Në shkurt të këtij viti u mbushën 150 vjet nga vdekja e njërit prej bullgarëve më të mëdhenj, i cili e sakrifikoi jetën për lirinë e atdheut - Vasill Levski. Dhe sot, më 18 korrik, kur kremtojmë lindjen e tij, përsëri gjejmë arsye të mendojmë nëse dimë mjaftueshëm për Apostullin e Lirisë. Gjatë jetës së tij të shkurtër, sepse vdiq kur ishte mezi 35 vjeçar, Vasill Levski la gjurmë fjalë për fjalë në çdo cep të Bullgarisë. Është e mahnitshme se si edhe sot e kësaj dite në qytete dhe fshatra, vendet ku ai qëndronte dhe mblidhte bashkëmendimtarët e tij, ruhen si shenjtëri.
Shumica e tyre janë shtëpi të bukura nga koha e Rilindjes Kombëtaree Bullgare, ku gjeti strehë Levski, i cili kërkohej dhe persekutohej si armik i gjithë Perandorisë Osmane. Në shumicën e këtyre shtëpive, sot të kthyera në monumente kulture, gjejmë një hyrje dhe një strehë të fshehta, të cilat duket se flasin vetë për ngjarjet dramatike para Çlirimit. Në lagjen “Benkovski” të kryeqytetit, gjejmë edhe një nga këto vende, që i dha strehë Apostullit gjatë qëndrimit të tij në Sofje, ku ai formoi një komitet revolucionar lokal.
Është kureshtare që në këtë shtëpi, në fshatin e atëhershëm Birimirci, e sot lagje “Benkovski” të Sofjes, në vitin 1871 mbërriti Vasill Levski për të kaluar natën te pronari i saj - Vele Mitrov. Atje, së bashku me mikun e tij At Genadij Ihtimanski - igumen i manastirit në fshatin Dragallevci, ai mblodhi fshatarë patriotë nga Birimirci dhe Obradovci dhe themeloi komitetin sekret revolucionar të Birimircit. Sot, shtëpia strehon një koleksion muzeor që mban frymën e shekujve ХVІІІ dhe ХІХ.
Ndërtesa është njëkatëshe, me një shpërndarje karakteristike për mënyrën e jetesës rurale bullgare të asaj periudhe. Forma është drejtkëndore, e përbërë nga dy dhoma kalimtare, me të njëjtën sipërfaqe. Në dhomën e ndenjes hyhet nga dera e përparme. Çatia është me strukturë mbajtëse prej druri.Vetë objekti në rrugën “Vele Mitrov” nr.8 ka ngjallur gjithmonë interes tek kalimtarët, pasi sipas disa studiuesve është е vetmja godinë banimi e ndërtuar para çlirimit e ruajtur deri më sot në kryeqytet.
Për shumë vite ky objekt mbeti i paarritshëm për vizitorët për shkak të mungesës së fondeve për forcimin dhe restaurimin. Pak kohë më parë, Këshilli Bashkiak Metropolitan vendosi të ndajë rreth 200 000 leva për riparimin dhe restaurimin e tij. Puna nuk u vonua, por restaurimi i objektit të shekullit të ХVІІІ-të doli të jetë një detyrë e vështirë, sepse sot mungojnë materialet që përdoreshin në ndërtim në atë kohë. U desh të kërkoheshin tjegulla të vjetra të ruajtura për çatinë dhe balta e veçantë me të cilën në atë kohë suvatohej dyshemeja në ndërtesat e banimit.
Sot, falë edhe donacioneve personale të banorëve të rajonit, shtëpia tashmë u shndërrua në formën në të cilën ishte kur Levski vinte këtu për çështjet e revolucionit. Tani, në ditën e 186-vjetorit të lindjes së tij, ajo hap dyert për të gjithë ata që dëshirojnë të zhyten në historinë e lidhur me Apostullin dhe veprën e tij.
“Shpresoj se do të arrijmë ta bëjmë pjesë të Muzeut të Sofjes dhe të përfshihet në atraksionet turistike të kryeqytetit – tha kryetari i rajonit “Serdika”, Todor Krëstev, në një intervistë për Radio Bullgarinë. - Shtëpia është shumë e vlefshme sepse në të ndodhej i vetmi Komitet Revolucionar i themeluar nga Levski në Sofje. Synimi ynë është që më shumë njerëz të dinë për të. Gjithashtu shpresojmë që nga vjeshta shtëpia të vizitohet nga grupe nxënësish nga shkolla të ndryshme në Sofje, pse jo edhe në vend. Shtëpia-muze e Vasill Levskit në lagjen “Benkovski” ka një oborr shumë të bukur, me një çezmë të lashtë dhe një gardh solid të restauruar. Këtu do të zhvillohet edhe një lloj shëtitjeje historike, veçanërisht e vlefshme për nxënësit. Ne do të organizojmë kuize për ta, dhe qëllimi është ta bëjmë këtë objekt të njohur dhe tërheqës, veçanërisht për të rinjtë në Sofje.”
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: Bashkia e Sofjes
Më 26 tetor, Kisha jonë nderon kujtimin e Shën Dëshmorit të Madh Dhimitri të Selanikut, i konsideruar si një nga shenjtorët më të mëdhenj të Ortodoksisë. Në vendin tonë emri i tij lidhet edhe me rivendosjen e Mbretërisë së Dytë Bullgare në shekullin..
Gjatë gërmimeve të fundit arkeologjike në qytetin shkëmbor Perperikon, u zbulua varri i një të ndjeri, me rituale kundër vampirëve të kryera në trup, tha për BTA kreu i hulumtimeve, Prof. Nikollaj Ovçarov. Gjetja shfaqet mes pothuajse 250 varreve dhe..
Shkrimtar, hero i Luftës së Dytë Botërore, aviator, gazetar, regjisor dhe diplomat - personaliteti i Romain Gary (1914-1980) është shumështresor dhe enigmatik. Dhe Bullgaria zë një vend të veçantë në jetën dhe veprën e një prej autorëve francezë më të..
Revolucionari i madh Ljuben Karavellov (1834-1879), shkrimtar dhe publicist i Rilindjes sonë, ka lënë një gjurmë të thellë në letërsinë bullgare si prozator,..