Deri në fund të muajit në Muzeun Etnografik Rajonal në Plovdiv do të paraqitet një koleksion interesant i etnologut Dr. Ilija Vëlev. Ekspozita “Kur djali bëhet burrë... Ushtria gjatë “atyre” 45 viteve” është rezultat i kërkimit të tij afatgjatë në lidhje me shërbimin ushtarak të rekrutimit që kanë kaluar djemtë pas përfundimit të shkollimit të tyre.
“Ekspozita tregon shërbimin ushtarak gjatë zhvillimit socialist të Bullgarisë ndërsa “ato” 45 vite janë periudha e socializmit – shpjegon Dr. Vëlev. - "Kur djali bëhet burrë..." na tregon se ekspozita paraqet edhe një proces mito-ritual mjaft interesant, sepse ushtria nuk është vetëm një akt rregullator shtetëror, por edhe një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e jetës së gjithë shoqërisë bullgare. Duke hyrë në ushtri, djali rritet, piqet dhe bëhet një burrë i vërtetë”.
Autori i librit “Pasionet rinore. Epoka e Burrave. Karakteristika etnokulturore e ushtrisë bullgare gjatë socializmit” ka ekspozuar uniformat dhe eksponatet më emblematike që kanë të bëjnë me jetën ushtarake, simbolet që lidhen me dërgimin e djalit në ushtri, sendet që përdoren në periudhën e ushtrisë etj.
“Janë ndjekur të gjitha momentet e rëndësishme, duke filluar nga përgatitja ushtarake, që ka qenë e detyrueshme për të gjithë të rinjtë dhe të rejat nga vitet 60 deri në fund të socializmit (1944-1989). Kufiri i parë, i cili është edhe pika kryesore e ekspozitës, është komisioni ushtarako-mjekësor, - thotë Dr. Ilija Vëlev për fazat e ndryshme. – Vazhdon një cikël shumë i gjatë dhe plot rite e zakone të dërgimit ushtarak, ku vend qendror zë mbrëmja e rekrutimit; 40 ditët e stërvitjes dhe betimi ushtarak që shënon fillimin e jetës së vërtetë ushtarake; jeta 700 ditore në ushtri. Dhe momenti i fundit jo vetëm ushtarak, por edhe social është lirimi nga ushtria.”
Ushtria në Bullgari ka ekzistuar praktikisht që nga Çlirimi (1878) - shërbimi i detyrueshëm ushtarak rregullohej më anë të Ligjit për Forcat Ushtarake të Principatës së Bullgarisë i krijuar në vitin 1881, deri në vitin 2008, kur përfundimisht mori fund rekrutimi i të rinjve në ushtri. Në vitin 1958 u miratua Ligji për Shërbimin Ushtarak Universal, i cili reduktoi dhe ndryshoi rregullat e periudhës së shërbimit ushtarak deri në fund të socializmit: 3 vjet për forcat detare dhe 2 vjet për të gjithë të tjerët.
“Ritualet e përcjelljes së ushtarëve në ushtri janë një moment, që zhvillohet prej kohësh në sistemin e traditave bullgare, i cili nëpërmjet socializmit ka marrë elemente të një feste jashtëzakonisht të bollshme – vazhdon Dr. Ilija Vëlev dhe shpjegon: – Në praktike, përcjellja është diçka si dasëm, por dasëm "shterpe", pa nuse. I riu shkon në ushtri, ku punon me armë dhe municione dhe mund të lëndohet. Dhe për shkak se në traditën bullgare dasma është një moment shumë i rëndësishëm, ata e “martojnë” djalin paraprakisht. Në fshatrat më të vegjël, bëhej një festë në të gjithë fshatin, ku mblidheshin 300 apo edhe më shumë njerëz. Në vitet 1970, qeveria socialiste u përpoq të parandalonte këtë shpërdorim fondesh, por familjet e zakonshme gjithsesi organizonin darka rekrutimi për fëmijët e tyre dhe i përcillnin siç duhej”.
Atje të rinjtë merrnin dhurata të ndryshme. Disa prej tyre ishin praktike dhe i shërbenin në ushtri – kanotiera, pece, pulovra, çorape, disa të tjera - thjesht të shtrenjta, si për shembull kamera, aparat fotografik, para, magnetofon. Por jo vetëm:
“Miqtë jepnin dhurata simbolike të tipit lepur, një tufë me karota ose një lakër, të cilat simbolizojnë ndrojtjen dhe ngathtësinë e djalit që hyn në një mjedis luftarak, siç është ushtria, si dhe opinga ose nallane për të pasur një rrugë të mbarë gjatë shërbimit - thotë Dr. Ilija Vëlev. – Të rinjve të sotëm do t’u duket interesante të shohin se ku kanë shërbyer dhe çfarë kanë bërë baballarët dhe gjyshërit e tyre. Ndërsa brezi i vjetër do të kujtojnë rininë e tyre."
Ekspozita u realizua me mbështetjen financiare të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Bullgarisë dhe Agjencisë ekzekutive “Klubet ushtarake dhe rekreacioni ushtarak”.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: Ilija Valev, Muzeu Etnografik Rajonal në Plovdiv
Arkeologët studiuan një nekropol në zonën Kavacite pranë qytetit bregdetar Sozopoll. Perimetri në të cilin ndodhet është pjesë e historisë së Apolonisë Pontika dhe daton në shekullin e IV-të para Krishtit. “Kjo është një zonë me varrime interesante,..
Më 10 nëntor 1989, në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bullgare (BKP), Todor Zhivkov u lirua nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm - posti më i lartë në parti dhe në shtet. Ajo që ndodhi në takim më vonë do të përkufizohej si një..
Arkeologët zbuluan një shishe qelqi shumë të rrallë dhe të vlefshme në një varr të shekullit të II-të në nekropolin jugor të kolonisë romake Deultum pranë fshatit Debellt /Bullgaria Juglindore/. Gjëja unike është se ajo përshkruan mitin e përbindëshit..