Pas 18 vitesh dominim të GERB-it, në krye të kryeqytetit do të qëndrojë një person nga një forcë tjetër politike.
Megjithatë, raundi i dytë i votimit në Sofje përfundon me një dallim shumë të vogël mes dy kandidatëve, ose thënë me fjalë të tjera, vetëm rreth 4500 vota ndajnë dy kundërshtarët për vendin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit me afro dy milionë banorë - kandidati i “Po e vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike (PP-DB) dhe "Shpëto Sofjen" Vasill Terziev, dhe Vanja Grigorova, e cila u mbështet nga “BSP për Bullgarinë”.
Me 100% të protokolleve të përpunuara të Komisioneve Seksionale Zgjedhore në Sofje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se Vasill Terziev është zgjedhur kryetar i bashkisë së kryeqytetit me votat e 175 044 banorëve të Sofjes.
Kryebashkiaku i ri i kryeqytetit, me përvojë menaxheriale në sektorin e teknologjisë, zhvilloi një fushatë pragmatike në të cilën vuri në dukje zgjidhjet e problemeve të vonuara prej kohësh, mori pjesë në takime të shumta dhe nuk refuzoi të debatonte me kundërshtarët. Aktivistja sindikaliste Vanja Grigorova vendosi në qendër “njeriun e vogël” duke përdorur mesazhe populiste të një kohe tjetër, si shtetëzimi, pezullimi i koncesioneve dhe privatizimi i pronave bashkiake, centralizimi i buxhetit.
“Dua të falënderoj të gjithë qytetarët e Sofjes që dolën të votojnë, të gjithë ata që më përkrahën mua dhe kandidatët tanë për kryetarë të rajoneve – tha Vasill Terziev në një koment lakonik. “Dua të falënderoj edhe njerëzit në Komisionet Sektoriale Zgjedhore, puna e të cilëve sapo ka filluar për të mbrojtur votën”.
Selia parazgjedhore e Vanja Grigorovës mbrëmë shprehu besimin se do të ketë arsye për festë, ndërsa sot u shpall se do të kundërshtojnë në gjykatë rezultatet e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Sofje.
“Votat për ne u hodhën me shpresë, jo me neveri.Dhe përkundër gjithë kësaj, pavarësisht problemeve që pamë në ditën e zgjedhjeve, pavarësisht shpifjeve, ne mbetemi me shpresë. Ne besojmë se ajo është gjallë dhe se liria është e arritshme."
Zgjerim i rrethit të njerëzve, të cilët të marrin vendime në dobi të qytetit, ndërtim cilësor dhe përfundimi i "riparimit të riparimit", mjedis më i mirë i biznesit dhe më shumë investime, parqe dhe kopshte të reja, transport i shpejtë urban, luftë kundër korrupsionit - këto janë disa prej premtimeve të Vasill Terzievit - biznesmen dhe investitor në disa kompani teknologjike, si dhe bashkëthemelues i kompanisë softuerike "Telerik".
Më e vogël ishte intriga për postin e kryetarit të bashkisë së qytetit të dytë më të madh në vend - Plovdiv, ku akoma në raundin e parë kandidati i GERB dhe ish-kryetari rajonal Kostadin Dimitrov doli shumë përpara kandidatit të PP-DB, Ivajllo Staribratov. Sipas analistëve, suksesi i tij - në sfondin e pakënaqësisë për qeverisjen e qytetit me një të kaluar të lashtë, i detyrohet në një shkallë të madhe faktit se ai u distancua nga kryetari i mëparshëm Zdravko Dimitrov, i cili para një viti ishte kritikuar nga lideri i GERB dhe ish-kryeministri Bojko Borisov se është në thelbin e skandaleve të shumta dhe kërkoi dorëheqjen e tij.
Plovdivi ka nevojë për zhvillim”, ishin fjalët e para të kryetarit të sapozgjedhur Kostadin Dimitrov pas shpalljes së rezultateve.
“Ishte një fushatë e gjatë, e cila kaloi ekskluzivisht me mesazhe pozitive – ishte bilanci i kryetarit të ri. - Vitet e fundit në Plovdiv janë shfaqur shumë probleme dhe si prioritet mund të përmendet pastrimi i qytetit, trafiku i madh, të cilat aktualisht janë në kulmin e tyre. Shpresoj të fillojmë zhbllokimin e bulevardeve nga trafiku i dendur me përfundimin e riparimeve. Shpresoj gjithashtu që të kemi një qytet më të gjelbër dhe më të pastër, plot ngjarje, ku çdo qytetar të ketë vendin dhe çdo vend të mbahet me përgjegjësi dhe kujdes.”
Ndoshta intriga më e madhe në zgjedhjet për kryetar bashkie në tre qytetet më të mëdha, ishte gara për Varnën, ku Ivan Portnih nga GERB, i pazëvendësueshëm që nga viti 2013, u përball me një konkurrent të barabartë në personin e ish-guvernatorit rajonal Bllagomir Kocev nga PP-DB. Në raundin e parë, dy partitë fituan një numër të barabartë këshilltarësh në Këshillin Bashkiak dhe e transferuan betejën vendimtare në fushën e zgjedhjes së kryebashkiakut.
Bllagomir Kocev u premtoi bashkëqytetarëve të tij një rishikim të kontratave publike të lidhura gjatë mandatit të paraardhësit të tij, duke tërhequr investime të reja në fushën e teknologjive IT, kujdes për lagjet më të vogla.
Kryebashkiaku i ri i Varnës është i diplomuar në Universitetin Amerikan në Uashington dhe në City University në Londër. Pas shtatë viteve të kaluara jashtë vendit, ai zgjodhi të kthehej në Bullgari.
“Varna u tregua si një qytet me të vërtetë i lirë - një nga dy qytetet ku demokracia ka thënë vërtet fjalën e saj sot. Sofja dhe Varna po fitojnë këto zgjedhje lokale dhe jam shumë i lumtur. Gjëja e parë që do të bëj është të organizoj një ditë për takim me qytetarët, si një shenjë se ne duam t’i ftojmë qytetarët e Varnës në udhëheqjen e qytetit.”
Kryebashkiakët e sapozgjedhur nuk do ta kenë luksin e njëqind ditëve të para që të orientohen në punë pa u kritikuar, sepse përveç problemeve të pazgjidhura prej vitesh në bashkitë e tyre, po i presojnë edhe afatet e projekteve evropiane.
“Një pjesë e kryetarëve të bashkive kanë mundësi të vazhdojnë punën e tyre të mëparshme – tha zëvendësministrja е zhvillimit regjional Angelina Boneva. - Megjithatë, është e rëndësishme që ata që tani do të marrin detyrën të njihen me projektet aktuale të realizuara nga bashkitë dhe të financuara nga fondet evropiane, veçanërisht me ato për objektet e infrastrukturës. Kërkohen përpjekje të mëdha për periudhën programore 2014-2020, pasi afati i aktiviteteve dhe pagesave për to skadon më 31 dhjetor të këtij viti. Kryetarët e bashkive do të kenë vetëm tetë deri në nëntë javë për të analizuar statusin e secilit projekt dhe ndoshta për të optimizuar afatet. Ka vështirësi për shkak të kompleksitetit të projekteve, veçanërisht në sferën arsimore, sociale dhe shëndetësore. Praktikisht, ka “një mbivendosje” mes përfundimit të periudhës programore në kuadër të programit "Zhvillimi i Rajoneve" dhe fillimit të asaj të re, si dhe për sa u përket afateve sipas Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë, ku ka shumë masa bashkiake. Mendoj se do të jetë e vështirë të kemi kontrata të gatshme dhe projekte të miratuara për të nisur nga periudha e re.”
Për dallim nga mandati i kaluar i pushtetit vendor, në të cilin pothuajse nuk ishin filluar projekte me financim evropian, tani bashkitë do të punojnë shumë intensivisht për investime reale si nga Plani i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë, ashtu edhe nga programet e tjera evropiane, tha Sillvija Georgieva, drejtore ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive në Bullgari.
“Në vitin aktual iu hapën shumë ftesa bashkive për modernizimin e infrastrukturës arsimore, për ndërtimin e kopshteve të reja, për ndërrimin e ndriçimit rrugor, për ndërrimin e rrjetit të ujësjellësit, për ndërtimin e qendrave rinore dhe qendrave për zhvillim personal - të gjitha këto janë projekte me fonde nga Plani i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë - shtoi ajo para Radios Kombëtare Bullgare. - Po ashtu duhet të ketë renovim të të gjitha azileve dhe renovim të objekteve të shërbimeve sociale. Këto projekte janë përgatitur, dorëzuar dhe shumica e tyre tashmë janë miratuar nga ministritë. Menjëherë pas Vitit të Ri do të lidhen kontratat për to dhe do të fillojë zbatimi i tyre.”
Foto: BTA, BGNES, BNR-Varna
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Pasi, për të shtatën herë radhazi, brenda tre viteve, Bullgaria zhvilloi zgjedhjet e saj parlamentare, rezultatet e votimit hodhën dritë mbi disa lojëra prapaskenash. Një detaj në dukje i vogël në numërimin e votave për partinë “Veliçie”, e cila nuk arriti..
Politikanët bullgarë uruan Donald Trump për zgjedhjen e tij si president i SHBA-së. Urime Donald Trump për fitoren zgjedhore, shkroi presidenti Rumen Radev në rrjetin social “X”. "Kam besim se dialogu ynë efektiv në nivelin më të lartë do të vazhdojë..
Nënkryetarja e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Vesna Bendevska, paraqiti në Prokurorinë e Manastirit, se Klubi Kulturor Bullgar “Ivan Mihajllov” në qytet vazhdon të funksionojë, pavarësisht fshirjes nga regjistri qendror, njoftoi BTA, duke iu..