Histori nga e kaluara, por personale, të treguara në vetën e parë. Pamje nga përditshmëria e njerëzve të thjeshtë, por edhe nga festat, pushimet e deri edhe nga udhëtimet jashtë vendit. Projekti „Kinoklub Super 8” na bën ta shohim shekullin e 20-të përmes prizmit të kinemasë dokumentare shtëpiake. Filmat amatore të xhiruar nga bashkatdhetarët tanë kanë fiksuar jetën në Bullgari nga vitet 1930 deri në fund të viteve 1980. Një tjetër grup entuziastësh mbledhin kasetat e vjetra, i restaurojnë dhe i dixhitalizojnë. Më pas i ngarkojnë në YouTube dhe kështu, këto foto nga historia më e re e Bullgarisë, bëhen pjesë e hapësirës dixhitale botërore dhe rrjedhimisht e kujtesës kolektive.
Regjisorja Neda Millanova është bashkëthemeluese e projektit, së bashku me 3 persona të tjerë që merren me kinema apo fotografi dhe janë të apasionuar pas filmave të vjetër amator.
Kështu lindi ideja për të krijuar një arkiv me role filmash në format 8 dhe 16 mm, si dhe nga të ashtuquajturat shirita Super 8 mm.
„Synimi ynë është t'i mbledhim në një vend, pasi jemi të bindur se janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe për momentin nuk ka asnjë arkiv tjetër me përmbajtje të ngjashme. Ne i dixhitalizojmë për të arritur tek njerëzit - shpjegon Neda Millanova për Radio Bullgarinë dhe shton: - Kasetat tona më të vjetra janë të vitit 1932 - janë vetëm tre të tilla. Ato janë filmuar jashtë Sofjes. Pamjet janë nga Hisarja dhe Bansko. Ato tregojnë jetën e fshatit, ka vjelje rrushi, shëtitje buzë lumit. Dhe është shumë interesante të shohësh se si visheshin njerëzit, si jetonin…“
Koleksioni „Kinoklub Super 8“ tashmë përfshin mbi 200 filma arkivorë të siguruar nga donatorët. Një udhëtim në fshat me makinën familjare „Lada“, pamje nga Deti i Zi bullgar para se të pushtohej nga betoni, një manifestim në Sofje me rastin e 9 majit, një grua e re duke prerë flokët në banjë, një burrë që ironizon kreun e shtetit Todor Zhivkov në tryezën e Vitit të Ri. Çfarë zbulojnë këto foto të heshtura dhe vezulluese të një epoke që po zbehet gjithnjë e më shumë në kujtimet tona?
Shikoni videon me pamje nga jeta e adoleshentëve në Bullgari në vitet '70:
Rezulton se përveç kasetave dokumentare, në arkivin e "Kinoklubit Super 8" gjenden edhe filma artistikë amatore të xhiruar nga entuziastë që kanë vënë gjithë krijimtarinë dhe sinqeritetin e tyre në punën e bërë në shtëpi.:
„Më interesante për mua personalisht janë këto përpjekje për kinemanë eksperimentale nga të apasionuarit e filmit. Për shembull, në shtëpi, adoleshentët përpiqen të xhirojnë filmin e tyre artistik, duke bërë titrat e tyre, duke treguar në fund të kasetës se kush është regjisori, kush është shkrimtari etj. dhe ka një sinqeritet të madh në to“, thotë Neda Millanova.
Ajo pranon se ndihet si një detektiv kur një kasetë e re vjen në duart e saj, sepse ajo kurrë nuk e di se çfarë mban në dorë. Së bashku me kolegët e saj, ata organizojnë shfaqje publike të kasetave shtëpiake me idenë për t'i prezantuar njerëzit me historitë personale të patreguara të së kaluarës. Klubi i kinemasë është pjesë e organizatës ndërkombëtare Inedits, e cila bashkon krijuesit në përpjekjet e tyre për të ruajtur dhe shpërndarë kinemanë amatore arkivore në Evropë.
Lexoni më tepër:
Foto: „Kinoklub Super 8“
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë herë rasti është një ekspozitë e veçantë që shfaq vizatime të fëmijëve të frymëzuar nga natyra...
Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..
Kur një person ecën nëpër Montana dhe Bellogradçik, herët a vonë ai do të ndeshet me kabinat elektrike të lyera me ndjenjën e gëzimit dhe pastërtisë, që duket sikur burojnë nga fëmijëria. Dhe për një çast të vetëm ai do ta gjejë veten në një oaz të..