Themeluesi i fotografisë rumune, fotografi Karll pop de Satmari, ishte bashkëkohës i Rilindjes Kombëtare Bullgare. Ai pati mundësinë të filmonte dhe të linte imazhe dokumentare të personaliteteve dhe ngjarjeve të njohura nga lufta bullgare për pavarësi. Për Satmarin dhe pjesëmarrjen e tij në Luftën Çlirimtare Ruso-Turke të viteve 1877-78, bisedojmë me doktoreshën e shkencave Aneta Mihajllova nga Instituti i Studimeve Ballkanike pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.
Karll pop de Satmari ishte një hungarez nga Kluzhi i Transilvanisë. Ai lindi në vitin 1812. Ishte bir i një predikuesi nga një familje fisnike. Studionte në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë. Por nuk mbaroi. Atij i pëlqente të udhëtojë dhe bënte turne në Evropë. Ai kaloi disa herë Karpatet dhe u vendos në Bukuresht – kryeqytetin e Vllahisë, tregon Mihajllova. Ai ishte një njeri shumë elegant dhe bisedues i këndshëm, fliste disa gjuhë. Shumë shpejt u bë i famshëm si autor i portreteve, peizazheve dhe u emërua piktor oborri. Atij i pëlqente të bënte fotografi. Në vitin 1850, hapi studion e parë të fotografisë në Bukuresht.
“Ky njeri është i lidhur me historinë e Bullgarisë, sepse ka fotografuar revolucionarët bullgarë. Ne e dimë se në atë kohë Bukureshti ishte qendra e emigrimit vendas. Ai bëri dy portrete të revolucionarit Levsk. I pari është i vitit 1868. Me shumë mundësi uniforma është një rekuizitë nga studioja e Satmarit, duke krahasuar me fotografi të tjera të ngjashme. Portreti i dytë i tij është i prillit, ndoshta nga vitit 1872.
Kjo është fotografia e fundit e Levskit, e cila fatkeqësisht ndihmoi për kapjen e tij. Lufta e Krimesë i dha Satmarit famë të jashtëzakonshme. Gjatë saj ai shkoi në front me një furgon të improvizuar, në të cilin bëri një dhomë të errët për të përpunuar fotot. Pas përfundimit të luftës, ai bëri një album me 200 fotografi, të cilat u prezantuan në Ekspozitën e Parisit. Albumi është një sensacion. Pas tij, Mbretëresha Viktoria e ftoi atë në një audiencë, dhe po ashtu Napoleoni III. Ai bëri disa albume të tilla dhe ia dhuroi Perandorit rus Aleksandër II. Satmari mori shumë dekorata dhe me këtë pjesëmarrje si fotograf ushtarak në fazën fillestare të Luftës së Krimesë, u afirmua si fotografi i parë ushtarak në botë. Në fakt, kishte shumë pak fotografë në atë kohë në të gjithë Evropën - rreth një duzinë në total.”
Në moshën 65-vjeçare, një moshë mjaft e shtyrë për një korrespondent lufte, Satmari shkoi për të pasqyruar Luftën Ruso-Turke, e cila ishte çlirimtare për Bullgarinë dhe i solli pavarësinë Rumanisë nga Perandoria Osmane.
"Në shekullin e XIX-të dolën edhe revistat e para të ilustruara, më të shumta në vitet 40-të dhe 50-të, dhe të gjithë dërguan korrespondentët e tyre në front. Me sa di, ishin rreth 80 korrespondentë të caktuar për të dyja palët. Më së shumti ishin ata anglezë. Satmari në atë kohë, përveç që shoqëronte mbretin dhe ushtrinë rumune, ishte i punësuar si korrespondent zyrtar i botimit gjerman “Illustrierte Zeitung”, dhe gjatë gjithë luftës u dërgonte skica të vendeve kryesore të betejave apo çfarë i dukej interesante. Ai dërgoi shumë skica dhe fotografi të tilla në një botim anglez – “The Illustrated London News”, ku në fakt gjejmë në numrin e janarit të vitit 1878 disa imazhe shumë interesante nga qyteti bullgar Pleven, pranë të cilit u zhvillua beteja më e ashpër dhe më vendimtare gjatë Luftës Ruso-Turke”.
Satmari është një nga korrespondentët e paktë që ishte i pranishëm në dorëzimin e Osman Pashës dhe rënien e Plevenit të rrethuar. Pas dështimit të sulmeve në vjeshtën e vitit 1877, shumica e gazetarëve humbën interesin dhe u tërhoqën. Por imazhet e marra nga Satmari tregojnë ushtarë osmanë të uritur në qytet, gjë e cila e detyroi garnizonin të dorëzohej.
Menjëherë pas përfundimit të Luftës Ruso-Turke, në Bukuresht u shtyp një album me fotografitë e Satmarit, i quajtur "Kujtime të Luftës 1877-78" ("Souvenir des Razboiul 1877-78"), me 50 fotografi. Besohet se mes tyre ka edhe fotografi të nxënësit të tij Franz Dushak, i cili gjithashtu fotografonte gjatë luftës.
“Për Rumaninë e shekullit të XIX-të, ose të paktën në gjysmën e dytë të shekullit të XIX-të, Satmari ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ai ishte dëshmitar okular dhe dokumentoi – qoftë me laps, furçë apo fotoaparat – momentet më të rëndësishme të asaj periudhe. Edhe pse është hungarez etnikisht, ai e lidh ngushtë fatin e tij me historinë e Rumanisë. Ai vdiq në Bukuresht në vitin 1887 dhe u nderua shumë. Ditëlindja e tij festohet si Dita e Fotografisë në Rumani. Unë sinqerisht shpresoj se një ditë shoqëria bullgare të mund t'i shohë këto foto dhe piktura, të cilat pasqyrojnë jo vetëm Luftën Ruso-Turke. Ai ka shumë foto dhe akuarele nga Bullgaria, të cilat nuk janë më pak interesante” - përfundon doktoreshë Aneta Mihajllova.
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: muzeulmilitar.ro, arkiv, bulgarianhistory.org, Facebook /Carol Popp de Szathmar, infopleven.com
Qyteti i shenjtë shkëmbor i Perperikonit mori një tjetër njohje të madhe. Pasi një muaj më parë hyri në top dhjetëshen e vendeve arkeologjike më interesante në Evropë sipas gazetës së njohur britanike “The Guardian”, tani është shfaqur në faqen e..
Në vitin 2007, më 11 qershor, presidenti amerikan Xhorxh Bush – i riu vizitoi Sofjen. Sipas protokollit të kohës, konferenca për shtyp që ai dha për mediat u mbajt mes eksponateve të Muzeut Arkeologjik Kombëtar. Dreka zyrtare për të ftuarin u dha më vonë..
Perperikon – qyteti shkëmbor i trakëve pranë qytetit Kërxhali, Bullgaria Jugore, është futur në top 10 të objekteve botërore që duhen parë, sipas renditjes së gazetës “Guardian”. Vendi është vendosur së bashku me strukturat neolitike në Spanjë dhe Francë,..
Qyteti i shenjtë shkëmbor i Perperikonit mori një tjetër njohje të madhe. Pasi një muaj më parë hyri në top dhjetëshen e vendeve arkeologjike më interesante..