Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

“Gora” dhe “Boboshtica” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Etnografik

Foto: akriv personal
Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Etnografik, i cili u mbajt në Sofje nga data 13 deri më 19 nëntor, u prezantuan filmat “Dita e Shën Gjergjit te goranët në Shqipëri” dhe “Fshati ynë esti Boboshtica”. Ato janë të xhiruara nga studiuesja bullgare e bashkësive sllavisht-folëse në Shqipëri, Vesellka Tonçeva. Montazhin e filmave e ka realizuar regjisorja Ekaterina Minkova. Vesellka Tonçeva, e cila me profesion është muzikologe dhe etnografe, ka bërë disa herë ekspedita në rajonin e Gorës dhe në atë të Korçës.

Vesellka Tonçeva
“Bashkësia e goranëve, e cila është ndarë mes Shqipërisë dhe Kosovës, përbën një interes shumë të madh. Interesi im është drejtuar ndaj goranëve në Shqipëri, sepse bashkësia andej është më pak e studiuar – shpjegoi Vesellka Tonçeva. – Për shkak të regjimit në të cilin kanë jetuar, goranët në Shqipëri kanë qenë në një farë mënyre më të mbyllur dhe në fakt ky izolim e ka bërë të mundur ruajtjen e zakoneve dhe traditave autentike. Xhirimet janë nga fshatrat Borje dhe Shishtavec, ku kam qenë dy herë. Kam provuar të përmbledh gjithçka që kam parë gjatë festimit të Ditës së Shën Gjergjit. 6 maji te goranët është dita më e madhe dhe më e rëndësishme. Atëherë përfundon dimri, që stinë në malin Shar është e tmerrshme, dhe fillon pranvera, kur natyra zgjohet për një jetë të re. Ditën e Shën Gjergjit goranët nuk e lidhin me figurën e shenjtorit të krishterë Gjergj, i cili nderohet më 6 maj nga Kisha Ortodokse. Goranët janë myslimanë dhe 6 maji për ta është dita e fillimit të pranverës, kur burrat kthehen në shtëpi nga kurbeti. Duhet përmendur se Dita e Shën Gjergjit te të krishterët në Shqipëri është një festë e lëvizshme, d.m.th. nuk bie në një datë të caktuar, dhe festohet në varësi të Pashkëve. Goranët ndajnë vitin në dy. Stina e dimrit fillon me Ditën e Shën Dhimitrit (26 tetor), kur punëtorët bujqësorë nisen për në krahinën historike e gjeografike mes Maqedonisë Lindore dhe Trakisë Perëndimore, kurse stina e verës fillon me Ditën e Shën Gjergjit. Kjo ndarje e vitit është karakteristike edhe për kalendarin popullor të sllavëve. Goranët respektojnë shumë Ditën e Shën Gjergjit. Ajo festohet disa ditë. P.sh., në fshatin e Borjes festa zhvillohet katër ditë. Përgatitja për festën vetvetiu përbën një rit. Lyhen muret e shtëpive dhe këto të fundit pastrohen tërësisht. Ende interpretohen këngët e dikurshme rituale. Goranët vishen me kostume. Çdo ditë e festës ka të bëjë me një rit të posaçëm. P.sh., ditën e parë mblidhen lulet të cilat futen në ujë dhe me këtë ujë lahet trupi. Gjatë ritit të larjes deklarohen këto fjalë: ashtu si uji rrjedh poshtë, ashtu edhe unë të rritem lartë. Dilet për t’u mbledhur barna, të cilat prehen dhe u jepen kafshëve
për bulmet. Branat mblidhen në të gdhirë të ditës. Vetëm në këtë kohë ato janë magjike dhe shpërndahen që të jetë viti i mbarë. Ditë tjetër goranët hyjnë në valle me shoqërimin e dy surleve dhe dy daulleve, kurse ditën e fundit dilet për teferiç dhe bëhet një piknik i përbashkët. Për sa i përket mbledhjes së drurëve, kjo bëhet vetëm në fshatin e Shishtavecit. Me ta ngrohet uji, ku futen lulet. Pylli ku merren drutë konsiderohet si i shenjtë, sepse vetëm Ditës së Shën Gjergjit lejohet mbledhja e drurëve andej. Një rit tjetër interesant është ai me vezën. Merret një vezë e pazierë dhe me lëvozhgën fërkohet trupi. Kjo bëhet për shëndet. Simboli i vezës nuk është vetëm se e ka lëvozhgën e fortë, forma e saj të rrumbullakët simbolizon pafundësinë. Në Shishtavec në mbrëmjen e 6 majit vajzat shkojnë në lumë dhe presin majat e flokëve. Besohet se nëse flokët prihen në këtë ditë, ata do të fillojnë të rriten më shpejt, sepse atëherë natyra “rritet”, gjithçka gjelbërohet. Të gjitha këto rite vazhdon të ekzistojnë edhe sot te goranët. Fakti se jetojnë në Shqipëri, nuk i ka penguar aspak të ruhen traditat e veta.”

Filmi “Fshati ynë esti Boboshtica” (“Fshati ynë është Boboshtica”) prezanton vendbanimin dhe festën “Rosica”. Personazhet kryesore janë dy banorët e mbetur sllavisht-folës – gjyshja Elpida Manço dhe gjyshi Ilo Koneshka. Të tjerët janë shqipfolës. Duke mbështetur në të dhënat historike, duhet të përmendet se më 3 mars të vitit 1878 në qytezën San Stefano, sot një lagje periferike e Stambollit, u nënshkrua marrëveshja paraprake paqësore midis Perandorisë Osmane dhe Rusisë. Sipas Marrëveshjes së 1878-së Bullgaria u shpall shtet i pavarur dhe në territoret e saj u përfshi rrethi i Korçës, ku gjendet fshati Boboshtica. Mirëpo, gjatë Kongresit të Berlinit, i cili u mbajt nga 13 qershor deri në 13 korrik të vitit 1878, u vendos që rrethi i Korçës t’i kthehet Perandorisë Osmane. Më 1912 pas Luftës Ballkanike ky rreth u caktua pjesë zyrtare e territorit të Shqipërisë. Më vonë, në fund të viteve të 30-të dhe në fillim të vetive të 40-të ushtria italiane i vuri flakën fshatit të Boboshticës dhe një pjesë e madhe e banorëve u zhvendos në qytetet përreth. Siç sqaron Vesellka Tonçeva, kur sllavisht-folësit janë larguar nga fshati gjithnjë e më tepër kanë filluar të humbasin lidhjen me të folmen sllave.

gjysha Elpi

„Ideja e filmit “Fshati ynë esti Boboshtica” është që të prezantojë dy banorët e mbetur sllavisht-folës si “relikt i gjallë” – tregon Vesellka Tonçeva. – Gjyshi Ilio është i bindur se flet një të folme të bullgarishtes dhe se ata janë bullgarë. Studiuesi i madh francez Ande Mazon, kur ka bërë studimet e tij rreth të folmeve sllave në Shqipërinë e Jugut, është vendosur pikërisht në shtëpinë e babit të Ilo Koneshkës. Vetë studiuesi shkruan gjatë 1936-ës se e folmja e Boboshticës “kaj nas” (gjuha e atyre që flasin si ne) i përket gjuhës bullagre. Gjysha Elpi thotë se e folmja është e veçantë dhe nuk e konsideron si dialekt i ndonjë gjuhe sllave. Subjekti i filmit rrëfen për festën “Rosica”. Festohet dy ditë vetëm nga femrat. Së pari ato shkojnë derë më derë dhe interpretojnë këngë rituale. Këtë e bëjnë për të mbledhur produktet me të cilat përgatitet bukëvalja – ushqimi që patjetër duhet të vendoset në tavolinën festive. Ditën e dytë, të veshura me kostumet më të bukura, femrat mblidhen në lokalin e fshatit, hanë, vallëzojnë dhe kënaqen së bashku me muzikën e orkestrës. Festa ka karakter më tepër pagan dhe ka të bëjë me adhurimin e natyrës. “Rosica” festohet javën e tretë pas Pashkëve dhe shkohet në kishë. Për këtë arsye ka qenë e ndaluar gjatë regjimit të Enver Hoxhës. Më pas “Rosica” rifilloi së festuari. Në festë marrin pjesë shqiptaret e rrethit, të cilat përveç se këndojnë shqip, e dinë edhe tekstin sllavisht. Gjysha Elpi e shkruan atë me alfabetin latin në letër dhe e shpërndan mes grave shqipfolëse.”

Analog i “Rosicës” që sot festohet vetëm në fshatin Boboshtica janë Ditët e Rusicave te shqiptarët. Në krahinat e ndryshme të Shqipërisë festa kremtohej dukur midis 30 dhe 50 ditëve pas Pashkëve. Gratë kanë përgatitur kuleçtë dhe i kanë shpërndarë patjetër mes shtatzënave dhe kafshëve të cilat gjithashtu lindin. Pas piknikut të organizuar fëmijët kanë shkuar jashtë fshatit dhe kanë zhvilluar kultin e Diellit, duke bërë figura kukullash prej balti dhe duke i varrosur ato. Këndimi karakteristik sllavisht për “Rosicën” i ngjan shumë tekstit shqip, i cili haset në disa variante. Mbledhësi i folklorit të Devollit të Sipërm, Koci Zdruli, ka regjistruar këngën rituale, e cila vijon më poshtë:

Rusica, rusica,                                 Më dërgoi rosica, të më japë miell,
na dërgoi rusica,                              të më japë miell edhe një vezë,
për një doçkë mjell gru                     edhe një vezë, të bëjmë pogaçe,
që të bëjmë petë,                            të kryejmë liturgji dhe të mbajmë kreshmë.
të bëjmë një kukuliçe,                       Ristozi një herë në vit është,
të bëjmë në pogaçe,                        si borzilok në kopsht,
të ftojmë Ristozë!                            na gëzoi, na gëzoi, na gëzoi.

(fshati Ziçisht)                                 (fshati Boboshtica, përkthyer nga sllavishtja)

“A i ka përkitur festa popullsisë sllave, mbase po, sepse gjysha Elpi pohon se festimi ekziston prej shumë kohe, a ka çuar kontakti midis shqiptarëve dhe sllavëve në rajon në ndikime reciproke, tashmë kjo nuk mund të zbulohet. Ka mundësi që festimi në Boboshticë të jetë shndërruar në një rit të veçantë pikërisht në bazë të pikave të përbashkëta në kulturën shqiptare dhe në atë sllave. Puna jonë nuk është vetëm të studiojmë traditat dhe zakonet, duke kërkuar origjinën dhe thelbin e tyre. E kemi detyrë të xhirojmë mënyrën e tyre të jetesës dhe të njohim sa më shumë njerëz me të. Këto xhirime do të mbeten përjetë dhe shkuesit e nesërm do të kenë mundësinë të njihen me banorët e fundit në Boboshticë”, tha studiuesja Tonçeva.

Fotografitë janë ofruar nga Vesellka Tonçeva

По публикацията работи: Anna Kapitanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një valë kulturore franceze po përfshin Sofjen në javët e ardhshme

Deri në fund të vitit bullgarët do të takohen me kulturën franceze në formën e një sërë shfaqjesh filmash, leximesh letrare, konferencash, ekspozitash etj . Rasti  është 145 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Francës dhe..

botuar më 24-10-16 7.20.PD

Tregu si fenomen kulturor në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen

Një nga vendet më interesante dhe plot ngjyra në çdo vendbanim është tregu i tij. Pavarësisht nëse është i hapur përditë apo në një ditë të veçantë të javës, nëse ka ose jo specifika të produkteve që ofron, tregu është një fenomen kulturor që ka..

botuar më 24-10-09 7.35.PD

Takim në Ambasadën e Shqipërisë me studentët e Universitetit të Sofjes

Ditën e premte në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Sofje u zhvillua një takim i ngrohtë dhe i përzemërt mes Ambasadores Znj. Inid Milo me studentët dhe profesorët e Gjuhës shqipe në Departamentin e Ballkanistikës të Universitetit të Sofjes “Shën..

botuar më 24-10-06 12.05.MD