Rilla është ndër malet më tërheqëse në Bullgari, si për bashkatdhetarët, ashtu edhe për mysafirët nga jashtë. Në këtë mal ngrihet maja më e lartë jo vetëm në Bullgari, por edhe në Gadishullin Ballkanik - Musalla (2925 m), emri i të cilit i përkthyer nga arabishtja ("mus Allah") - "afër Zotit" e vërteton këtë. Rreth 200 liqene janë të fshehura në gjinjtë e Rillës, ose pothuajse gjysma e liqeneve në Bullgari.
Më të famshmit prej tyre janë Shtatë Liqenet e Rillës, mbi të cilët ngrihet Maja e Liqenit.
Deri te liqenet mund të arrihet në dy mënyra - në këmbë ose me teleferik.
Ecja ose pritja juaj do të shpërblehet bujarisht me pamje hyjnore që zemra juaj do t'i ruajë përgjithmonë dhe do t'ju mbajë të ktheheni përsëri dhe përsëri.
Emrat e Shtatë Liqeneve të Rillës janë të njohur për pothuajse çdo bullgar. Liqeni më i lartë – 2535 m mbi nivelin e detit – është Sëllzata (Loti), i quajtur kështu për shkak të ujërave të tij transparente. Më poshtë është Okoto (Syri) me formën e tij karakteristike ovale - më i thelli nga liqenet akullnajore në Ballkan (me thellësi mbi 37 m).
Më pas vijon liqeni më emblematik, një lloj kartëvizita e zonës – Bëbreka (Veshka), e cila e mori emrin për shkak të formës, edhe pse shumë e krahasojnë me zemër.
Në këtë kohë të vitit, dhe më konkretisht më 19 gusht, admiruesit e Mësuesit Petër Dënov, ose Beinsa Duno, dhe Vëllazërisë së tij të Bardhë mblidhen në Shtatë Liqenet e Rillës nga e gjithë bota. Të veshur me të bardhën, ata bëjnë kërcimin e tyre Paneuritmia në livadhin pranë liqenit Bëbreka.
Duke zbritur, arrijmë te liqeni Bliznaka (Binjaku) - më i madhi në zonën e Shtatë Liqeneve të Rillës, mbi të cilin ngrihet maja madhështore Haramija (Hajduti),
dhe më poshtë – Trilisnika (Tërfili), Liqeni i Peshkut, i vendosur përballë shtëpisë së vjetër malore "Shtatë Liqenet"
dhe Liqeni i Poshtëm më i ulëti nga të gjithë shtatë liqenet e mrekullueshme - në 2095 m mbi nivelin e detit.
Shumë turistë vendosën synimin e tyre për të arritur Majën e Liqenit, nga ku hapet një panoramë magjike. Dhe me kaq përfundon për ta “Misioni Rilla”.
Sidoqoftë, aty pranë ekziston një grup tjetër, jo aq i njohur gjerësisht, i liqeneve me origjinë akullnajore - Liqenet Urdini.
Liqenet Urdini janë gjashtë në numër – Suhoto (Liqeni i Thatë), Ribnoto (Liqeni i Peshkut si vëllai i tij i Shtatë Liqeneve të Rillës), Triëgëlnika (Trekëndëshi), Botaniçeskoto (Liqeni Botanik), Goljamata Panica dhe Malkata Panica (Pjata e Madhe dhe Pjata e Vogël).
Këto liqene janë më të vogla në sipërfaqe, por jo më pak magjepse. Fakti që janë më pak të njohur, rezulton të jetë privilegj i tyre, sepse pikërisht këtu, larg turmave, në heshtje, do të kapni pulsin dhe frymën e Rillës.
Nga Liqenet Urdini buron Lumi Urdina - një degë e lumit Çerni Iskër.
Gjatë rrugës, mund të shijoni takimet me tufat e kuajve që kullosin lirisht ose kaprolli që galopon me hijeshi. Pamjet magjepsëse gjatë rrugës do t'ju mbushin me shumë energji pozitive për ditët në vazhdim.
Për shumë banorë dhe mysafirë të kryeqytetit bullgar, një shëtitje në Vitosha - mali që ngrihet në afërsi të qytetit - është një kënaqësi e madhe. Duhet vetëm gjysmë ore për të arritur në zonën “Urët e Arta” (“Zllatnite Mostove”) të Vitoshës,..
Këtë dimër filloi me mot jashtëzakonisht të ngrohtë, por ndërsa ende nuk ka dëborë në rrafshinat e ulëta, në shpatet më të larta të maleve situata është krejt e ndryshme. Në saj të kësaj në disa pushimore sezoni i skive u hap zyrtarisht ditë më parë...
Edhe qytezat e Krishtlindjes sjellin gëzim dhe atmosferë festive... Foto: Krasimir Martinov