Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Politika bullgare ballkanike në drejtim të akrepave të orës në 2023 - pjesa e dytë

Pjesa e dytë: Nga "Via Egnatia" dhe Korridori Nr. 8 deri në Beograd dhe Danub

Foto: arkiv

Në pjesën e parë të bisedës me Prof. Zdravko Popov, kushtuar Ballkanit gjatë vitit 2023 ai komentoi marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe fqinjit të saj verior – Rumania. U tregua problemi i vazhdueshëm logjistik përgjatë kufirit për shkak të rritjes së trafikut të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë. Ish-diplomati i karrierës dhe profesori aktual në Universitetin e Sofjes e përkufizoi fqinjësinë e mirë bullgaro-turke si një fat gjeopolitik. Duke e kthyer Ballkanin në drejtim të akrepave të orës nga veriu në jug, biseda na çoi në marrëdhëniet bullgaro-greke në vitin 2023, të cilat u përcaktuan në Sofje dhe Athinë si një shembull i partneritetit strategjik.


Prof. Popov hodhi poshtë hipotezën se projekti i diskutuar nga Bullgaria, Greqia dhe Rumania për ndërtimin e një korridori transporti nga Selaniku nëpërmjet "Via Egnatia" dhe përgjatë Detit të Zi deri në portet e Burgasit, Varnës dhe Konstancës është një trase që e bën të pakuptimtë Korridorin. Nr. 8 nga Deti i Zi, përmes Maqedonisë së Veriut deri në portin shqiptar të Durrësit.

Kryeministrat e Bullgarisë, Gëllëb Donev, dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitër Kovaçevski, gjatë ceremonisë së fillimit të ndërtimit të pjesës lindore të korridorit hekurudhor 8

Korridori Nr. 8 duhet të ndërtohet sepse është një projekt shumë i qartë europian. Por kjo kërkon bashkëpunim bazë ballkanik dhe interesat e vendeve pjesëmarrëse duhet të përkojnë realisht, për çka duhet punë serioze diplomatike, tha eksperti.

Pas Korridorit Nr.8 ende të papërfunduar, biseda për politikën ballkanike të Bullgarisë arriti në Maqedoninë e Veriut. Sipas Prof. Popov, mosnjohja kushtetuese e komunitetit bullgar do të jetë një barrë e madhe për Maqedoninë e Veriut.

“Këto çështje të brendshme politike rëndojnë mbi fqinjin, Shqipërinë, Ballkanin, Evropën. Ndoshta durimi i Shqipërisë dhe i Brukselit do të mbarojë diku dhe nuk do të jetë befasim nëse ata e ndryshojnë këtë paketë të anëtarësimit, duke e lënë Shqipërinë të ecë vetë në procesin e negociatave. Kolegët maqedonas duhet të mendojnë seriozisht për këtë çështje. Ata mund të sillen me kokëfortësi në raport me komunitetin bullgar, por kjo kokëfortësi mund të jetë një pengesë për të ardhmen e tyre në BE.”

Duke krahasuar rrugën e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, analisti theksoi se për shkak të vektorëve gjeopolitikë në botë, në Evropën Lindore dhe Lindjen e Mesme, Brukseli dhe Uashingtoni duhet të kërkojnë furishëm një formulë për integrimin e përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor në BE.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor u zhvillua më 13 dhjetor 2023 në Bruksel, Belgjikë

Prandaj, në Maqedoninë e Veriut po kërkohet urgjentisht një konfigurim i ri politik, i cili mund të rimobilizojë elitën politike të Shkupit, që të marrë një vendim pak më të shpejtë në aspektin e integrimit.”

Pavarësisht se kush është në pushtet në Beograd, ai duhet të ketë parasysh ndarjen e shoqërisë serbe në lidhje me integrimin evropian të Serbisë, thekson prof. Zdravko Popov. Ekziston një grup qytetarësh me orientim pro-evropian, që fitojnë një popullaritet gjithnjë e më të madh. Por dominon një komunitet nacionalist i orientuar drejt Rusisë dhe sllavizmit. Presidenti Aleksandër Vuçiq duhet të kënaqë të dyja anët e shoqërisë së tij - thekson profesori në analizën e tij të situatës në Ballkan në vitin 2023:


"Nga njëra anë ai duhet të thotë se është në kërkim të perspektivës evropiane të anëtarësimit të ardhshëm në BE, por duhet të kënaqë edhe pjesën tjetër të shoqërisë. Është edhe problemi i Kosovës. Çfarëdo konfigurimi politik të vijë në Beograd, ai duhet të luajë këtë lojë komplekse. Nuk mund të përkrahet vetëm njëra anë, sepse gjatë kohës së Millosheviqit e kemi parë se çfarë do të ndodhte nëse do të përkrahej vetëm njëra anë, por vetëkuptohet që ky model për t'u anëtarësuar në BE duke kaluar përmes garancisë së NATO-s nuk funksionon. Të gjitha vendet tona që u anëtarësuan në BE, së pari duhej të kalonin testin e anëtarësimit në NATO. Kjo ishte formula - së pari siguria, pastaj ekonomia, demokracia dhe gjithçka tjetër. Serbia nuk mund ta lejojë këtë. Sepse madje forcat pro-evropiane atje nuk mund të harrojnë kujtimin e luftës dhe bombardimeve dhe këtë ndërhyrje të forcës së NATO-s në rajon, pra Serbia është një rast i komplikuar. Duhet të gjendet një çelës tjetër. Ndoshta Komisioni i ri Evropian pas zgjedhjeve vitin e ardhshëm do të kërkojë një mënyrë të tillë, por mendoj se nuk ka gjasa që Brukseli të heqë dorë ndonjëherë nga integrimi i Serbisë në Evropë”.


I pyetur se ku është vendi i komunitetit bullgar në Serbi, i parë nga politika e shpallur nga presidenti Vuçiq për mbrojtjen e “botës serbe” në Ballkan, Prof. Popov theksoi se komuniteti bullgar në Krahinat Perëndimore (rajonet kufitare juglindore të Serbisë me popullsi bullgare) duhet të mbrohet përmes kanaleve ndërqeveritare, me ndihmën e të cilave të këmbëngulet për barazi.

Lexoni pjesën e parë të temës:

Foto: BTA, BGNES, arkiv
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Ngjarjet me adresë ballkanike

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut: Nuk do të devijojmë nga anëtarësimi në BE, por nuk do të pastrojmë këpucë Duke vlerësuar 100 ditët e para të kabinetit të tij, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski raportoi se qeveria ia ka..

botuar më 24-10-05 7.25.PD

Nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për Bullgarinë nga përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme

Për momentin nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për vendin tonë nga përkeqësimi i mprehtë i mjedisit të sigurisë në Lindjen e Mesme - këtë konkluzion të mbledhjes tre orëshe të Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare ua bëri të ditur..

botuar më 24-10-04 2.02.MD
Sulmet ajrore izraelite në Libanin jugor, 01 tetor 2024.

David Avishaj nga Izraeli: Ka arsye konkrete për veprimet e Izraelit në Gaza dhe Liban

Me dy fluturime të Airbus-it qeveritar brenda dy ditësh, shteti bullgar arriti të evakuojë 169 bullgarë dhe anëtarë të familjeve të tyre që u kthyen në shtëpi nga Libani pas përshkallëzimit të tensioneve atje. 80 bullgarë të tjerë u evakuuan me..

botuar më 24-10-03 7.35.PD