Dita e Gjyshes është e shoqëruar me rite të rëndësishme dhe një gëzim dhe hare dhe është një nga traditat më të mira. Sipas stilit të ri, festa është më 8 janar. Në këtë mënyrë mbyllet cikli Dita e Shën Jordanit – Dita e Shën Ivanit dhe Dita e Gjyshes – të gjitha këto ditë janë të lidhura me ujin dhe me të larët në formë riti. Sipas kalendarit të vjetër Dita e Shën Jordanit ka qenë më 19, kurse Dita e Gjyshes më 21 janar. Kjo është një “festë grash” dhe është dita e vetme në të cilën gratë kanë mundur të bëjnë shaka mjaft të “kripura” me bullat.
Etnografi i njohur bullgar Dimitër Marinov jep akoma hollësira të tjera për kuptimin e ditës së Gjyshes: “Në këtë ditë populli feston për nder të sëmundjeve tek fëmijët, të quajtur babici ose sërdeshnica”. Le të sqarojmë, se në përfytyrimet popullore babici janë fryma të këqij – disa motra, të cilat sulmojnë vetëm fëmijët dhe shumë më rrallë të moshuarit. Kurse ritet në Ditën e Gjyshes i mbrojnë fëmijët dhe prej tyre.
Larjen e fëmijëve, qerasje dhe vleçugane (larjen e gjyshes) – e thënë në mënyrë më përgjithësuese, kështu kalon festa. Riti i parë kryhet nga gjyshja. Akoma që në ditën e mëparshme ajo ka përgatitur gjalpë, mjaltë një tufë me borzilok, lesh të bardhë dhe të kuq. Shumë herët në mëngjes ajo ka vizituar çdo një shtëpi në të cilën ka ndihmuar për lindjen e fëmijës. I ka larë fëmijët e porsalindur, fëmijëve më të mëdhenj u ka larë sytë, kurse vajzat dhe nuset e reja i ka spërkatur me tufën e lules kundër syrit të keq dhe që të mund të lindin kollaj dhe lehtë. I ka lyer fëmijët me gjalpë dhe mjaltë, duke thënë urata për shëndet dhe jetë të gjatë. Kjo është një farë përsëritje të veprimeve, të cilat gjyshja i ka kryer gjatë lindjes të çdo një prej fëmijëve. Ka lyer dhe gratë në shtëpi, “që të jenë të ëmbla për burrat e tyre”.
Fill pas kësaj, nuset me fëmijë deri më 3 vjeç kanë shkuar në shtëpinë e gjyshes. Kjo pjesë nga tradita është ruajtur më gjatë, në vende të veçanta është ruajtur dhe deri më sot. Çdo një grua sjell sapun, peshqir, tufë me lule dhe para. I shtien ujë gjyshes, në mënyrë riti të mund të laj duart dhe kjo ndodh zakonisht nën ndonjë pemë frutore.
Pas kësaj vendoset një tryezë e pasur, ku janë të ftuara vetëm gratë. Përfaqësuesit e vetëm të gjinisë mashkullore janë muzikantët, të cilët kanë për detyrë t’i argëtojnë gratë. Gjatë kohës së drekës ato këndojnë këngë të gëzueshme, shpesh me një përmbajtje tepër qesharake. Gjyshja djeg mbi një tjegull gratë nën fustan, që të mund të lindin më shumë dhe fëmijët të jenë të shëndetshëm. Gjatë gjithë kohës ajo mban rreth qafës një qafore me speca djegëse – simbol të fillimit pjellor të mashkullit.
Më vonë ndaj festës bashkohen edhe burrat. Gratë iu heqin kapele, iu zgjidhën brezat dhe iu tërheqin brekët. Që të mund të shpëtojnë burrat japin para gjyshes. Festa përfundon me larjen në formë riti të gjyshes. Njëri nga meshkujt thotë: “Ajo ka larë të gjithë fëmijët tanë – tani le ta lajmë dhe atë”. Të tjerët përgjigjen: “Duhet”! Dhe tani gratë mundohen “ta blejnë” gjyshen nga meshkujt. Hareja dhe gëzimi tanimë janë transferuar në oborr, tingëllon muzikë, luhen valle. Gjyshja e zbukuron kokën me një tufë me lule dhe del. Menjëherë pas kësaj tingëllon një valle dhe dy burra dhe dy gra fillojnë të luajnë, kurse të tjerët e marrin gjyshen në duar dhe e shpien në një karrocë të zbukuruar me qëndisje të ndryshme. I gjithë fshati e shoqëron deri tek lumi i afërt ose çezma, ku zhvillohet larja. Nganjëherë thjesht e nxjerrin në fushë dhe e lagin me ujë. Pas kësaj e shoqërojnë deri në shtëpinë e saj dhe përsëri në duar e fusin brenda. Muzikantët ekzekutojnë gjatë gjithë kohës, burra dhe gra vallëzojnë dhe argëtojnë. Riti është kryer, kurse me vleçuganeto përfundon dhe Dita e Gjyshes.
Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva
Fotografi: BGNES
Thonë se për të njohur një vend duhet jo vetëm ta shohësh me sy, por edhe ta shijosh. Çdo fshat bullgar, çdo qytet apo rajon ka frymën dhe aromën e vet specifike. Një nga mënyrat për t'i njohur janë rrugët gastronomike, të cilat po fitojnë popullaritet të..
Në shtator të vitit të kaluar, në korin e grave të ansamblit folklorik bullgar "Shevica" në Sofje u përfshi një djalë i ri, me tatuazhe dhe të gjitha karakteristikat e një vokalisti të një grupi kanadez heavy metal – ai hyri dhe u ul me..
Sipas dokumenteve osmane, afër fshatit të sotëm Bivoljane në komunën e Momçillgradit (Bullgaria Jugore) jetonin më shumë se 500 dervishë , të cilët u trajnuan në teqen Elmala Baba. Qendra fetare dikur ishte e njohur si qendra më e madhe e..