Interesi i madh i bullgarëve jashtë shtetit ndaj zgjedhjeve të ardhshme parlamentare e shtron çështjen për organizimin e tyre në kushtet e pandemisë dhe për garantimin e së drejtës së votimit të çdo zgjedhësi.
Pothuajse dy herë më shumë aplikime për votim u paraqitën nga bashkatdhetarët tanë jashtë vendit në krahasim me zgjedhjet e mëparshme parlamentare në vitin 2017. Përderisa atëherë gati 45 000 njerëz donin të ushtronin të drejtën e tyre të votës, tani 87 216 bullgarë e bënë këtë. Interes më të madh ndaj zgjedhjeve ka në Turqi, Britani, Gjermani, Spanjë dhe Shtetet e Bashkuara.
Vendi ynë mori leje për të mbajtur zgjedhje nga një numër vendesh dhe tashmë ka menduar skenarët për rrugët dhe dorëzimin e fletëve të votimit, siguroi Ministrja e Jashtme Ekaterina Zaharieva.
“Filluam përgatitjen e votës jashtë shtetit që para se të dimë datën, sepse këto janë zgjedhje të veçanta të cilat realizohen në kushtet e pandemisë – tha ajo para Televizionit Kombëtar Bullgar. – Mendojmë se dita e caktuar e bën të vështirë pjesëmarrjen e madhe, pasi vjet si para Pashkëve ashtu edhe para Krishtlindjeve, një numër vendesh vendosën kufizime në lëvizje për të ndaluar përhapjen e epidemisë. Por në çdo rast, Ministria e Punëve të Jashtme po bën punën e saj dhe planifikon të hapë më shumë seksione jashtë vendit sesa në të gjitha zgjedhjet e mëparshme deri më tani.”
Sidoqoftë edhe në këto zgjedhje bullgarët jashtë nuk do të jenë në gjendje të votojnë në zonën e tyre elektorale dhe të zgjedhin deputetët e tyre.
“Për më tepër, vota e tyre mbetet e paplotë, pasi ata nuk kanë të drejtë të votojnë me preferencë dhe zgjedhin vetëm listën e partisë - shpjegoi Iva Llazarova nga Instituti për Zhvillimin e Mjedisit Publik në një intervistë per Radion Kombëtare Bullgare.
Përveç faktit që ata nuk votojnë për deputetë të veçantë që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me problemet e tyre, votat e bashkatdhetarëve tanë transferohen në listat e kandidatëve në vend. Për shembull, në zgjedhjet e fundit, 118 000 votat nga jashtë ishin të krahasueshme me ato të dhëna në zonat elektorale të mesme për nga madhësia si rajoni i Sofjes, qytetet Veliko Tarnovo, Haskovo, Ruse, të cilët zgjedhin nga tetë mandate secila.”
Duke marrë parasysh kufizimin nga 35 seksione në shtetet jashtë BE dhe vështirësitë e imponuara nga koronvariusi është i domosdoshëm një mobilizim i madh në përkrahje të procesit elektoral.
“Kemi një propozim konkret për të respektuar kushtet për distancë fizike midis njerëzve kështu që një numër më të madh bashkatdhetarësh tanë jashtë shtetit të votojnë – vazhdon Iva Llazarova. – Pikërisht Komisioni Qendror Zgjedhor të emërojë komisione më të mëdha sektoriale të zgjedhjeve - për shembull, nëntë anëtarë. Kjo do të lejojë që të vendosen më shumë kabina votimi, detyrat administrative dhe organizative në vetë seksionin të ndahen më mirë, në mënyrë që njerëzit në radhë të mund të votojnë sa më shpejt të jetë e mundur.”
Ministri i Jashtëm i Bullgarisë u bëri thirrje bashkatdhetarëve tanë të përfshihen në komisionet sektoriale zgjedhore dhe të respektojnë rregullat. “Po marrim sinjale për thirrje ndaj komuniteteve bullgare për të bojkotuar kërkesën për distancë përpara vendvotimeve, për të mbyllur qendrat e votimit dhe për të akuzuar Bullgarinë për mos organizimin e zgjedhjeve mirë”, theksoi ministri.
Sipas Iva Llazarovës bashkatdhetarët tanë jo një herë kanë vërtetuar se mund të organizojnë procesin zgjedhor sipas rregullave.
Përpilues: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Shtatëvjeçarja Magdalena Stojanova nga Shkolla e Artit “Kolorit” në Pleven fitoi medaljen e artë dhe çmimin e Konkursit Ndërkombëtar për vizatim fëmijësh “Shëndeti 2025”. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në Sao Paulo, Brazil, në kuadër të..
Ministri i Mjedisit dhe Ujërave, Manoll Genov, shpalli të mbrojtura dy pemë shekullore, secila me moshë rreth 200 vjet, njoftuan nga institucioni. Njëra është e llojit brijë e bardhë (Ulmus laevis) me perimetër trungu 4,00 m dhe lartësi rreth 24..
Shqipëria dhe Bullgaria i kanë zgjatur dorën njëra-tjetrës në emër të lindjes së një jete të re. Në mbrëmjen e 7 nëntorit nisën për herë të parë kontrollet falas parandaluese në fushën e mjekësisë riprodhuese, të kryera nga specialistë bullgarë në qytetin..