Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Durankullak – oaza e fundit e natyrës së virgjër

Foto: Veneta Nikollova

Durankullak tërheq si magnet turistë, fotografë amatorë, piktorë dhe njerëz me shpirt poetik. Por shumë pak frekuentues e dinë, se kjo oazë e natyrës së virgjër, që ndodhet në bregdetin tonë verior ka një histori mijëvjeçare. Në plazhin disa kilometrash, që zgjatet deri në kufirin me Rumaninë ka jo më shumë se tre kampingje dhe nga ndonjë çadër të ngulur mbi plazhin pranë dallgëve të detit. Dhe kaq! Mungojnë komplekset hotelesh, kazinotë, tezgat, lokalet për birrë dhe peshk, aq karakteristike për bregdetin tonë. Në vend të zhurmës së njerëzve, klithmave të tregtarëve dhe tallavasë që derdhet nga radioaparatet dhe magnetofonat, plazhi i Durakullakut ofron flladin e erës, murmurimën e dallgëve dhe... cicërimat e zogjve.

Përmes Durankullakut kalon rruga e zogjve Via Pontika.

Mbi dhjetëra lloje shpendësh, disa prej të cilëve të kërcënuar me zhdukje në përmasa botërore, i bëjnë foletë e tyre në këtë skaj verilindor të Bullgarisë, sepse prej këtej kalon magjistrali i zogjve Via Pontika, që e lidh Evropën me Afrikën. Ndërsa një prej stacioneve kryesore të këtij magjistrali është Liqeni i Durankullakut, që bie nja gjashtë kilometra larg kufirit me Rumaninë. Krahas kolonive të shumta shpendësh rajoni është habitat i rosës gushëkuqe. Pothuaj të gjitha ekzemplaret e këtij lloji rosash që popullojnë botën, kalojnë dimrin në brigjet e liqenit, ndërsa në verë ikin në vendlindjen e tyre – rajonet veriore të kontinentit. Por në liqen ka mjaft shpendë uji të tjerë dhe nga plazhi njeriu mund të vëzhgojë koreografinë e valles së tyre në qiell. Po të hysh në det do të ta shoqërojnë kope delfinësh. Gjitarët kureshtarë s’kanë frikë nga njeriu dhe notojnë pranë bregut për gëzim të turistëve që bëjnë banjë në det.

Kampingu nuk ofron luks, por komoditet afër natyrës së egër.

“Aktualisht baza turistike në rajonin e Durankullakut është plot 100 për qind – thotë Evelina Dimitrova, nëpunëse e Komunës së Shabllës. – S’kemi vende të lira. Në rajon tani pushojnë shumë bullgarë, rumunë, polakë, çekë dhe turistë të tjerë. Shumë prej tyre kanë ardhur me çadra dhe rimorkio kampingu dhe akomodohen jashtë rajonit të kampingut, pranë liqenit. Në fshatin Durankullak atmosfera është e qetë. Përreth ka restorante të vogla ku ofrohen gjellë të shijshme, specialitete të krahinës sonë.”

Ishulli ka histori mijëvjeçare

Në ujërat e Liqenit të Durankullakut ndodhet një ishull i vogël. Ndër kodrat e tij mund të shihen mbetje të ndërtesave të lashta. Këto janë gjurmët e një vendbanimi prehistorik, që ka ekzistuar në vazhdim të dy mijëvjeçareve. Hipoteza është se këtu ka pasur jetë njerëzore qysh në mijëvjeçarin e katërt para Krishtit, që e vë fillimin e kulturës së neolitit. Për shkak të mungesës së pyjeve në këtë rajon paraardhësit tanë kanë ndërtuar shtëpitë e tyre me gurë, bile pamenduar se një ditë rrënojat e këtyre ndërtesave primitive do të shpallen arkitekturat më të hershme prej guri në Evropë. Për shkak të shumë rrethanave vite me radhë këto rrënoja unikale ishin lënë pas dore, por prej kësaj vjeshte, në sajë të një projekti evropian, turistët mund të njihen me të kaluarën enigmatike të kësaj cope tokë ndër liqen. Po ndërtohet dhe një shteg mbi shtylla (shteg palafit), i cili do të lidhë tokën me ishullin, do të ketë dhe një urë varëse, kënde për pushim, një shteg ekologjik, tablo të posaçme me informacion si dhe një Qendër të Vizituesve.

Liqeni i Durankullakut

“Kemi ciceronë të aftë, që mund t’i shoqërojnë turistët në shëtitjet në ishull – tregon Evelina Dimitrova. – Me dylbi mund të shihen shpendët që bëjnë fole, të vëzhgohet bimësia, që gjithashtu është shumë interesante, kurse ciceronët shoqërues i njohin turistët me pasurin shtazore dhe me historinë mijëvjeçare të ishullit.”

Në Rrafshinën e Dobruxhës mund të bëheni dëshmitarë të perëndimit më pushtues të diellit në këtë paralel gjeografik.

Disa hane në fshatin Durankullak ofrojnë komoditet dhe mikpritje, larg kotësisë së vendpushimeve mondane. Hotele të vogla familjare, shumicë prej të cilave me pishinë në oborr mund të gjesh dhe në fshatin fqinj Krapec, që ndodhet në pjesën jugore të plazhit. Pra ky është një prej plazheve më të bukura dhe akoma të virgjëra të bregdetit bullgar. Tre kampingjet e këtushme strehojnë njerëzit me shpirt aventuresk, që janë gati të sakrifikojnë rehatin e qytetërimit modern për disa ditë lumturi të pakufishme në këtë parajsë. Këtu, ndër gjerësitë e pakapshme të Rrafshinës së Dobruxhës mund të bëhesh dëshmitar i perëndimit më pushtues dhe dramatik të diellit në këtë paralel gjeografik. Pak para dielli të zhytet në ujërat e Liqenit të Durankullakut, qielli mbushet me truma shumëmijëshe zogjsh që fluturojnë me shpejtësi të madhe afër topit zjarrmor, kurse me ardhjen e natës zbresin dalëngadalë mbi ujërat e errëta të liqenit dhe zhduken në foletë e tyre të fshehta.

Përgatiti në shqip: Gyulka Ilieva
Fotografi: Veneta Nikollova
По публикацията работи: Veneta Nikollova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Nga vreshti në shishe – “Mavrudi” legjendar si pjesë e kartëvizitës së Bullgarisë

 “Poezia në një shishe” - kështu e përcaktojnë njohësit varietetin emblematik të verës vendase “Mavrud”. Ajo karakterizohet me një ngjyrë të thellë rubin, si dhe nivele të larta të taninit dhe acideve. Në pijen legjendare bullgare mbizotërojnë..

botuar më 24-07-28 12.20.MD

“The Independent” : Sllënçev Brjag ofron më shumë për më pak se Marmaris

S llënçev Brjag tejkaloi pushimoren turke Marmaris si destinacioni më i përballueshëm për pushimet familjare. Një sondazh i gazetës britanike online “The Independent” krahasoi çmimet e 10 artikujve thelbësorë, duke përfshirë ushqimin, pijet dhe..

botuar më 24-07-25 7.25.PD
Liqeni Shiroka Poljana (Livadhi i Gjerë)

Batak është shumë më tepër se një qytet i bukur në Rodope me një histori dramatike dhe peizazhe piktoreske

Për ne, bullgarët, Bataku është një qytet i shenjtë! Edhe sot e kësaj dite, atje ndihet jehona e ngjarjeve tragjike që lidhen me Kryengritjen e Prillit të vitit 1876, kur shumica e banorëve të pafajshëm të qytezës në malin e Rodopeve u vranë..

botuar më 24-07-21 10.20.PD