Kush dhe çfarë emri do të zgjedhë për fëmijën e tij të porsalindur është një çështje që prek jo vetëm familjen, por edhe shoqërinë tonë në tërësi, sepse sistemi i emërtimit është pjesë e kulturës dhe traditave tona.
Në të kaluarën, traditat e emërtimit të fëmijëve ndiqeshin rreptësishtë nga shoqëria jonë patriarkale. Sipas tyre, fëmijës së parë duhej t'i vihej emri i babait të djalit dhe nëse është vajzë, emri i nënës. Në rast lindjeje të fëmijës në festën e një shenjtori, ai merrte emrin e tij. Fëmijët nuk merrnin emrin e një të afërmi të vdekur nëse ai kishte vdekur shumë i ri. Në të kaluarën ka pasur edhe një praktikë kurioze – nëse në një familje lindnin vetëm vajza, fillonin t'i emërtonin Dosta, Stiga (mjaft) etj., për ta bindur Zotin që të mos i dërgonte vetëm femra. Nëse në një familje të caktuar vdisnin shumë fëmijë, të porsalindurit i zgjidhej një emër i shëmtuar, si Çernjo (i zi), Grozjo (i shëmtuar), për t'i larguar forcat e liga.
Emrat tradicionalë bullgarë janë me origjinë sllave ose protobullgare, ka edhe të tillë që lidhen me fenë e krishterë. Por këto ditë globalizimi ka kthyer përmbys traditat e emërtimit.
“Në ditët e sotme, situata është krejtësisht ndryshe – thotë Prof. Dr. e Shkencave Anna Çoleva-Dimitrova nga Instituti i Gjuhës Bullgare në Akademinë Bullgare të Shkencave. - Së pari, ka krizë demografike. Dhe meqenëse gjithnjë e më shpesh në familje ka vetëm një fëmijë, është vështirë të merret vendim se si të quhet fëmija, që të mos ofendohen të afërmit. Përveç kësaj, ne jemi në vendet e para për sa i përket bashkëjetesës pa martesë në Evropë. Kështu të rinjtë ndihen të çliruar nga tradita e emërtimit të fëmijëve me emrat e gjyshërve. U shfaqën moda të tjera. Ato e shtypin dëshirën për të vazhduar mbiemrin, në të njëjtën kohë ka edhe shumë bullgarë që jetojnë jashtë vendit. Atje ata përputhen me normat dhe ndikimet e vendosura. Hulumtimet tona të viteve të fundit tregojnë se 20-30% e traditës respektohet në vendin tonë, ndërsa emrat e huaj që po përhapen janë midis 30-40%.
Tendenca është të kërkojmë forma të huaja të emrave tanë. Kështu Hristo u bë Kristian, Todor u bë Teodor, Nikolinka u bë Nikol, Stefka u bë Stefani, Dobrinka - Dolores etj. Ndërkaq, në modë erdhën versionet më të vjetra të emrave, si Joan dhe Joana në vend të Ivan dhe Ivanka etj. Sot vështirë se do të takoni një të ri që quhet Tonço, Genko, Jordanka, Sijka etj. Disa nga emrat e zakonshëm femëror deri në fund të shekullit të 20-të, si Maria, Elena apo Borjana, gradualisht “i dëbojnë” emrat e huaj, si Nikol, Sofia, Aleksandra, Gabriela etj.
Por kur bëhet fjalë për foshnjat mashkullore, bullgari ende zgjedh traditën, duke preferuar emra bullgarë. Megjithëkëtë, nuk mbetemi jashtë tendencave të modës. Kohët e fundit zgjidhen emrat e sundimtarëve bullgarë, si Kallojan, Ivan-Aleksandër, Boris, etj. Nganjëherë fantazia e bullgarëve në zgjedhjen e emrit të fëmijëve të tyre arrin lartësi të paparashikueshme:
“Kreativiteti është shumë më i madh në zgjedhjen e emrave të femrave - thotë Prof. Çoleva-Dimitrova. – Kështu tashmë ka emra si Kristijandra, Oda, Millozara, Devajlla... Prindërit duhet të na shpjegojnë se çfarë kanë pasur në mendje. Këta mund të jenë emra me shkronjat e para të gjyshes ose gjyshit, ose të përbërë nga dy emra. Për shembull, Dejamira ose Emima. Emra kaq kuriozë ka pasur gjithmonë, sidomos sot, kur familjet kanë gjithnjë e më pak fëmijë dhe duan që emri i fëmijës të jetë i veçantë. Ekziston edhe një tendencë për emra sa më të shkurtër, si Teja, Nija, Mija. ..
Një emër shumë i njohur është, për shembull, Aja, dhe madje kishte një emër me vetëm një shkronjë bullgare "Я" /"Ja"/.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: pixabay, pexels
Në vitin 2032, Bullgaria dhe Danimarka do të zgjedhin qytetet e tyre për titullin "Kryeqyteti Evropian i Kulturës ". Procedura do të fillojë në vitin 2026, kur të dy vendet do të ftojnë zyrtarisht qytetet e tyre për të përgatitur ofertat. Kandidatët..
Në vitin 2024 ka 16 268 bullgarë të rinj, sipas raportit të komisionit nën nënpresidenten Ilijana Jotova për vitin e kaluar. Pra, për herë të parë në 4 vitet e fundit numri i personave të cilëve u është dhënë shtetësia bullgare kalon 16 000 veta. Kjo la..
Pas afro 80 vjetësh, në Bullgari u formua një koloni e re fole e pelikanit të rrezikuar dalmat. Zogjtë pushtuan ishujt artificialë të ndërtuar nga Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Zogjve në zonën e " Kompleksit Mandra-Poda " pranë Burgasit. Ky është..
Më 16 shkurt Radio Bullgaria feston 89 vjetorin e saj. Gjatë gjithë këtyre viteve, media jonë shumëgjuhëshe ka qenë jo vetëm një kanal informacioni, por ka..
Më 16 shkurt 2025 bëhen 127 vjet nga botimi i buletinit të parë të Agjencisë Telegrafike Bullgare (BTA), të nënshkruar nga drejtori i parë i saj Oskar..