikollova.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

По публикацията работи: Lina Ivanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Festivali Ndërkombëtar i Kinemasë Etnografike “OKO” fillon me një theks në Ukrainë

Festivali Ndërkombëtar i Kinemasë Etnografike “OKO” do të mbahet në Sofje nga data 8 deri më 15 nëntor. Forumi realizohet me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Filmit, Bashkisë së Kryeqytetit, Ambasadës së Ukrainës dhe Derzhkino të Ukrainës. Këtë vit,..

botuar më 24-11-08 6.20.PD
Foto: Ambasada e Republikës së Bulgarisë në Shqipëri

Ditët e Kulturës Bullgare u zhvilluan në Tiranë

Në kryeqytetin shqiptar të Tiranës u zhvilluan Ditët e Kulturës Bullgare, njoftoi Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri. “Të inkurajuar nga Dita e Iluministëve të Popullit që e festuam së fundmi, ne bëmë çmos për t'i njohur miqtë tanë..

botuar më 24-11-06 8.25.PD

“Abetarja e Peshkut” 200-vjeçare kujton për veten me një botim të ri

Në vitin 2024 mbushen 200 vjet nga shfaqja e së ashtuquajturës "Abetare me mësime të ndryshme" . Ky është titulli origjinal i librit i njohur më mirë si “Abetarja e Peshkut”, autor i së cilës është rilindësi i shquar Dr. Petër Beron. Bëhet..

botuar më 24-11-03 7.35.PD