Një nga subjektet e përdorura shpesh në filmat apokaliptikë të Hollivudit ka të bëjë me një asteroid të madh që do të godasë Tokën. Një dramatizëm shtesë sjellin masat që duhen marrë për të parandaluar një katastrofë të tillë. Fabula në filma të tillë është lidhur kryesisht me shpërthimin e asteroidëve, por në praktikë mundësitë e zbulimit të tyre dhe krijimit të modeleve të trajektoreve të tyre janë po aq të rëndësishme. Sonda “Hera” e Agjencisë Evropiane e Hapësirës, e cila u nis me sukses javën e kaluar, do të ndihmojë në përpjekjet për të shmangur një kërcënim të tillë. Ajo nisi një udhëtim 195 milionë kilometra larg Tokës. Roli i Agjencisë Evropiane në Mbrojtjen e Planetit është një studim i asteroidit të vogël e të padëmshëm “Dimorfos”, të cilin NASA e shmangu qëllimisht nga trajektorja e tij dy vjet më parë si një provë e konceptit që nëse një asteroid do të kërcënonte Tokën një ditë, ai mund të shtyhej jashtë kursit të tij. Drejtori i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Josef Aschbacher:
“Ky është një shembull tjetër i përmbushjes së qëllimeve të Agjencisë Evropiane të Hapësirës. Ne kemi pasur një numër suksesesh këtë vit - raketa e re “Ariana 6” lëshoi me sukses satelitët në orbitë në korrik, misioni “EarthCARE” në hapësirë, i cili ofron informacion mbi marrëdhëniet midis reve, aerosolëve dhe rrezatimit me një nivel të paparë saktësie, “Galileo” dhe “Sentinel”, raketat tona “Vega” dhe të tjera. Agjencia Evropiane e Hapësirës është në formën e saj më të mirë. Ne po arrijmë sukses për Evropën dhe në këtë rast për njerëzimin, sepse ky mision është kontributi ynë për mbrojtjen e planetit në të ardhmen”.
Dimorfos është në fakt një satelit i një asteroidi më të madh, Didimos, dhe sonda evropiane do të jetë e para që do t'i afrohet një asteroidi të dyfishtë që do të studiohet me tre satelitë të veçantë. Shkencëtarët duan të studiojnë nga afër efektet e ndikimit për të kuptuar saktësisht se sa efektiv ishte misioni i NASA-s dhe çfarë ndryshimesh mund të nevojiten për të mbrojtur Tokën në të ardhmen.
Meteori që u shfaq papritur mbi Çeljabinsk në Rusi në vitin 2013 plagosi rreth 1000 njerëz dhe shkaktoi dëme materiale. Ai ishte me një diametër prej rreth 18 metrash. Nëse një meteor pak më i madh do të godiste pjesët qendrore, për shembull, Paris, Londër ose Berlin, ku ka popullsi të dendur, pasojat do të ishin katastrofike. Dhe sonda evropiane Hera, e quajtur sipas perëndeshës greke të martesës, është një nga hapat e parë për të parandaluar që kjo të ndodhë. Juan Luis Cano, koordinator i mbrojtjes planetare në Agjencinë Evropiane të Hapësirës:
“Në dekadat e fundit, ne kemi kuptuar se kërcënimet në hapësirë janë më shumë sesa prisnim. Mësuam se ka shumë materiale të mbetura nga koha e formimit të sistemit diellor që ende rrotullohen pranë Tokës. Sigurisht, ekziston rreziku i një goditjeje nga një asteroid që do të dëmtojë shoqëritë tona, dhe ne duhet të mbrohemi nga këto gjëra. Kjo është arsyeja pse agjencitë hapësinore, dhe veçanërisht Agjencia Evropiane e Hapësirës, po përgatiten të jenë në gjendje të përballojnë kërcënime të tilla”.
Drejtori i Divizionit të Mbetjeve Hapësinore në Agjencinë Evropiane të Hapësirës, Holger Krag, i cituar nga Politico, deklaroi se aktualisht, identifikimi i një asteroidi bëhet me rreth 10 orë njoftim përpara afrimit të tij në planetin tonë. Deri në fund të kësaj dekade, qëllimi është që kjo periudhë të zgjatet në tre javë, dhe për këtë qëllim do të ndërtohen tre teleskopë specialë për të skanuar vazhdimisht qiellin. Njëri prej tyre tashmë ka marrë financim dhe duhet të fillojë të funksionojë vitin e ardhshëm në Itali. I dyti do të jetë në Kili dhe i treti në Australi. Është planifikuar një tjetër mision i ardhshëm, i quajtur RAMSES, i cili të fillojë të studiojë asteroidin “Apofis” në vitin 2029, kur ai do të afrohet 33 000 kilometra afër Tokës. Në fund të vitit të ardhshëm, përfaqësues të 22 vendeve anëtare të Agjencisë Evropiane të Hapësirës do të marrin pjesë në Samitin në Bremen, ku do të duhet të mbledhin 250 milionë euro për përfundimin e anijes kozmike.
Sonda “Hera” me përmasat e një veture, me vlerë 363 milionë euro, është e pajisur me 12 instrumente dhe dy nanosatelitë, “Juventas” dhe “Milani”. “Juventasi” do të përpiqet të zbarkojë në “Dimorfos” në përpjekjen e parë për t'u ulur në një objekt kaq të vogël dhe do të studiojë strukturën e asteroidit dhe do të masë fushën e tij gravitacionale. Nanosateliti i dytë do të studiojë përbërjen e “Dimorfosit”. Ignacio Tanco, një menaxher operativ i sondës “Hera” të drejtuar nga ekipi në Darmstadt, Gjermani, shpjegon:
“Misioni do të shkojë fillimisht në Mars vitin e ardhshëm, sepse ne nuk kemi karburant të mjaftueshëm për raketa për të shkuar direkt në asteroid. Ne do të përdorim gravitetin e Marsit për të na forcuar dhe për të na shtyrë në drejtimin e duhur. Ne do të arrijmë në asteroid në vitin 2026. Ai do të kërkojë lundrim shumë të saktë, për të cilin ekipet këtu po përgatiten.”
Sonda do të duhet të funksionojë për të paktën gjashtë muaj për të përmbushur objektivat e saj të deklaruara.
Prof. Georgi Sotirov, anëtar i Këshillit Shkencor në Institutin për Kërkime dhe Teknologji Hapësinore në Akademinë Bullgare të Shkencave, tregon se cilat projekte të përbashkëta janë realizuar deri më tani me Agjencinë Evropiane të Hapësirës dhe çfarë të presim në të ardhmen:
"Bullgaria nënshkroi në prill 2015 një marrëveshje për një shtet bashkëpunues evropian midis Qeverisë së Republikës së Bullgarisë dhe Agjencisë Evropiane të Hapësirës. Ne jemi ende në nivelin e pjesëmarrjes paraprake në Agjencinë Evropiane të Hapësirës, pasi nuk arritëm të bëhemi një anëtar i asociuar. Në Bullgari për një periudhë 10-vjeçare janë paraqitur rreth 150 projekte, nga të cilat pak më pak se 50 janë financuar nga shteti. Deri më tani për këto projekte janë siguruar mjete me vlerë prej 8 milionë euro. Nga 15 projektet e fituara për Institutin e Kërkimeve Hapësinore, dy mund të përmenden si më të rëndësishme me pjesëmarrje ndërkombëtare. I pari është një projekt që lidhet me zhvillimin e dozimetrave hapësinorë të serisë “Ljulin”. Kjo është një nga zgjidhjet më të mira teknologjike të industrisë bullgare të hapësirës, pasi ka gjetur një aplikim të gjerë - në më shumë se 15 vende të botës përdoren dozimetrat e serisë "Ljulin". Në kuadrin e një projekti të fituar në vitin 2015, një stacion hapësinor u nis për në Mars me ndihmën e Agjencisë Hapësinore Evropiane dhe Ruse, dhe deri më tani ky instrument “Ljulin” është duke funksionuar në orbitë rreth Marsit dhe çdo minutë të dhënat e nivelit të rrezatimit kozmik dërgohen në Tokë. Seria e instrumenteve “Ljulin” u përdor gjithashtu në serinë e satelitëve të Elon Musk, “Virgin Galactic”. Vitin e kaluar, u lëshua me sukses një satelit me pajisje të montuara në të. Gjithashtu do të theksoja rëndësinë e projektit "Testimi i indekseve të vegjetacionit" nga satelitët "Sentinel 2" për vlerësimin e gjendjes së kulturave dimërore në Bullgari. Ky ishte një projekt i përbashkët midis Institutit për Kërkime Hapësinore dhe Teknologji të Akademisë Bullgare të Shkencave, Institutit për Shkencën e Tokës, Agroteknologjinë dhe Mbrojtjen e Bimëve “Nikola Pushkarov” dhe InstitutitFlamand të Teknologjisë VITO. Në këtë projekt u mundësua kombinimi i informacionit të marrë nga satelitët e Agjencisë Evropiane të Hapësirës, “Sentinel 2” dhe një satelit belg, gjë që bëri të mundur marrjen e rezultateve shumë të mira në studimin e indekseve të vegjetacionit për gjendjen e kulturave dimërore në Bullgari”.
A ka ndonjë arritje tjetër që vlen të përmendet?
"Nëse flasim për arritjet e brendshme - në një projekt në 2018, i cili ishte i përbashkët midis Institutit të Kriobiologjisë dhe Teknologjisë Ushqimore të Akademisë Bujqësore dhe Institutit të Kërkimeve Hapësinore, u zhvilluan lloje të reja të ushqimit hapësinor për punën e ekuipazhit dhe punonjësve të tjerë, që punojnë në kushte ekstreme. Ky projekt ishte shumë i suksesshëm. Dua të shtoj se Bullgaria është vendi i tretë në botë që ka zhvilluar ushqime hapësinore. Madje ne kemi patentuar mbi 32 gatime të ndryshme kombëtare. Gjithashtu po punohet për një lloj të ri serë satelitore. Bullgaria është vendi që krijoi për herë të parë një serë hapësinore në vitin 1992 së bashku me një kompani braziliane. Dhe mbi këtë bazë u fitua një projekt tre vjet më parë”.
Cilat janë problemet apo pengesat kryesore që shkenca bullgare të ecë përpara më shpejt dhe më me sukses, së bashku me shkencën evropiane?
“Është e lavdërueshme që Agjencia Evropiane e Hapësirës po përpiqet të mbështesë pjesëmarrjen e organizatave bullgare. Mendoj se pengesa kryesore për zhvillimin e kërkimeve tona hapësinore, inxhinierisë hapësinore, teknologjisë dhe edukimit hapësinor është se ende nuk ka një program kombëtar për hapësirën kërkimore. Një shembull është Republika Çeke, e cila ka zhvilluar një Program Kombëtar Hapësinor për 10 vjet, i cili ofron udhëzimet, prioritetet dhe planet kryesore për të ardhmen. Ne kemi dy-tre vjet që përpiqemi të inkurajojmë industrinë bullgare - ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Shumë prej tyre ende nuk janë të vetëdijshme se çfarë do të bëhet, çfarë prioriteti do të ketë. Për momentin, vendi ynë dhe veçanërisht instituti ynë ka marrëdhënie të mira me më shumë se 15-20 organizata shkencore të njohura ndërkombëtarisht, si NASA, kompania japoneze JAXA, Agjencia Franceze e Hapësirës, me kompaninë daneze të hapësirës ajrore, italianë e të tjerë me të cilët kemi punuar. Nuk do të harroj se kemi pasur marrëdhënie shumë të mira me Akademinë e Shkencave Ruse. Nëse flasim për mundësitë dhe traditat, për sukseset e vendit tonë në kërkimet hapësinore, nuk duhet ta harrojmë këtë mbështetje. Është e vërtetë që lufta në Ukrainë për momentin i ka thyer këto tradita që kemi pasur me Agjencinë Hapësinore Ruse në përputhje me programin “Intercosmos” dhe sukseset e arritura, por për momentin besojmë se me ndihmën e institucioneve evropiane dhe organizatat e vendeve, me të cilat mbajmë kontakte, do të na mundësojnë pjesëmarrjen më të suksesshme në programet e Agjencisë Evropiane të Hapësirës”.
Me cilat vende evropiane bashkëpunoni më shpesh dhe më me sukses dhe në cilat fusha të kërkimit?
“Në fushën e përdorimit të dozimetrave hapësinorë, aktualisht kemi informacione për përdorimin e këtyre pajisjeve në Australi, Austri, Brazil, Gjermani, Indi, Itali, Kanada, Norvegji, Poloni, Rusi, SHBA, Finlandë, Francë, Republikën Çeke, Zvicër, Korenë e Jugut. Një instrument, i cili u zhvillua nga instituti, është duke punuar në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor për momentin dhe rezultatet e të dhënave bëjnë të mundur vlerësimin e nivelit të rrezatimit, si jashtë Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, ashtu edhe brenda dhe prej andej - për të monitoruar sjelljen e astronautëve, të cilët jetojnë në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor. Agjencia Evropiane e Hapësirës po i kushton vëmendje zhvillimit të kurseve universitare, programeve arsimore për teknologjinë hapësinore, për inxhinierinë hapësinore. Ekzistojnë gjithashtu programe për doktorantë që janë pjesëmarrës potencialë në industrinë tonë. Nëse duam të bëhemi anëtar i asociuar, nëse duam të bëhemi anëtar i barabartë, ne duhet të paraqesim projekte dhe rezultate shkencore - instrumente, teknika, teknologji dhe metodologji të zhvilluara në hapësirë, të cilat janë në nivel botëror, evropian, që të mund të marrim pjesë në zhvillimin e përgjithshëm të shkencës dhe teknologjisë hapësinore. Pa këtë, nuk do të arrijmë rezultate”.
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Foto: Rojters
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, objektet mjekësore në qytete të ndryshme të Bullgarisë organizojnë konsultime falas për personat me diabet dhe në rrezik të sëmundjes. Sipas të dhënave të Shoqatës Bullgare të Endokrinologjisë, çdo i treti bullgar në..
“Zgjedhja e Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara do të ketë një ndikim negativ në politikën evropiane në tre dimensionet kryesore, përkatësisht mbrojtjen dhe sigurinë, ekonominë dhe politikën – të paktën nga ajo që kemi si deklarata dhe nga..
Bullgarë nga 18 vende, 34 shkolla jashtë dhe 8 pedagogë bullgarë nga universitetet jashtë vendit janë pjesëmarrës në vitin e parë të Programit Kombëtar "Tregimet e pathëna të bullgarëve", i cili kërkon fakte pak të njohura për bullgarët e denjë apo ngjarje..
Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në..
Uzurpimi i trashëgimisë kulturore dhe historike ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pasojat e shumta të pashmangshme të çdo konflikti ushtarak si në..
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë..