Nën kryesinë e deputetit më të vjetër, dr. Sillvi Kirillov, deputetët e Legjislaturës së re të 47-të të Kuvendit Popullor të Bullgarisë u betuan se në të gjitha veprimet e tyre do të udhëhiqen nga interesat e popullit bullgar. Presidenti Rumen Radev iu drejtua kombit dhe deputetëve.
Bullgaria nuk mund të humbasë kohë historike
Shpresat për parlamentin e ri janë të mëdha, ka ardhur koha për një konsensus kombëtar, bëri thirrje Kreu i Shtetit në fjalimin e tij.
“Shoqëria jonë është ende në kërkim të një rrugëdaljeje nga statukuoja e korrupsionit, por tashmë i tha “jo” shtetit të pushtuar dhe rivendosjes së autoritarizmit”, shtoi ai.
“Nuk mund të humbasim kohë historike, as nuk mund t’i nënshtrohemi popullizmit dhe gënjeshtrës. "Nëse duam që ky parlament të jetë i qëndrueshëm dhe i dobishëm, ai duhet ta kthejë sundimin e ligjit në jetën publike," tha Radev. Ai u bëri thirrje ligjvënësve të ndërmarrin reforma dhe ndryshime ligjore të vonuara prej kohësh.
Partia “Po e vazhdojmë ndryshimin” kritikoi punën e politikanëve dhe deputetëve të deritanishëm
Në emër të forcës së parë politike në Kuvendin Popullor, Kirill Petkov iu drejtua deputetëve dhe qytetarëve bullgarë që jetojnë në Bullgari dhe jashtë saj – “Po e vazhdojmë ndryshimin”. Sipas Petkovit, deputetët e deritanishëm nuk e kanë kryer punën e tyre, vendi po përballet me shumë sfida dhe 2 milionë bullgarë kanë zgjedhur të largohen nga atdheu.
“Në çdo shesh ku takoheshim me votuesit tanë na thoshin: “Ju lutemi na ktheni të rinjtë”. Kandidati i ardhshëm për Kryeministër të Bullgarisë bëri thirrje që të ndalojnë lakmia, egoizmi dhe pakujdesia në vend dhe kërkoi që çdo deputet të bëhet pjesë e ndryshimit.”
Në 6 muajt e fundit, Bullgaria humbi shumë kohë politike
Në emër të koalicionit GERB-SDS, Desisllava Atanasova kujtoi se këtë vit dy parlamente të njëpasnjëshme nuk arritën të formojnë një qeveri. Kjo është arsyeja se pse votuesit ndëshkuan Parlamentin e ri me pjesëmarrje të ulët elektorale. Për këtë shkak, Parlamenti i ri nuk ka legjitimitet të mjaftueshëm, sipas forcës kryesore opozitare.
Atanasova kërkoi që energjia të mos harxhohet për sulme personale, fyerje dhe hakmarrje egoiste dhe këmbënguli që buxheti i shtetit të diskutohet dhe të miratohet deri në fund të vitit kalendarik.
Projektvendimi ynë i parë do të jetë për vendosjen e një moratoriumi mbi tërheqjen e një borxhi të ri të qeverisë deri në zgjedhjen e qeverisë së rregullt”, tha Atanasova.
Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë /DPS/ - partia e turqve etnikë bullgarë dhe myslimanëve të tjerë të vend, kritikoi ashpër zgjedhjet e zhvilluara për shkak të shkeljeve zgjedhore dhe represioneve të ndryshme.
Në emër të DPS, kryetari i partisë Mustafa Karadajë tha se do ta kujtojmë vitin me një cikël krizash dhe zgjedhjesh. Parlamenti i ri duhet të ndërpresë serinë e zgjedhjeve të parakohshme dhe të fillojë t’i zgjidhë krizat.
“Ata që nuk votuan na treguan se nuk duan të zgjedhin politikanë dhe parti që në vend që të zgjidhin problemet, merren me veten e tyre. Zgjedhësit votuan që partitë t'i japin fund krizës politike dhe të bashkohen rreth zgjidhjeve të zbatueshme të problemeve të tyre. Votuesit nuk ia dhanë pushtetin asnjë partie, por i obliguan deputetët të kërkojnë pëlqimin kombëtar, me fjalë të pakta - të rifillojnë dialogun”.
E majta premtoi të jetë një garant i stabilitetit të Bullgarisë
“BSP për Bullgarinë” hyn në këtë parlament me tre prioritete, bëri të ditur kryetarja e së majtës Kornelija Ninova.
“I pari është fillimi i një ndryshimi real të modelit aktual të qeverisjes, rivendosja e shtetit dhe e parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve. Ai i dytë ka të bëjë me kalimin e shtetit dhe të popullit bullgar nëpër krizat me kujdes për njerëzit nga ana e pushtetarëve. Së treti - një politikë e jashtme aktive pro-evropiane si partnerë të barabartë me shtetet e tjera anëtare të BE-së. miratim i përshpejtuar i Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë të Bullgarisë dhe përparim i programeve operative”, tha Ninova.
"Ka një popull të tillë" /ITN/ bëri thirrje për mirëkuptim, sjellje të denjë dhe zell.
Kombi duhet të ringjallet, tha Ljubomir Karimanski në një fjalim në Parlament në emër të partisë "Ka një popull të tillë".
“Kombinimi i njohurive dhe vlerave morale mund të çojë në realizimin e dëshirës sonë të madhe për të minimizuar korrupsionin dhe për vendosjen e një mënyre të re të jetesës, e cila t’u japë njerëzve një liri të vërtetë.
ITN do të bëjë çmos që të formohet një qeveri dhe Parlamenti ta mbarojë mandatin e tij”, premtoi Ljubomir Karimanski.
Bullgaria Demokratike bëri thirrje për reforma kushtetuese të gjyqësorit.
“Po shoh gjithnjë e më shumë njerëz që kërkojnë shtetin e së drejtës, ndoshta kjo do të thotë që të gjithë jemi gati për reformën në drejtësi. Jo për të hequr njerëzit e deritanishëm, por për të bërë ato ndryshime sistematike në drejtësi dhe në prokurori për ta modernizuar atë, që të jemi të sigurt se nuk do të kemi ligje vetëm në letër, por një drejtësi të vërtetë në dobi të të gjithë qytetarëve. Shpresoj që këtë herë të arrijmë ta bëjmë këtë” – vuri në dukje bashkëkryetari i “Bullgarisë Demokratike” Hristo Ivanov.
Partia nacionaliste “Vëzrazhdane” (“Ringjallja”) tha se i përfaqëson të gjithë bullgarët brenda dhe jashtë vendit.
Nga sot fillon të ecë mandati i fundit në të cilin Bullgaria mund të shtyhet nga fundi, tha në deklaratën e tij kryetari i partisë Kostadin Kostadinov.
"Një njeri i shtypur pas murit ka dy zgjedhje – të nënshtrohet ose të kundërshtojë. Ne nga partia “Vëzrazhdane” e zgjodhëm kundërshtimin. Jemi këtu për të thënë se nuk do të tolerojmë kufizimet dhe vaksinimin e detyrueshëm. Jemi këtu për t’i thënë “Jo” marrëveshjes së gjelbër”, tha lideri i grupit më të vogël parlamentar.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNESKryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut: Nuk do të devijojmë nga anëtarësimi në BE, por nuk do të pastrojmë këpucë Duke vlerësuar 100 ditët e para të kabinetit të tij, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski raportoi se qeveria ia ka..
Për momentin nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për vendin tonë nga përkeqësimi i mprehtë i mjedisit të sigurisë në Lindjen e Mesme - këtë konkluzion të mbledhjes tre orëshe të Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare ua bëri të ditur..
Me dy fluturime të Airbus-it qeveritar brenda dy ditësh, shteti bullgar arriti të evakuojë 169 bullgarë dhe anëtarë të familjeve të tyre që u kthyen në shtëpi nga Libani pas përshkallëzimit të tensioneve atje. 80 bullgarë të tjerë u evakuuan me..
Një maqedonasе bëhet zëvendëssekretarе е përgjithshmе е NATO-s Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte emëroi Radmila Shekerinska nga..