Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Gratë dhe simbolet e Bashkimit

Dy gra janë të lidhura pazgjidhshmërisht në mendjet e bullgarëve me një nga datat më të rëndësishme në historinë tonë – Bashkimin e Rumelisë Lindore me Principatën e Bullgarisë më 6 shtator 1885. Dhe ndërsa në betejat e tjera çlirimtare zonjat duket se mbeten në sfond, këtu Nedjallka Shileva dhe Ekaterina Karavellova zënë një nga vendet qendrore.

“Dy femrat u përfshinë në Bashkim me raste të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në kohë të ndryshme, por në fakt ato janë njohur shumë mirë, sepse Ekaterina Karavellova, e cila është nga Ruse, i ka dhënë mësim Nedjallka Shilevës në shkollën e mesme të vajzave të Plovdivit, thotë Rumjana Doneva, kuratore në Muzeun Historik Rajonal në Plovdiv. – Ndërsa Nedjallka është e lidhur me përgatitjen, shpalljen dhe ekzekutimin e Bashkimit, Katerina luajti rolin e saj në pjesën e dytë të tij – në mbrojtjen e tij gjatë Luftës Serbo-Bullgare në vjeshtën e vitit 1885.

                                                            Ekaterina Karavellova


Në atë kohë, 25-vjeçarja Ekaterina Karavellova ishte gruaja dhe sekretarja e kryeministrit bullgar Petko Karavellov, i cili ishte shef i kabinetit në Principatën e Bullgarisë gjatë ngjarjes së madhe politike – Bashkimit të dy pjesëve kryesore të Tokave bullgare me një sipërfaqe totale prej 96.345 km2 dhe një popullsi prej 3.150.000 banorësh. "Burri i shtetit në hije", siç e quajnë Katerinën, kujdesej për punët e të shoqit, organizonte takime ministrash, komunikonte me konsujt dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, udhëtonte nëpër Sofje dhe nuk e fshihte entuziazmin dhe besimin e saj se drejtësia do të mbizotërojë dhe gjithçka do të jetë në dobi të bullgarëve.

                                                              Nedjallka Shileva


Nedjallka Shileva ishte e fejuara e ushtarakut nga Lufta Ruso-Turke (1877-1878) Prodan Tishkov, i njohur si Çardafoni i Madh, dhe vetëm në moshën 18-vjeçare qepi dhe pikturoi flamurin e çetës më të madhe që mori pjesë në Bashkim, udhëhequr nga xhaxhai i saj Petër Shilev. Gruaja e re iu bashkua çetës si flamurtare dhe më vonë shoqëronte Kryeguvernatorin e Rumelisë Lindore, Gavrill Krësteviç, nëpër rrugët e Plovdivit në fajtonin me të cilin ai përcillej në fshatin Goljamo Konare (sot – qyteti Sëedinenie).

                                                                    Flamuri


“Flamuri ishte prej 3 metrash mëndafshi jeshil. Fillimisht, zyrtarët e komitetit nga Goljamo Konare ia dhanë artistit dhe revolucionarit bullgar të Rilindjes Georgi Dançov – Zografina, dhe ai pikturoi një luan në këmbë me një kurorë në kokë, duke qëndruar mbi simbolet e Perandorisë Osmane – një gjysmëhënë dhe një yll – në studion e tij në Plovdiv – vazhdoi Rumjana Doneva në një intervistë për Radio Bullgarinë. – Mirëpo, ky këlysh luani u dukej “i dobët” dhe kur ia dhanë Nedjallka Shilevës për të qepur pëlhurën si flamur, i kërkuan të shkruajë disa fjalë patriotike. Ajo e zbukuroi flamurin siç duhej, duke shkruar fjalët "Bashkimi i Bullgarisë", viti 1885, "Liri ose vdekje” etj. Sot flamuri origjinal mbahet në Muzeun Historik Regjional – Plovdiv”.

                                                     Litografia e Nikollaj Pavlloviçit


Në vitin 1886, artisti bullgar Nikollaj Pavlloviçi krijoi litografinë "Bashkimi i Bullgarisë Veriore dhe Jugore në 1885". Vendin qendror e zunë figurat e dy grave, me kurora në kokë, të mbështjella me një mantel të përbashkët mbretëror. Dhe megjithëse sipas disave këto personazhe në imazhe janë të Nedjallka Shilevës dhe Ekaterina Karavellovës, dokumentet e hedhin poshtë këtë teori:

“Është ruajtur kopja e parë e auto-recensionit të Nikollaj Pavlloviçit, në të cilin ai shpjegon saktësisht se çfarë ka paraqitur në këtë litografi – thotë Rumjana Doneva dhe citon një pjesë të saj: – Unë kam përfaqësuar të gjithë Bullgarinë përmes tri figurave të reja femërore – tri motra: Bullgaria, Trakia dhe Maqedonia, nga të cilat Bullgaria dhe Trakia ndodhen në plan të parë, duke shkelur fitimtare mbi flamurin e shqyer armik serb. Maqedonia, e cila nuk merr pjesë në ngjarje, përfaqësohet më tutje, e çarmatosur, e ulur mbi gurët e zhveshur, e trishtuar, e përkulur dhe e lidhur me zinxhirë në shkëmbinj. Mbi kokën e saj varet flamuri turk, ende një shenjë e skllavërisë së saj”. Dhe meqenëse emrat Traki, Bullgari dhe Maqedoni janë femërore – shpjegon bashkëbiseduesja jonë – është normale që ato të paraqiten si gra dhe nuk ka asnjë lidhje, madje as ngjashmëri vizuale, me Nedjallka Shilevën dhe Ekaterina Karavellovën”.

Lexoni më tepër:

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: Muzeu Regjional Historik Plovdiv, historymuseum.org, nationallibrary.bg




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Për jetën e mundshme në një botë pa monopole

Ndryshimet në Ligjin për Energjinë, të miratuara nga Kuvendi, shtynë fillimin e periudhës së tranzicionit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike për një vit tjetër – deri në 1 korrik 2025. Ndryshimet duhet të ofrojnë një mundësi graduale për..

botuar më 24-06-26 7.30.PD

Një shëtitje nëpër mbretërinë e çokollatës së Mihaella Këtevës

Çdo fëmijë ëndërron të ketë gjithë kohën e botës për të luajtur dhe për të shijuar shumë ëmbëlsira. Një nga më të dashurat, natyrisht, është e Madhërishmja - Çokollata. Për shumë njerëz sot, çokollata është një burim i vazhdueshëm lumturie, sepse..

botuar më 24-06-21 7.30.PD
Atanas Dallçev

120 vjet nga lindja e Atanas Dallçevit - një prej poetëve më të mëdhenj të Bullgarisë

Një nga poetët më të rëndësishëm bullgarë - Atanas Dallçev - lindi më 12 qershor 1904 në Selanik, në një familje të pasur që jetonte pranë Kullës së Bardhë. Babai i tij, Hristo Dallçev, ishte ndër qytetarët e shquar bullgarë në Selanik - jurist për..

botuar më 24-06-12 11.01.PD