Prof. Konstantinos Nihoritis është një shkencëtar me të cilin i lidhim më shumë nga burimet e zbuluara greke për veprën e Vëllezërve Kirill dhe Metodij në shkallë botërore. Një studiues dhe teolog i shquar i Bullgarëve të Vjetër me botime të shumta mbi historinë kulturore bullgare dhe lidhjet e saj me Malin Athos, Prof. Nihoritis jep mësime të gjuhës bullgare në disa universitete greke për më shumë se 30 vjet. Ai vetë u diplomua në Akademinë Teologjike të Athosit (1976) dhe Akademinë Teologjike të Sofjes (1981). Profesor në Fakultetin e Studimeve Sllave, Ballkanike dhe Orientale në Universitetin e Maqedonisë në Selanik, anëtar i huaj i Akademisë Bullgare të Shkencave, dhe i vlerësuar me titullin nderi "Doctor Honoris Causa" nga Universiteti i Sofjes "Shën Kliment Ohridski".
Bisedojmë me Prof. Nihoritis për veprën e Vëllezërve të Selanikut dhe krijimin e alfabetit sllav, duke përfshirë disa momente të diskutueshme në interpretimin e ngjarjeve historike. "Çdo pemë ka rrënjë. Sa më e madhe të jetë pema, aq më të thella janë rrënjët. Gjithçka na bashkon këtu, në vendet e Evropës Juglindore. Shenjtorët na bashkojnë, nuk na ndajnë” - theksoi shkencëtari i shquar në një intervistë për Radio Bullgarinë.
Në tekstet liturgjike të krijuara pas shekullit të XI-të, studiuesit gjejnë tekste të shkruara që pohojnë se iluministët sllavë të lindur në Selanik ishin "bullgarë për nga prejardhja". Prof. Nihoritis kujton se vëllezërit shërbyen në departamentin e jashtëm të Sinodit të Shenjtë të Kostandinopojës gjatë kohës së Patrikut Foti, dhe përpara se të sillnin alfabetin sllav në Moravinë e Madhe, ata kishin edhe misione të tjera te arabët dhe hazarët. Pas misionit të tyre në Moravinë e Madhe* dhe te sllavët perëndimorë, ata u kanonizuan shumë herët – Shën Kirill pas vdekjes së tij në Romë në vitin 869, dhe Shën Metodij në Velehrad, kryeqytetin e Moravisë së Madhe, në vitin 885. Jetëshkrimet dhe shërbesat e para për dy shenjtorët u shkruan nga nxënësit e tyre.
"Ata u krijuan në tokën bullgare në Bullgari – vazhdon prof. Nihoritis. – Në periudhën e hershme, ndërsa dishepujt ishin gjallë, dëshmitarë të drejtpërdrejtë të veprës së vëllezërve të shenjtë, tradita liturgjike ishte ashtu siç u soll dhe u shkrua fillimisht në Bullgari. Kjo është arsyeja pse në jetëshkrimet, shërbesat e vjetra etj., njerëzit flasin për Moravinë, Panoninë dhe Sllavët Lindorë. Jetëshkrimet e gjera nuk u përhapën ndër sllavët lindorë, duke u zëvendësuar nga jetëshkrime dhe shërbime të mëvonshme. Megjithatë, në Bullgari, popullsia ishte bullgare dhe nuk ishte disi kanonike për veshin bullgar të thuhej se edukatorët e tyre krijuan alfabetin sllav, alfabetin e vjetër bullgar për moravianët. Prandaj, në këto tekste bëhen korrigjime, duke hequr përmendjet e Moravisë dhe të sllavëve perëndimorë duke i zëvendësuar ato me ato të Bullgarisë. I tillë është Prologu - një jetëshkrim i shkurtër që tregon shkurtimisht për jetën e Shën Kirilit – "Fjetja e Kirilit", në të cilin biografi përmend se Kirili ishte bullgar me origjinë dhe i pagëzoi sllavët përgjatë brigjeve të lumit Bregallnica. Ekzistojnë edhe jetëshkrime të tjera prologë të Shën Kirilit, ku përmendet se ai predikonte në Bullgari, por kjo nuk është e vërtetë. Në jetëshkrimin e Shën Metodijit, përmendet se emri i nënës së tyre ishte Maria. Ndërsa në jetëshkrimet e gjëra të Kirilit dhe Metodit, kjo nuk përmendet. Ne kemi edhe "Legjendën e Selanikut" - "Një fjalë nga Kirill Filozofi se si i pagëzoi bullgarët". E cila përsëri nuk është e besueshme" - shpjegon Prof. Nihoritis.
E deri më sot, është çështje debati pse Shenjtorët Kirill dhe Metodij krijuan formën shumë të çuditshme grafike të shkronjave glagolitike - mjaft të ndryshme në drejtshkrim nga shkronjat latine dhe greke. Është gjithashtu interesante pse u zëvendësua në Bullgari nga i ashtuquajturi alfabet cirilik:
"Ekzistojnë opinione të ndryshme – thotë prof. Nihoritis, duke kujtuar se si u krijua i ashtuquajturi alfabet glagolitik: - Princi i Moravisë Rostisllav donte një alfabet që nuk do të ngjante as me alfabetin latin, sepse mësohej vetëm latinishtja, as me alfabetin grek, por diçka të ndryshme. Kur nxënësit vijnë në Bullgari, dhe veçanërisht ky grup nxënësish që u vendos në Presllav, ndër të cilët ishte edhe Konstantin Presllavski, ata imponuan alfabetin cirilik."
Studiuesi thekson posaçërisht se krijimi i alfabetit sllav u porosit nga Patriku i Kostandinopojës, Foti, shumë kohë përpara se Shenjtorët Kirill dhe Metodij të dërgoheshin në një mision pagëzimi në Moravinë e Madhe. U krijua në mënyrë që Perandoria Bizantine të mund të pagëzonte dhe të konvertonte në të krishterë nënshtetasit e saj sllavë që jetonin në Ballkan dhe të zhvendosur në Azinë e Vogël. Këta sllavë flisnin një dialekt bullgar. Vetë Metodij, përpara se të bëhej murg, ishte guvernator i një rajoni sllav në perandori për dhjetë vjet. Prandaj, alfabeti dhe përkthimet e krijuara nga Shën Kirill dhe Shën Metodij në Manastirin e Polikronit në malin Olimp në Azinë e Vogël kishin një bazë bullgare. Këto letra dhe literaturë u përgatitën dhe u çuan në Moravinë e Madhe. Prandaj, kur më vonë u sollën nga dishepujt e vëllezërve të shenjtë, ato u pranuan lehtësisht në Bullgari.
"Në këto vendbanime sllavo-bullgare që u zhvendosën në Azinë e Vogël, flisnin gjuhën e vjetër bullgare. Shenjat janë tingujt dyzërësh, dy bashkëtingëllore që hasen - ato u morën vetëm nga dialekti, nga gjuha e folur atje, dhe u imponuan sllavëve perëndimorë në tokat moraviane-panonike. Këto tekste kishin tiparet karakteristike gjuhësore të gjuhës së vjetër bullgare. Megjithatë, tradita që u krijua përmes sllavëve perëndimorë lidhet me periudhën moraviane. Kur ata erdhën në Bullgari, kjo ishte tashmë një periudhë thjesht bullgare. Me krijimin e alfabetit cirilik, askush nuk mund të vihej në dyshim se kjo ishte krejtësisht gjuhë e pastër bullgare dhe bullgarishte e vjetër dhe prej andej filloi të përhapet përmes Malit Athos, sipas mendimit tim, te sllavët lindorë në Rusi dhe në perëndim, në Serbi” – flet me pasion studiuesi grek për trashëgiminë gjuhësore, filozofike dhe kulturore që na kanë lënë vëllezërit iluministë të Selanikut.
Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
* Misioni Moravian ishte një udhëtim i vëllezërve Kirill dhe Metodji në vitin 863 në shtetin jetëshkurtër të Moravisë së Madhe, i cili pushtonte një pjesë të territoreve të Çekisë, Sllovakisë dhe Hungarisë së sotme. Misioni predikoi Krishterimin, por ndryshe nga të gjithë misionarët perëndimorë konkurrentë atje në atë kohë, e predikoi atë në gjuhën sllave me një alfabet të krijuar posaçërisht të quajtur glagolitik dhe literaturë kishtare të përkthyer në gjuhën sllave. Ky mision zgjati rreth 40 muaj dhe përfundoi me shkuarjen e vëllezërve në Romë. Atje, në vitin 867, Papa Adriani II bekoi përkthimet e bëra nga Kirill dhe Metodji dhe përdorimin e gjuhës sllave në adhurim në të njëjtin nivel me latinishten.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: dveri.bg, uni-sofia.bg, necyklopedie.org, arkiv
Ekspozita mobile "Sekrete dhe Mistere nga Heraklea Sintika, një Udhëtim nëpër Kohë" do të hapet më 26 maj në Muzeun Kombëtar Sllovak. Ajo do të qëndrojë në Bratislavë deri në fund të korrikut, tha për BTA drejtoresha e muzeut në qytetin e Petriçit..
Një ekspozitë foto-dokumentare me temë "Jehona globale e Kryengritjes së Prillit" do të hapet sot, 14 maj, në orën 12:30 të mesditës në Hollin e Mermertë të Asamblesë Kombëtare. Në këtë aktivitet do të marrë pjesë stërnipi i William Gladstone, Francis..
Në besimet popullore, Shën Gjergji është vëllai binjak më i vogël i Shën Dhimitrit. Etnografët i përshkruajnë ata si imazhe të kristianizuara të heronjve mitikë. Të fortë, të shkathët dhe të shpejtë, ata janë fitimtarë, duke kërcyer mbi male dhe dete,..