Nga data 20 deri më 24 tetor 2023, një ekip i Radio Bullgarisë është duke bërë një vizitë pune në Shqipëri. Qëllimi i gazetarëve është të takohen dhe të bisedojnë me përfaqësues të pakicës kombëtare bullgare, institucioneve arsimore dhe shoqatave bullgare.
Vizita është pjesë e një nisme të re të “Radio Bullgarisë” për të krijuar një lidhje më të fortë mes bullgarëve në vendin tonë dhe bullgarëve në mbarë botën. Qëllimi është që përmes fuqisë dhe autoritetit të radios publike t’i tregohet auditorit, brenda dhe jashtë vendit, për bullgarët, të cilët për shkak të faktorëve historikë, socio-ekonomikë apo të tjerë, jetojnë jashtë kufijve të atdheut të tyre - shpjegon kryeredaktori i “Radio Bullgarisë” Krasimir Martinov, i cili së bashku me kolegen e tij nga Redaksia e Gjuhës Shqipe e medias, Kostandina Bello, vetë përfaqësuese e minoritetit bullgar në Shqipëri, ndodhet në vendin ballkanik.
“E shtyrë nga dëshira për të pasuruar atë që është arritur dhe për të ndjekur misionin e saj, ekipi i “Radio Bullgarisë” po fillon punën për një rubrikë të re, të orientuar drejt një studimi dhe prezantimi më të thelluar të komuniteteve bullgare jashtë vendit. Synimi ynë është të rrisim vetëvlerësimin kombëtar të bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit, dhe të njohim bullgarët në Bullgari me historinë, jetën dhe sfidat bashkëkohore me të cilat përballen njerëzit që jetojnë jashtë atdheut të tyre.
Për shkak të specifikës së komunitetit, afërsisë gjeografike me Bullgarinë, veçorive të përbashkëta dhe ndërlidhjeve të Ballkanit, vendosëm që vargun e transmetimeve ta nisim me një bisedë për pakicën kombëtare bullgare në Shqipëri. Rruga jonë përfshin takime në kryeqytetin Tiranë, qytetet Elbasan, Korçë, Kukës, Bilishti, fshatrat Vërnik, Pogradec, Golloborda, Ostreni i Madh, Gora e të tjera. Dëshira jonë është të ndiejmë, dhe më pas t’i përcjellim auditorit tonë të madh në mbarë botën, frymën dhe atmosferën e rajoneve në Shqipëri ku jetojnë bashkatdhetarët tanë.”
Minoriteti kombëtar bullgar në Shqipëri u njoh zyrtarisht nga shteti shqiptar në tetor të vitit 2017. Përfaqësuesit e tij jetojnë si në qytete të mëdha ashtu edhe në vendbanime më të vogla, disa prej të cilave janë në zona të vështira të arritshme të Shqipërisë. Një pjesë e bullgarëve atje tashmë e kanë më të vështirë të kuptojnë dhe të flasin gjuhën bullgare, por të tjerë kanë arritur të ruajnë identitetin dhe të folurin e tyre me kalimin e kohës, madje duke ua përcjellë traditat brezave pas tyre. Për momentin, numri i saktë i bullgarëve në Shqipëri është i paqartë, por regjistrimi që po zhvillohet aktualisht në vend do të na japë një ide më të mirë për këtë.
“Përveç mbledhjes së informacionit dhe përshtypjeve nga jeta e bullgarëve në Shqipëri, me vizitën e tyre në terren, ekipi i Radio Bullgarisë synon të mësojë më shumë për marrëdhëniet dypalëshe midis Bullgarisë dhe Shqipërisë, për iniciativat për popullarizimin e trashëgimisë kulturore të dy popujve, për vendosjen e kontakteve dypalëshe ekonomike dhe të biznesit, si dhe për mundësitë potenciale për zgjerimin e bashkëpunimit brenda Evropës Juglindore dhe në nivel të Bashkimit Evropian, për aq sa Shqipëria është kandidate për anëtarësim në bashkim, dhe Bullgaria në këtë rrugë mund t'i përcjellë asaj përvojë të paçmuar” - shpjegon Krasimir Martinov.
Projekti i ri i “Radio Bulgaria”, orientuar te dhe për bullgarët në mbarë botën, pritet të nisë në fillim të vitit 2024. Momente të përzgjedhura prej tij do të transmetohen edhe në valët e radios kombëtare, përmes rubrikës së përbashkët të “Radio Bullgarisë” dhe Programit “Horizont” – “Mëmëdheu jashtë vendit”, i cili filloi në vitin 2020, si pjesë e programit “Horizonti i Natës”.
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Milena Selimi, facebook.com/Nasha.Golloborda, arkivi personal
Organizata për mbrojtjen e natyrës WWF - Bullgaria nis fushatën "Abonohu për natyrën". Zhdukja e kafshëve të egra është një film me seri në të cilin ne luajmë rolin kryesor. Në më pak se një jetë njerëzore, 73% e vertebrorëve kanë humbur në natyrë...
Shpesh thuhet me ironi se njerëzit në Maqedoninë e Veriut marrin nënshtetësinë bullgare vetëm për qëllime egoiste. Prandaj, në regjistrimin e fundit zyrtar në shtetin fqinj u regjistruan vetëm 3504. Demografi Doc. Spas Tashev është i bindur se ky nuk..
Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, jo vetëm amerikanët janë të emocionuar. Edhe evropianët po presin me frymë të lodhur rezultatet – a do të sillte vërtet një fitore për Kamala Harris zhvillimi i një politike të qëndrueshme, a është Europa gati..