Radio Bullgaria në formën e saj origjinale u shfaq një vit e një muaj pas krijimit të Radios Bullgare, në atë kohë Radio Sofja. Radio Bullgaria që në fillimet e saj paraqet një imazh të ndryshëm dhe autentik të vendit tonë dhe në këtë rol të rëndësishëm luajnë edhe përkthyes-spikerat e redaksive të ndryshme në gjuhë të huaj. Në fillim transmetimet ishin vetëm në gjuhën esperanto dhe pas 1 majit 1937 filluan transmetimet edhe në gjermanisht, anglisht, italisht dhe frëngjisht.
Pavarësisht peripecive të kohës dhe mungesës gjithnjë e më të dukshme të specialistëve vitet e fundit, sot Radio Bullgaria vazhdon të prezantojë audiencën tonë në mbarë botën me gjërat më të rëndësishme dhe më interesante nga vendi në 11 gjuhë - bullgarisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, rusisht, greqisht, serbisht, shqip, turqisht dhe rumanisht.
Sot ju takojmë me Çavdar Arnaudov - një nga kolegët që i kushtoi 33 vjet të karrierës së tij profesionale redaksisë franceze në drejtorinë "Transmetimet për jashtë vendit", siç quhej programi ynë kur ai iu bashkua BNR-së në vitin 1972. Ai e përshkruan veten si “më shumë shkrues se sa folës”, por pranon se ka pasur fatin të punojë me disa nga përkthyesit më të mirë të kohës. Mes tyre janë Reni Nikollova, Marija Rozanova, Marija Caneva, si dhe belgia e martuar me bullgar, Suzan Gorinova.
„Kur fillova punë, redaktori përgjegjës ishte Dimitër Tonev, i cili nuk jeton më - na tregon Çavdar Arnaudov. - Ai ishte një njeri me shpirt poetik dhe kishte botuar një libër me poezitë e tij. Duke qenë se tregoja interesa letrare, ai preferoi të më merrte mua në redaksi. Jo se atëherë kishte shumë aplikantë, por gjuha franceze nuk ishte krejtësisht jashtë mode. Tani ka diçka si një ringjallje, është e vërtetë, por fillimisht spanjishtja u bë gjuha e modës, pastaj anglishtja dhe tani të gjithë të rinjtë mësojnë vetëm anglisht.“
Me kalimin e viteve, Shërbimi Qendror i Informacionit (tani redaksia "Bullgaria") përgatitiste materialet për përkthim në gjuhët përkatëse, por edhe botimet në gjuhë të huaj ruajtën lidhje aktive me dëgjuesit në mbarë botën. Për këtë qëllim, në secilën prej tyre kishte një korrespondent që u përgjigjej letrave dhe mbante statistikat përkatëse. Në mesin e dëgjuesve nuk mungonin edhe themelues të radio klubeve amatore në pjesë të ndryshme të globit:
„Në Francë kishim dy klube të tilla dëgjuesish francezë, qytetarë francezë, dëgjues të rregullt të transmetimeve tona në frëngjisht - shton Çavdar Arnaudov dhe kujton një rast interesant nga koha e "Transmetimeve jashtë vendit": - Një ditë, krejt papritur, mbëriti një autobus me 30 persona - Francezë – të “Klubi i Miqve të Radio Sofjes”, të cilët vendosën të bëjnë një udhëtim në Bullgari, sepse pasi kishin dëgjuar shumë u interesuan dhe donin të vizitonin vendin tonë. Ndodhi që atë ditë mungoi Dimitër Tonev dhe unë e zëvendësova. Më thërrasin nga informacioni dhe më thonë - këtu është një francez i cili dëshiron të flasë me dikë nga redaksia franceze. Unë telefonoj dhe ai më thotë…. "Kemi ardhur! Duam t'ju shohim dhe të takojmë redaktorët". Kjo ishte në fillim të viteve 1980 dhe po pyesja veten se çfarë të bëja. Telefonova kryeredaktorin e gjuhëve të huaja dhe ai lejoi disa prej tyre të ngjiteshin lart. U takova me kreun e francezëve, i cili më tha se të gjithë donin të vinin tek ne. Por, jo të gjithë erdhën lart sepse kishte njerëz të moshuar që kishin mbetur duke pritur në autobus. Me 15 veta shkuam në redaksi, na pyetën se ku po regjistronim, ndërsa ne punonim në të dy godinat, kështu që bëmë një xhiro nëpër studio, gjë që është rreptësisht e ndaluar. “
Përveç dëshirës për të vizituar një nga redaksitë e Radio Bullgarisë, dëgjuesit e transmetimeve tona me valë të shkurtra në të kaluarën shpesh dëshironin të dinin më shumë detaje për tema të ndryshme ose disa vepra muzikore të ruajtura në arkivin e pasur zanor të Radios Bullgare.
„Nganjëherë kemi dashur të lëshonim më shumë muzikë operistike, me yjet e mëdhenj bullgarë - shpjegon bashkëbiseduesi ynë. - Por, muzika operistike nuk funksionon në valë të shkurtra, sepse ka zbehje, ndërhyrje atmosferike, dëgjohet ndryshe në dimër dhe ndryshe në verë. Prandaj lëshonim muzikë më gjallëruese, siç është muzika popullore. Folk apo pop, ata e pëlqenin shumë. Na vinin falënderime të madha nëse lëshonim diçka nga Lili Ivanova dhe Emill Dimitrov. Ata na kërkonin t'u tregonim më shumë për monumentin në malin Shipka, festën e trëndafilave në Kazanllëk... Dëgjuesit tanë e njihnin trëndafilin bullgar, sepse ne u dërgonim dhurata që kishin lidhje me të“.
Në fund të bisedës sonë, Çavdar Arnaudov u uroi kolegëve të tij nga Radio Bullgaria që të vazhdojnë përpjekjet për zgjerimin e programit dhe shprehu shpresën se përveç programeve tona online do të rikthehen edhe transmetimet e drejtpërdrejta.
Më shumë histori nga Radio Bullgariа lexoni Këtu.
Foto: arkiva personale, arkivaPërgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
"Ti thua se je bullgar, por nuk e di gjuhën bullgare" - më shumë se një ose dy nga bashkatdhetarët tanë nga komunitetet historike bullgare në mbarë botën janë përballur me këtë qortim të zyrtarëve në Bullgari. Mes tyre është edhe Bledar Alterziu nga..
Nuredin Nuredinaj është me origjinë nga rajoni historiko-gjeografik i Gorës në Shqipërinë Verilindore, ku 90% e banorëve vetëidentifikohen si bullgarë (Census 2023). Tirana njoftoi të dhëna zyrtare të përditësuara për bullgarët në Shqipëri..
De Là Trâp - ky emër melodioz tërhoqi vëmendjen e adhuruesve të kulturës hip-hop në vendin tonë edhe këtë vit. Në vetëm dy muaj projekti i përbashkët “333” me reperin hit 100 Kila mblodhi afro 1 milion shikime në një prej rrjeteve të shpërndarjes së..