Ka rreth 90 milionë persona me aftësi të kufizuara në BE, të cilët përballen me vështirësi të ndryshme kur u duhet të udhëtojnë ose të lëvizin për të jetuar në një vend tjetër evropian. Për të siguruar akses të barabartë dhe të lehtë në shërbimet dhe mbështetjen që ata kanë nevojë, pavarësisht se në cilin nga 27 shtetet anëtare ndodhen, KE propozoi futjen e një karte evropiane për personat me aftësi të kufizuara, e cila do të bënte të mundur njohjen reciproke të statusit të tyre ndërmjet vendeve. Pak ditë më parë përfundoi konsultimi brenda BE-së për prezantimin e saj të ardhshëm, në mënyrë që KE të ketë garanci se karta për personat me aftësi të kufizuara do t'i plotësojë nevojat e tyre në mënyrën më të mirë.
Prej 7 vitesh, Komisioni Evropian ka punuar me personat me aftësi të kufizuara dhe avokatët e tyre për të testuar kartën evropiane për persona me aftësi të kufizuara. Që nga viti 2016, tetë vende anëtare - Belgjika, Qiproja, Estonia, Finlanda, Italia, Malta, Rumania dhe Sllovenia - marrin pjesë në projektin pilot dhe e përdorin me sukses dokumentin si një sistem vullnetar për njohjen reciproke të statusit të personave me aftësi të kufizuara dhe të llojeve të mbështetjes publike, kryesisht në fushën e kulturës, kohës së lirë, sportit dhe transportit. Karta është falas, e lehtë për t'u lëshuar dhe i siguron mbajtësit të saj një sërë të drejtash dhe privilegjesh që janë lehtësuar suplementarisht me aplikacionet celulare.
Nisma e rëndësishme është pjesë e politikës së përgjithshme për të drejta të barabarta të njerëzve të pafavorizuar. Institucionet evropiane janë të përkushtuara fuqishëm për ndërtimin e një bashkimi të barazisë. Komisionerja Evropiane për Barazi Helena Dalli apelon për një mjedis të aksesueshëm dhe të përgjegjshëm për personat me aftësi të kufizuara:
“Qasshmëria është një element kyç i jetesës së pavarur, sepse u lejon personave me aftësi të kufizuara të lëvizin lirshëm, të kenë akses në informacion dhe të shijojnë mundësitë që ofrojnë komunitetet e tyre. Komisioni Evropian do t'u ofrojë ndihmë shteteve anëtare për të miratuar legjislacionin e aksesueshmërisë dhe për të zhvilluar dhe shkëmbyer praktika të mira. Një nismë e rëndësishme është karta evropiane për personat me aftësi të kufizuara. Komisioni do të prezantojë një projektligj deri në fund të këtij viti. Vlerësimi i ndikimit do të na lejojë të përcaktojmë se cili do të jetë fushëveprimi i hartës dhe lloji i aktit ligjor që do ta zbatojë atë në praktikë në të gjitha vendet anëtare të BE-së”.
Komisioni Evropian e ka vlerësuar projektin pilot me futjen e kartës evropiane për personat me aftësi të kufizuara dhe është më se pozitiv. Në bazë të këtij vlerësimi, Parlamenti Evropian pret që deri në fund të vitit KE të propozojë parametrat e dokumentit, të cilat do të zbatohen në të gjithë BE-në, vë në dukje eurodeputetja bullgare nga "Rinovo Evropën" Atixhe Alieva-Veli - anëtare e Komisionit për Punësim dhe Çështje Sociale në PE, duke saktësuar:
“Së pari, në propozimin legjislativ të KE-së do të ketë një afat për vënien në fuqi të këtyre dispozitave. Nuk mund të komentojmë ende pasi nuk e kemi parë vetë propozimin. Nga ana tjetër, në nivel kombëtar desha të theksoj se ajo që pritet është që kjo kartë të mos cenojë rregullat kombëtare, d.m.th. shtetet do të ruajnë të drejtën për të vendosur se kush u përgjigjet kushteve për të mare një kartë. Karta së shpejti duhet të njihet edhe nga vendet e tjera të BE-së, sepse aktualisht nuk ka njohje reciproke të statusit të personave me aftësi të kufizuara ndërmjet shteteve anëtare”.
Eurodeputetja Atixhe Alieva-Veli shprehu pritjet e saj se në rast të një vendimi legjislativ në nivel evropian, Bullgaria duhet të ketë një proces të përshpejtuar për futjen e kartës evropiane për personat me aftësi të kufizuara, e cila do të përmirësojë jetën e personave me aftësi të kufizuara.
Në një përgjigje me shkrim drejtuar BNR-së, Drejtoria “Politika për Personat me Aftësi të Kufizuara, Mundësi të Barabarta dhe Ndihmë Sociale” e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale bën me dije se në këtë fazë nuk ka një projekt-procedurë për lëshimin e kartës evropiane për shtetasit bullgarë.
Mendimi i përgjithshëm në vendin tonë është se Bullgaria mbetet prapa në politikat për akses të barabartë për personat me aftësi të kufizuara. Ekspertët raportojnë një sërë arsyesh për politikën e vonuar shtetërore dhe mungesën e fokusit në zgjidhjen e problemeve të tyre. Në vazhdimësi të temës, kërkojmë komentin e Minço Korallskit, ish-ministër i punës dhe politikës sociale dhe ish-kryetar i Agjencisë për Personat me Aftësi të Kufizuara, e cila ende ka statusin e Agjencisë Ekzekutive në varësi të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.
Z. Koralski, gjendja e integritetit të personave me aftësi të kufizuara në vende të veçanta evropiane është shumë e ndryshme. A ndani mendimin e përgjithshëm se vendi ynë u ka borxh personave me aftësi të kufizuara?
“Patjetër besoj se politika ndaj personave me aftësi të kufizuara është larg asaj që është e dëshiruar dhe në këtë kuptim mendoj se ka ende shumë për të bërë, sepse personat me aftësi të kufizuara nuk janë prioritet për asnjë departament. Ata nuk janë prioritet as i shëndetësisë, as i arsimit, kulturës dhe sportit, nuk janë prioritet i Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nuk po them se ata nuk janë prioritet i bashkive dhe i shtetit, kur bëhet fjalë për sigurimin e një mjedisi të aksesueshëm, për dizajnin famëkeq universal, që është një filozofi kryesore, kur bëhet fjalë për personat me aftësi të kufizuara. Kam parë shumë raporte të pakuptimta se sa vende parkimi paska bërë dikush, por nuk kam parë se çfarë duhet bërë për jetën e një personi me aftësi të kufizuara që nga lindja deri në vdekjen e tij” .
Ju keni përshtypje nga vendet e tjera anëtare, çfarë mendoni se nuk ka arritur të bëjë vendi ynë gjatë gjithë këtyre viteve, veçanërisht si anëtar i BE-së?
“Nuk arrin ta bëjë politikën për personat me aftësi të kufizuara një politikë udhëheqëse. Në vitin 2018 u miratua një ligj për personat me aftësi të kufizuara, sipas të cilit tashmë duhej të ishte krijuar një Agjenci Shtetërore për Personat me Aftësi të Kufizuara për të kryer dhe koordinuar politikën për personat me aftësi të kufizuara, për të prezantuar praktikat më të fundit dhe më moderne në këtë fushë. Praktikisht pas vitit 2018 nuk ka ndodhur thuajse asgjë dhe kjo agjenci shtetërore edhe pse ka detyrime me ligj, ende nuk është krijuar”.
Z. Korallski, KE po propozon futjen e një karte evropiane për personat me aftësi të kufizuara për të mundësuar njohjen reciproke të statusit të tyre ndërmjet vendeve anëtare të BE-së dhe tashmë ekziston një projekt pilot i cili filloi në vitin 2016. A mundet presioni evropian për të përshpejtuar futjen e një karte evropiane për personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë dhe çfarë do të thotë posedimi i këtij dokumenti për një shtetas bullgar me aftësi të kufizuara?
“Gjatë viteve të kaluara kemi bërë prova për të krijuar një kartë të ngjashme, duke u mbështetur te përvoja e vendeve të tjera. Në rast se ka një kartë të tillë evropiane, ajo duhet t’i zgjidhë problemet e mëposhtme. Së pari, duhet të identifikojë personin me aftësi të kufizuara. Bullgaria i ka të gjitha parakushtet që kjo të ndodhë. Ne kemi ndërtuar, siç e dini, një sistem informacioni që identifikon personat me aftësi të kufizuara, d.m.th. ne kemi bazën e informacionit mbi të cilën të krijohet kjo kartë, por e përsëris, që të ndodhë e gjithë kjo, politika për personat me aftësi të kufizuara duhet të bëhet prioriteti dhe përgjegjësia e institucionit, që sipas ligjit duhet të jetë Agjencia Shtetërore për Personat me Aftësi të Kufizuara."
A munden personat që janë në listën e sistemit “Komisionet mjekësore të ekspertëve territorialë” (i ashtuquajturi TELK) të marrin automatikisht kartën evropiane për personat me aftësi të kufizuara, apo na duhet një procedurë shtesë për të kontrolluar njerëzit që të bëhen mbajtës të këtij dokumenti?
“Më duhet të pranoj se në praktikë nuk jam plotësisht në dijeni të kërkesave dhe kushteve për lëshimin e një karte të tillë, por përvoja sugjeron që një e drejtë e tillë universale për të lëshuar një kartë nuk ekziston. Njeriu duhet të identifikohet gjithmonë me aftësitë e kufizuara që ka, sepse varet nëse personi është me shikim të dëmtuar, me dëgjim të dëmtuar, me lëvizshmëri të dëmtuar. Nuk mund të shpërndajmë dokumente për personat me aftësi të kufizuara në baza universale,si pulla për taksë rrugore për shembull - jo, nuk funksionon kështu. Në praktikë, çdo politikë duhet të kompensojë deficitet dhe të mos jetë thjesht një lloj gjesti ndaj personave me aftësi të kufizuara”.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Rezultatet e referendumit për anëtarësimin e Moldavisë në BE, si një qëllim strategjik për t'u shkruar në kushtetutën e vendit, përforcuan pikëpamjen pro-evropiane të vendit, edhe pse me një dallim shumë të vogël nga euroskeptikët. Mirëpo, pritet..
Ambasada e Francës dhe Instituti Francez në Bullgari, në partneritet me Institutin Polar Francez "Paul-Emile Victor", Institutin Antarktik Bullgar, Universitetin e Sofjes "Shën Kliment Ohridski" dhe Televizionin Kombëtar Bullgar organizojnë një takim..
Bullgarët e Besarabisë janë "pjesë e pandashme e fuqisë kombëtare bullgare, e bashkësisë shpirtërore dhe kulturore bullgare. Ata do të mbeten sepse lidhja mes nesh dhe tyre është e pathyeshme" - shkroi numri i vetëm i gazetës "Besarabia Bullgare",..