36-vjeçari Atanas Skatov është prej atyre njerëzve të cilët fluturojnë lart në ëndrrat e veta, kapërcejnë pengesat e jetës dhe sfidojnë veten e tyre në sport. Megjithëse ka filluar të merret me sport para katër vjetëve, Atanas ka biografi me shumë arritje sportive. Në vitin 2012 bullgari zuri vendin e parë në maratonën 24-orësh të çiklizmit malor dhe mori pjesë në ngjitjen e 7 majave më të larta të Bullgarisë. Sivjet më 24 maj Atans Skatov u bë bullgari i 13-të dhe njëkohësisht vegani i parë në botë, i cili ngjiti në majën më të lartë të globit – Everst (8848 metra).
Atans Skatov është vegjetarian që nga viti 2006 dhe nga viti 2012 bëhet vegan – nuk konsumon fare produkte bulmeti, por mjaltin e ha. Bullgari është përfshirë në projektin e ngjitjes së 7 majave më të larta të globit i cili projekt startoi vitin 2012 dhe duhet përfunduar deri në fund të 2015-ës. Bullgari ka për qëllim të tregojë se pa u konsumuar bulmeti, njeriu mund të jetojë plotësisht. Para Everstit këmba e Atanas Skatovit shkeli njërën pas tjetrës majën më të lartë të Afrikës – Uhuru (5895 metra), majën më të lartë të Evropës – Elbrus (5642 metra) dhe majën më të lartë të Amerikës së Jugut – Akonkagua (6962 metra).
Atanas e konsideron veten e tij më tepër turist se si alpinist: “Me alpinizëm merrem prej pak kohësh – pohon bullgari. – Ndërsa me turizëm malor që nga viti 2010, kur për herë të parë kalova itinerarin 700 kilometrash nga maja Kom deri te maja Emine. Këtë itinerar e kam kaluar dy herë. Që atëherë merrem me turizëm. Në vitin 2012 fillova t’u ngjitem shkëmbinjve. Në fakt me alpinizëm merrem pasi u ngjita në Everest, pra para disa muajsh.”
Atanas Skatovit i mbetet t’u ngjitet tri majave nga më të lartat e globit – Vincent (4982 metra) në Antarktidë, Punçak Xhaja (4884 metra) në Oqeani dhe Maknili (6193 metra) në Amerikën e Veriut. Nëse ngjitet në këto maja Atanas do të bëhet vegani i parë i botës i cili ka valëvitur flamurin bullgar në shtatë majat më të larta të globit.
Si përgatitet ai për këtë aksion të madh?
“Zakonisht nuk përgatitem në ndonjë mënyrë të veçantë para ekspeditës, sepse trajnoj gjatë tërë vitit. Që nga vjeshta e 2011-ës bëhem gati për këto ngjitje. Pothuajse çdo ditë bëj sport.”
Çfarë do të thotë për ju t’i ngjiteni çatisë së botës?
“Ndjenjat janë shumë pozitive. Emocioni që je mbetur i gjallë aty lartë është tepër i madh. Nga ana tjetër po shqetësohesh se si do të zbresësh poshtë, sepse je i lodhur. Lart është jashtëzakonisht e bukur. Paramendoni kufirin midis Nepalit dhe Tibetit, p.sh. Nga të dyja anët ka maja me lartësi mbi 8 mijë metra. Në çdo anë dukshmëria është 100-150 kilometra larg. Është e mrekullueshme”.
Cilat janë fjalët kyçe në alpinizëm?
“Durim, sepse shpeshherë kalon ditë të tëra në bazë duke pritur mot të mirë. Duhet po ashtu të jesh me psikikë stabile, sepse gjithmonë shfaqen probleme për t’u zgjidhur. Shpirtin duhet ta kesh të fortë.”
Pasi ta mbyllë këtë projekt Atanas Skatov parashikon t’i ngjitet njërës nga majat me të vështira të botës – K2 (8611 metra) në Himalaje. Për ngjitjen e K2 nevojitet përgatitja jashtëzakonisht e mirë fizike e psikologjike, si dhe sponsorë. Le t’i urojmë Atanasit suksese në realizimin e ëndrrave të tij. Dhe po ashtu le të theksojmë se ky nuk është i vetmi bullgar i cili ngre sy lart majës K2. Gjatë korrikut pritet që maja të “sulmohet” nga alpinisti i njohur bullgar dhe njëkohësisht zoolog Bojan Petrov dhe nga Mlladen Dankov. Me rastin e përvjetorit të 60-të të ngjitjes së parë të K2 nga italianët Akile Kompanjoni dhe Lino Laçedeli (31 korrik 1952) në Institutin Polonez në Sofje do të projektohen filma mbi temën “Me e bukura dhe më e vështira”.
Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova
Fotografitë janë nga arkivi personal i Atanas Skatovit
Tenisti më i mirë bullgar u kualifikua në fazën e 16-të të turneut "Masters" në Shangai. Bullgari i renditur në vendin e nëntë në skemë fitoi 7:6(5), 6:2 kundër Aleksej Popirin - Australi. Ndeshja zgjati 89 minuta. Kjo ishte ndeshja e katërt mes dy..
Tenisti më i mirë bullgar Grigor Dimitrov u kualifikua në raundin e tretë të Turneut të Tenisit "Masters" në Shangai me një fond shpërblyes prej 9 milionë dollarësh.Grigor Dimitrov, i renditur nën numrin 9, eliminoi belgun Zizu Bergs mе 6:3, 3:6,..
Më shumë se 6000 vrapues do të marrin pjesë në edicionin e 41-të të Maratonës Wizz Air Sofia, njoftuan organizatorët e garës në një konferencë shtypi gati dy javë përpara fillimit.Traseja prej 42 kilometrash i disiplinës së gjatë këtë vit do të ketë..
Në një nga malet afër Sofjes – Vitosha, të shtunën organizohet gara e re malore – Hut Hop Race. Gara është një vrap/shëtitje me elementë të orientimit..