Në Ditën e të Gjithë Shenjtorëve, kur Kisha jonë Ortodokse përkujton Koncilin e 12 Apostujve dhe kujtimin e të gjithë martirëve dhe rrëfimtarëve të njohur dhe të panjohur të Krishtit, besimtarët në Bullgari u shpërblyen për besimin e tyre. Mezi ka më të lumtur se populli i Perëndisë që takon Atin e tij shpirtëror të lutur nga Zoti, pas ditësh të gjata dhe të vështira sprovash. Menjëherë pas shpalljes së kreut të zgjedhur të Kishës Ortodokse Bullgare, brohoritjet e gëzueshme "I denjë! I denjë! I denjë!" mbushën hapësirën përreth katedrales "Shën Aleksandër Nevski", ku u bë edhe kurorëzimi i patrikut të ri bullgar.
Pranë Pallatit të Sinodit, disa nga priftërinjtë që morën pjesë në zgjedhje e pritën lajmin me një entuziazëm të moderuar. Nuk munguan ata që kritikuan hapur zgjedhjen në media, apo e bënë në heshtje. Në rrjetet sociale, ku të gjithë lirshëm derdhin emocionet e tyre, kishte edhe një grup të pakënaqur, të cilët nuk e fshehën zhgënjimin e tyre, duke krijuar tablo apokaliptike të varësive të kishës dhe ndikimeve gjeopolitike. Por me besimin se punët e Zotit vendosen nga Zoti, të tjerët, si At Georgi Tançevi nga Kresna, shprehën hapur kënaqësinë e tyre:
“Zgjedhje e denjë, të tre ishin peshkopë të denjë – tha At Georgi për Radio Bullgarinë. - Edhe në raundin e dytë. Përshëndetje për gjyshin Grigorij, por i tillë ishte vullneti i Zotit, që të jetë gjyshi Daniill. Një person i jashtëzakonshëm. Ai e filloi rrugëtimin e tij shpirtëror nga peshkopata jonë, jashtëzakonisht i butë, i përulur, punëtor, një murg i vërtetë. Ne besojmë se posti i lartë nuk do ta ndryshojë në asnjë mënyrë. Një person i jashtëzakonshëm. Jemi shumë të lumtur dhe shumë të kënaqur për të”.
Peshkopi stavrofor Julijan Angellov nga kisha bullgare në Berlin, themelues i bashkësisë kishtare në Hamburg, shtoi fjalët e Atit Georgi:
“Qoftë i denjë Patriku Bullgar, ai është një mitropolit i denjë, e njoh prej shumë vitesh, është nga vendlindja ime, u shugurua aty më parë. Njeri i denjë! Zoti i dhëntë forcë, shëndet dhe shumë vite për të sunduar.”
Para Pallatit të Sinodit të Shenjtë ishte edhe Julij Jordanov, anëtar i komisionit të kontrollit të Lidhjes së Shkrimtarëve Bullgarë, autor i shumë librave me kritikën letrare dhe historinë letrare:
"Me Patriarkun e ri bullgar krijuam të vetmin konkurs letrar kombëtar në emër të Ekzarkut Antim I - tha me emocion Juliy Jordanov. - Ky është ish-mitropoliti i Vidinit. Falë gjyshit Daniill, arritëm të mbledhim njerëz nga 5 deri në 105 vjeç për të marrë pjesë në këtë konkurs. Falë gjyshit Daniill, ky konkurs po fiton gjithnjë e më shumë miq. Dhe jam i bindur se Shenjtëria e Tij Daniill, Patriarku bullgar, tani do të ketë mundësinë të punojë që besimi të jetë gjithnjë e më i thellë në shpirtrat dhe zemrat e bullgarëve.”
Mitropoliti i Veliko Tërnovos Grigorij theksoi për Radio Bullgarinë se zgjedhja e patriarkut bullgar është "një demonstrim i dashurisë së Zotit dhe vullnetit të Zotit dhe favorit të Zotit ndaj popullit bullgar. Kjo është drejtësia e Zotit!" Kështu ai la të kuptohet fuqia e lutjeve që besimtarët bënë gjatë muajit të kaluar, që Zoti t'i jepte kryqin e patrikanës mitropolitit më të denjë, i cili do ta mbante atë për përfitimin më të madh të kishës sonë dhe për shpëtimin e popullit tonë:
“Kjo tregon unitetin, fuqinë e Ortodoksisë së Shenjtë, dhe populli bullgar është ortodoks për shumë e shumë shekuj, dhe ajo që është interesante është se 620 vjet pas vdekjes së Shën Eftimij Tërnovski, patriarkut të fundit mesjetar bullgar, përsëri Gishti i Zotit na tregon diçka, pavarësisht vështirësive, pavarësisht lloj-lloj sprovash - tha Mitropoliti Grigorij. - Unë madje pyes veten nëse disa njerëz, duke parë lipsanet e Shën Eftimij Patrikut Tërnovski këtu, a nuk kanë pendim historik, sepse në atë kohë Bullgaria u shkatërrua me forcë si patrikana. Dhe këtë e them si Mitropoliti i Tërnovës. Bajazidi, i cili e shkatërroi atë me mizori të ndryshme, nuk kaloi shumë kohë dhe në të njëjtin vit 1403 vdiq me shumë dhimbje, siç do ta shihni duke kthyer faqet e historisë. Zoti nuk duhet fyer! Pse po e them këtë? Sepse Bullgaria nuk është perandori gjakderdhjeje, por perandori iluminizmit. Shumë nga kombet lindore u ndriçuan pikërisht për shkak të Bullgarisë.”
Mitropoliti Grigorij kujton gjithashtu të kaluarën e lavdishme të Patrikanës së Tërnovës (kështu quhej Kisha Ortodokse Bullgare në periudhën 1235-1416), kur në vitin 1235, në kohën e Ivan Asen II, Bullgaria ishte në Pentarki, e barabartë me Patrikanën e Jerusalemit - Kishën Nënë, Patrikanën e Antiokisë, Aleksandrisë dhe Nikesë kur Bizanti u pushtua nga kryqtarët.
“Kur shoh politikanët tani, dhe them me vete – a e kuptojnë këta njerëz se për çfarë bëhet fjalë, çfarë trashëgimie të madhe është ky akt? Dhe sa i përket patrikut tonë, patrikut tonë të ri - ai është pikërisht në vendin e tij. Ai është i arsimuar, me anglishten e mrekullueshme, aktiv, punëtor, klerik, teolog dhe shumë e shumë të tjera mund të vazhdoj këtë listë të aftësive të tij. Pyete për pak vite, se çfarë bëri tashmë në Vidin - e ringjalli kjo peshkopatë.
Pak prej nesh e imagjinonin se do të ndodhte kështu, por dihet mbrojtja e Zotit dhe fuqia e Zotit në dobësi. Zoti nuk do të na lërë kurrë, sepse ne nuk e lëmë Atë, edhe pse jemi mëkatarë. Dhe le ta themi gjithmonë këtë lutje: Para teje, o Zot, ne mëkatojmë, por vetëm para teje lutemi. Bullgaria nuk është skizmatike, ata u përpoqën të përçajnë - ne nuk e lejuam këtë. Bullgaria e di se çfarë të bëjë dhe është një faktor serioz, i pashmangshëm në historinë dhe kulturën evropiane. Zoti na ruajte dhe për shumë vjet!”
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Patrikana Bullgare, Darina Grigorova, BGNES, arkivi personal
Më 10 nëntor 1989, në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bullgare (BKP), Todor Zhivkov u lirua nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm - posti më i lartë në parti dhe në shtet. Ajo që ndodhi në takim më vonë do të përkufizohej si një..
Arkeologët zbuluan një shishe qelqi shumë të rrallë dhe të vlefshme në një varr të shekullit të II-të në nekropolin jugor të kolonisë romake Deultum pranë fshatit Debellt /Bullgaria Juglindore/. Gjëja unike është se ajo përshkruan mitin e përbindëshit..
Kisha jonë Ortodokse kremton sot Mbledhjen e Shën. Kryeengjëllit Mihail, udhëheqës i ushtrisë qiellore dhe hierarkive engjëllore të patrup, që mundi forcat e errësirës. Është një nga festat më të rëndësishme të krishtera fikse të vjeshtës, e quajtur edhe..