“Deri më tani nuk ka rrezik të drejtpërdrejt për Bullgarinë, por ne të gjithë paguajmë një çmim më të lartë për shkak të rrezikut të madh në bursat ndërkombëtare”, kështu e komentoi rritjen e çmimeve të energjisë Llëçezar Bogdanov, kryeekonomist në Institutin e Ekonomisë së Tregut. Sipas fjalëve të tij, pothuajse nuk ka investime bullgare në Rusi, kurse eksporti është pak nën gjysmë miliardë euro për vitin e kaluar.
Por çmimi që do të paguajë Ukraina do të jetë shumë i lartë, tha Bogdanov para Radio Bullgarisë:
“Në territorin e Ukrainës ka shkatërrime reale, ndaj problemet nuk kanë të bëjnë vetëm me tregtinë e vështirësuar dhe ndalimin e procesit të prodhimit, por me infrastrukturën e shkatërruar, ndërtesat etj., të cilat pas arritjes së paqes do të kërkonin shumë mjete. Sigurisht, nuk ka humbje të tilla të drejtpërdrejta në Rusi.”
Llëçezar Bogdanov theksoi se sanksionet tashmë po reflektohen në sistemin financiar rus dhe kjo po kalon në jetën e përditshme të bizneseve dhe qytetarëve rusë - nga zhvlerësimi i monedhës ruse deri te pamundësia për të eksportuar mjete jashtë vendit.
Në çfarë riorganizimi të ekonomive do të çojnë sanksionet kundër Rusisë për sa u përket lidhjeve tregtare midis Rusisë dhe Evropës?
“Evropa është e varur nga Rusia kryesisht për shkak të lëndëve të para të energjisë, veçanërisht të gazit natyror. Por megjithatë këtë dimër, varësia nga gazi natyror i Rusisë është 27.28% – gjë që do të thotë se kemi edhe një rënie nga disa vite më parë, kur pjesa e konsumit të gazit rus në BE ishte rreth 40%.
E kundërta, ekonomia ruse është shumë e varur nga mundësia për të shitur në Evropë. Ka shumë pak alternativa, veçanërisht për gazin natyror. Madje Kina nuk ka kapacitet për transferime. Por edhe kjo do ta lidhte gazin rus me një klient të vetëm dhe kjo përbën një rrezik politik për Rusinë”.
Cilat janë rreziqet ekonomike për Bullgarinë? Jemi dëshmitarë të rritjes së çmimeve të gazit natyror dhe naftës. A ka spekulime për luftën?
“Tani për tani nuk ka pezullim të furnizimeve nga Rusia për në Evropë. Sigurisht, ky është një vendim politik.Çmimi i naftës Brent është rritur në të gjitha bursat, ndërsa çmimi i gazit rus Ural ka rënë për shkak të refuzimit të shumë klientëve evropianë për ta blerë gazin rus.”
A do të ketë tronditje në turizëm?
“Në vitet e fundit turistët rusë dhe ata ukrainas përbëjnë midis 3 dhe 8% të numrit të përgjithshëm të turistëve.Domethënë, në total të dyja vendet kontribuojnë me 6,5 - 8% për fluksin turistik drejt Bullgarisë në baza vjetore.Kriza e Covid-it i reduktoi vizitat nga Rusia, kryesisht për shkak të kërkesave për certifikatat e gjelbra, testet etj.Pra, turizmi ka pësuar tashmë një tronditje për shkak të tkurrjes së turistëve rusë, tkurrje kjo që nuk është aq e madhe në krahasim me atë të ukrainasve.Pasojat do të jenë të rënda, por duhet të jemi realistë, turistët rusë dhe ukrainas janë vetëm 10% e fluksit total të turistëve të huaj në vendin tonë”.
Gati 1.5 milionë janë tashmë refugjatët në Evropë. Deri më 7 mars, në vendin tonë kanë hyrë 38 mijë shtetas ukrainas, mbi 60% prej tyre tranzit. A është Bullgaria gati ta përballojë këtë fluks të madh njerëzish për përmasat tona?
“Këtu ka një paradoks. Tashmë disa vite organizatat e biznesit janë duke kërkuar mënyra për të lehtësuar pritjen dhe aksesin e shtetasve të vendeve të treta. Ukraina është një nga vendet në tregun e punës nga ku mund të tërhiqen punëtorë. Aktualisht një pjesë prej refugjatëve ukrainas vijnë në Bullgari, por Bullgaria nuk është e përgatitur, madje pasi BE-ja vendosi t’u jepet refugjatëve status për azil të përkohshëm me të drejtë pune në mbarë BE-në. Procedurat tona, institucionet tona nuk janë ende gati – sikurse kjo i habiti. Është e nevojshme që shumë shpejt të ndryshohet puna e administratës dhe t’u jepet mundësi njerëzve që ikin nga lufta për ta ushtruar profesionin e tyre dhe të ndihen pjesë e ekonomisë bullgare.”
Flitet se ndikimi i përgjithshëm i krizës në afat të mesëm dhe afatgjatë do të jetë shumë më i madh. Çfarë do të thotë kjo?
“Lufta na bëri të kuptojmë se çfarë është çmimi i sigurisë. Deri tani njerëzit në Evropë jetonin me ndjenjën se siguria është diçka që e kemi në përgjithësi, se nuk duhet të harxhohen para që të mbrohemi nga agresioni dhe se nuk ka problem nëse furnizimet e energjisë janë të varura vetëm nga një furnizues i dominuar nga qeveria. Është e rëndësishme që Bullgaria të përfundojë shumë shpejt lidhjen e gazit me Greqinë, në mënyrë që të kemi një burim alternativ të gazit. Kjo është një nevojë urgjente.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNES
Bullgaria është në vendin e 52-të për sa i përket lirisë ekonomike në botë për vitin 2024, sipas sondazhit të fundit të Institutit Kanadez “Fraser”, njofton Instituti për Ekonominë e Tregut. Sondazhi mat shkallën e lirisë ekonomike në 165 vende të..
Inflacioni në vend u ngadalësua ndjeshëm në shtator në 1.2 për qind nga 2.1 për qind në gusht, duke arritur nivelin më të ulët që nga marsi 2021, treguan të dhënat nga Instituti Kombëtar i Statistikave. Krahasuar me muajin gusht, ka një deflacion prej..
Në muajin dhjetor, 1 miliard leva (500 milionë euro) do t'i drejtojmë komunave për investime në kuadër të Planit Strategjik për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Zonave Rurale 2023-2027, kështu tha ministri i bujqësisë, Georgi Tahov, para mbledhjes..
Pas publikimit në "Financial Times" se kompania ruse "Lukoil" po përgatitet t'i shesë rafinerinë në Burgas të Bullgarisë një konsorciumi kataro-britanik deri..