Ata u takuan 20 vjet më parë në një park belg skulpturash me rërë. Ai po krijonte një perëndi prej 19 metrash, ndërsa ngjitur me të ajo po krijonte një perëndeshë rëre. Shikimet e tyre takohen dhe ata e kuptojnë se janë shpirtra binjakë. Që atëherë janë të pandashëm. Remy dhe Paul Hoggard janë ndër artistët e angazhuar profesionalisht në skulpturën e rërës. Angazhimet janë të shumta. Deri më sot, tandemi i artit ka vizituar mbi 30 shtete.
Ai është anglez, ajo holandeze, por ata zgjedhin të jetojnë në Bullgari. Ata kanë një shtëpi dhe tokë këtu. Kur nuk krijojnë mrekulli nga rëra, ata kujdesen për fermën e tyre në fshatin Mihajllovo të rrethit të Stara Zagorës.
Ata flasin mirë bullgarisht dhe pohojnë se Bullgaria është shtëpia e tyre, vendi ku kthehen gjithmonë për të "karikuar bateritë". Pauli pranon se pandemia e Covid-it dhe izolimi gjatë karantinës i bënë të rimendojnë stilin e tyre të jetesës:
“E vetmja mënyrë për të ndihmuar veten është të ndihmosh të tjerët. Kështu një ditë, gjatë pandemisë, shkuam në plazh në Burgas dhe filluam të bënim skulptura me rërë, vetëm për të sjellë buzëqeshje në fytyrat e njerëzve. Dhe ata iu përgjigjën me dashuri artit tonë. Kjo na bëri të ndiheshim shumë më mirë. Tani ajo energji vazhdon të na motivojë ne dhe publikun tonë dhe është si një ilaç për shpirtin. Prandaj jemi ende në plazhin e Burgasit, duam të vazhdojmë të krijojmë skulptura dhe art në Bullgari”-thotë Paul.
Tandemi i artit, i cili ka krijuar mijëra skulptura me rërë në të gjithë botën dhe ka fituar miratimin e Mbretëreshës së Anglisë, frymëzohet nga jeta në Bullgari. “Dhe kur njihesh në një histori dhe kulturë kaq të pasur, duhet ta nderosh, ta ndash me të tjerët dhe ta promovosh”, thotë Paul.
Së fundmi, me rastin e 150 vjetorit të vdekjes së Vasill Levskit, skulptorët përshëndetën qytetarët e Burgasit me një fytyrë madhështore prej rëre të Apostullit. “Për Levskin mësuam pasi pamë të gjitha këto rrugë me emrin e tij dhe monumentet nëpër parqe. Ne studiuam jetën e tij dhe zbuluam se ai është shumë I rëndësishëm për bullgarët, ata e adhurojnë pothuajse sa ... Krishtin! Kjo është arsyeja pse ne vendosëm t'i bëjmë ata të lumtur”, thotë Remy. Reagimet ishin të pabesueshme – duke filluar nga fëmijët dhe deri tek të rriturit, të gjithë e njohën skulpturën e tij prej rëre në plazhin e Burgasit dhe u prekën, madje disa derdhën edhe lot. Ka akoma:
“Këtë vit në ditën e hedhjes së kryqit në ujin e detit në plazhin e Burgasit /me rastin e ditës së Ujit të Bekuar/ Ne krijuam një kryq të madh në plazh dhe patëm shumë reagime. Për ditën e Shën Valentinit, ne formuam zemra të mëdha dhe njerëzit vinin për të bërë foto duke u përqafuar. Pastaj ndërtuam fytyrën e Levskit dhe më pas vendosëm të kënaqim banorët e Burgasit me verore prej rëre me rastin e festës së Gjyshe Martës. Verorja është diçka që nuk e kemi parë askund tjetër në botë. Është kaq e bukur, dhe simbolikisht rikrijon figurën mashkullore dhe femërore të ndërthurura në një lloj përqafimi!'
Remy dhe Paul kanë një ëndërr - të krijojnë një Muze të skulpturave të rërës, si dhe një akademi rëre në Bullgari, ku do të zhvillojnë seminare për fëmijë dhe adoleshentë dhe do t'i shëndërrojnë në skulptorët e ardhshëm të rërës. “Dua t’i përkushtohem tërësisht skulpturës, por edhe t’ua përcjell brezave të ardhshëm”, pranon Paul dhe e mbyll duke thënë:
“Unë nuk kam lindur në Bullgari, por bullgarët janë vëllezërit dhe motrat e mia dhe kam ndërmend të qëndroj këtu, me popullin bullgar. Adhuroj kulturën, malet, detin, gjithë peizazhin bullgar. Dhe jo, nuk ka asgjë që nuk më pëlqen në Bullgari!”.
Foto dhe video: Remy dhe Paul Hoggard
Kurioziteti për botën përreth nesh dhe një dëshirë e pandërprerë për të ecur përpara dhe për të kuptuar se çfarë fshihet pas çdo hapi të ri dhe përparimi në shkencë - ky është filli kryesor i përparimit për një shkencëtar shumë të ri në Bullgari...
Si në shumë vende të tjera nëpër botë, edhe në Shqipëri gjuha bullgare studiohet në mënyrë akademike. Lektorati jonë është pjesë e Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe prej disa..
Pas Çlirimit të Bullgarisë në vitin 1878, vendi ynë filloi të zhvillohet me ritme të shpejta për të kompensuar mungesën pesëshekullore nga harta historike e botës. Të rinjtë bullgarë diplomoheshin në universitete prestigjioze evropiane dhe ktheheshin..