Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shënim përkujtimor për Monumentin e Ushtrisë së Kuqe në Sofje

Historia dhe miti janë të ndërthurura me dhimbje në Monumentin e Ushtrisë Sovjetike në Sofje

Foto: BTA

Zhan Koktosë i përket shprehja rrëqethëse për historianët se "historia përbëhet nga të vërteta që me kalimin e kohës kthehen në gënjeshtra, ndërsa mitet përbëhen nga gënjeshtra që me kalimin e kohës kthehen në të vërteta". Kjo lojë fjalësh përshkruan në mënyrë të përsosur tensionin rreth Monumentit të Ushtrisë Sovjetike (të Kuqe) në Sofje.

Sipas historisë, më 5 shtator të vitit 1944, Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) i shpalli luftë Bullgarisë dhe e pushtoi atë. Qeveria e urdhëroi ushtrinë bullgare të mos rezistojë. Vendi u gjend në një situatë unike kur Bullgaria ishte në luftë me të gjitha Fuqitë e Mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshirë Rajhun e Tretë. Në territorin bullgar, Ushtria e Kuqe nuk dha asnjë viktimë në operacionet ushtarake. Është gjithashtu një e vërtetë historike se kur Mbretëria e Tretë Bullgare u detyrua me forcë të bëhej aleate e Gjermanisë naziste më 1 mars 1941, BRSS e Jozef Stalinit ishte aleat i Hitlerit në atë kohë. Është gjithashtu e vërtetë se pas 22 qershorit 1941, me gjithë presionin e Berlinit, Mbreti Boris III nuk pranoi t'i shpallte luftë BRSS dhe nuk dërgoi trupa bullgare në Frontin Lindor.

Është një mit, pra një gënjeshtër, që Ushtria e Kuqe e çliroi Bullgarinë nga fashizmi. Në vend kishte një regjim autoritar. Por pas vdekjes së monarkut, edhe ai nuk kishte autoritetin e nevojshëm. Nuk ka pasur kurrë një qeverisje fashiste në vend. Ushtria Sovjetike përmbysi një qeveri legjitime koalicioni të udhëhequr nga kryeministri demokrat Konstantin Muraviev. Ushtria Sovjetike mbështeti një grusht shteti të udhëhequr nga komunistët bullgarë. Qeveria e Kimon Georgievit ishte kolaboracioniste dhe i shërbente okupatorit. Me terror, BRSS vendosi një qeveri staliniste në Bullgari, e cila gjatë Luftës së Ftohtë e ktheu vendin në një satelit të Moskës.

Monumenti i Ushtrisë Sovjetike u ngrit si simbol i “çlirimtarit”- pushtues në vitin 1954 me rastin e dhjetëvjetorit të grushtit të shtetit komunist. Sot nuk do të kishte asnjë problem me fatin e monumentit nëse mitet që ekzistonin para vitit 1989 do të hidheshin poshtë dhe do të harroheshin. Vetëm mbishkrimi mund të ishte ndryshuar dhe përballë memorialit mund të shkruhej – “Bullgari, mos lejo askënd as të të skllavërojë e as të të lirojë!”. Edhe pas Çlirimit në vitin 1878, ndërtuesit e Bullgarisë moderne ishin të vetëdijshëm për këtë të vërtetë.

Fjala monument-memorial do të thotë se ngrihet një përmendore që u bën thirrje brezave të ardhshëm të kujtojnë një ngjarje të caktuar historike. Shpesh kjo e kaluara ruhet në ndonjë mit të qëndrueshëm. Mosmarrëveshja sot nuk është thjesht për fatin e monumentit, por për mitet simbolike të së shkuarës që ende ndajnë shoqërinë. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës thelloi mosmarrëveshjet, sepse të kuptuarit e së tashmes dhe të ardhmes së pritur bazohet mbi vlerësimin e së shkuarës. Pyetje - A ka ende politikanë dhe parti në Bullgari që presin të vijnë në pushtet me ndihmën e një pushtimi të ri të huaj nën formën e "çlirimit"?

Në kohën pas vitit 1990, Sofja nuk arriti për të rënë dakord me Moskën për fatin e monumenteve sovjetike (jo ruse) në Bullgari. Në këmbim të ruajtjes së tyre, vendi mund të kërkojë kthimin e arkivave të vjedhura bullgare në vitin  1944. Arkivat e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Brendshme janë veçanërisht të vlefshme dhe të rëndësishme. Dokumentet në to janë monumentet dhe ruajtësit më të mirë të së vërtetës historike. Në Moskë, ende kanë frikë se këto dokumente të publikohen. Nuk është rastësi që regjimi neo-perandorak i Vlladimir Putinit riktheu interpretimin stalinist të historisë, veçanërisht për periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Ashtu si në komunizëm, shkenca historike ruse është bërë sërish shërbëtore e ideologjisë. Monumentet e rrëzuara duhet të restaurohen dhe të mbahen si pengje. Fati i tyre i ardhshëm mund të rezultojë të jetë një mjet pazari për kthimin e arkivave bullgare.

P.S. - Është për të ardhur keq që ajo që po ndodh me Monumentin e Ushtrisë Sovjetike përsërit heqjen e Memorialit "1300 vjet Bullgari" në Sofje. Për shkak të mungesës së pëlqimit publik dhe talentit politik, ne i lëmë në neglizhencë. Së fundi, ne përdorim rrënimin e krijuar nga paaftësia si alibi për t'i eliminuar ato.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BTA, BGNES 



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

“Krishtlindjet bullgare” mblodhi 2.9 milionë leva (pothuajse 1.5 milionë euro) për fëmijët në nevojë për trajtim

Vazhdon edicioni i 22-të i "Krishtlindjeve bullgare" nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Bullgarisë. Këtë vit, fushata është në mbështetje të fëmijëve me sëmundje dhe gjendje të rëndë kronike. Shuma e mbledhur pas shfaqjes bamirëse të mbajtur..

botuar më 24-12-26 10.24.PD

Magjia e Krishtlindjes - nga bekimi i lashtë deri te shfaqja e plakut të mirë në trojet tona

Në mëngjesin e Krishtlindjes tashmë kudo është përhapur lajmi më i gëzueshëm në Tokë se ka lindur i biri i Zotit, prandaj dita është e veçantë dhe duhet festuar me vëmendje të veçantë dhe me shumë rite festive. Pas natës së qetë dhe të shenjtë, kur..

botuar më 24-12-25 4.45.PD

Patriku Daniill: Me besim të gjallë, le t'i bëjmë zemrat tona grazhde, që në to të lindë Zoti i Mitur

Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë fëmijëve të Kishës sonë Ortodokse.  “Në lutje të qeta, të mbledhur rreth vatrës së ngrohtë të shtëpisë,..

botuar më 24-12-24 6.05.MD