Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Milena Selimi përkthen romanin ”Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov

Një polifoni gjuhësh emocionuese në Konferencën Europiane të Përkthimit në Strasburg

Milena Selimi dhe Georgi Gospodinov
Foto: Milena Selimi

Shkrimtare, përkthyese, gazetare, përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, Milena Selimi nuk rresht së promovuari kulturën, letërsinë, vlerat dhe traditat bullgare. Një nga arritjet e saj profesionale më të fundit është edhe përkthimi i romanit ”Kohëstrehim” të shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov në gjuhën shqipe. Ky nuk është romani i vetëm i Gospodinov në shqip, pasi ka edhe dy vepra të tjera të përkthyera më parë “Roman Natyral” nga Janka Selimi dhe “Fizika e Trishtimit” nga Milena Selimi.
”Gospodinov është një nga autorët europianë që trazon kohën, një nga shkrimtarët më të veçantë në stil e mjeshtëri shkrimi. Në fakt unë nuk i jam “ndarë” këtij autori në çdo botim të ri, sepse e gjithë kritika bullgare dhe europiane vazhdon të jetë kurioze për atë vepër që Gospodinov nuk e ka prodhuar akoma. Ai ka gjetur një matës për kohën duke iu afruar njeriut dhe dëshirave të tij. Në romanin ”Kohëstrehim” rrëfehet për një klinikë për të shkuarën, drejtuar nga Gaustini, një terapist enigmatik që ofron një trajtim premtues për të sëmurët nga Alzhaimer: Çdo kat riprodhon një dhjetëvjeçar, duke i transportuar pacientët pas në kohë më të sigurt dhe më të lumtur. Një tregimtar i paidentifikuar ka për detyrë të mbledhë shënime të së kaluarës….një numër në rritje i njerëzve të shëndetshëm kërkojnë strehim atje, duke shpresuar t'u shpëtojnë tmerreve të jetës moderne - një zhvillim që rezulton në një rebus të papritur kur, e kaluara fillon të pushtojë të tashmen. Shpejt vende të tëra duan të imitojnë idenë, me referendume që zhvillohen për të vendosur se cili version i veçantë i së kaluarës do të formësojë të ardhmen e secilit komb.”

Të përkthesh një roman të këtij lloji nuk është aspak e lehtë dhe shumë sfida shfaqen gjatë procesit të punës. Por cilat shin ato me të cilat u përball Milena?:

”Sfida nisi që në titullin e librit, -Времеубежище- është një fjalë e krijuar nga Gospodinov, kështu që duhej të krijoja edhe unë një fjalë kuptimplotë për gjuhën shqipe. Jam konsultuar me autorin gjatë gjithë kohës, ai është një autor që e vlerëson dhe e dëgjon përkthyesin e tij. Gjuha shqipe e ka fjalën vendstrehim, (убежище) që nuk mundet të ‘strehojë’ edhe kohën në një farë mënyre. Koha është abstrakte … E pata menduar “Strehimi i kohës” por nuk më çon tek ideja e autorit, por duhej lexuar romani. Është nje gjetje brilante e nje autori si Georgi Gospodinov që rrëfen për gjëra të pamatshme!” - tha Milena në një intervistë për Radio Bullgarinë.

E pyetur për ndjesinë që i përcolli ky libër si përkthyese Milena u shpreh se ishte diçka e mrekullueshme dhe se ndihet shumë me fat që është përkthyese e Gospodinov në shqip dhe që ka mundësinë të njihet çdo herë e më mirë me stilin, mjeshtërinë e këtij autori europian bashkëkohor. Por si do ta mirëpresin romanin lexuesit shqiptar? 

“Ka shumë lexues që e kanë pritur me padurim, autorë e përkthyes. Azem Deliu sapo më shkroi se mund ta lexojë edhe në print, Visar Zhiti gjithashtu është nga lexuesit e parë, Ben Andoni, Andreas Dushi, etj. Mendoj se Gospodinov si fitues i çmimit ndërkombëtar BOOKER 2023 dhe në New Yorker si Libri më i mirë i vitit 2022 ka nisur të jetë i rëndësishëm edhe për lexuesin shqiptar. Edhe pse ne e kemi patur në shqip që në vitin 2010, me veprën “Roman Natyral”, përkthyer nga nëna ime, Janka Selimi. Por u deshën vite që ai të bëhet i dukshëm edhe pë lexuesin shqiptar.“ – na tregon Milena dhe vazhdon duke cituar fituesin e çmimit Nobel për Letërsinë Olga Tokarczuk e cila e vlerëson artin e Gospodinov në këtë mënyrë: “Lloji më fin i letërsisë, mbi perceptimin tonë për kohën dhe kalimin e saj, e shkruar me një stil mjeshtëror dhe krejtësisht të paparashikueshëm”.

Romani “Kohëstrehim” u takua me autorin Georgi Gospodinov në Strasburg për Konferencën Europiane të Përkthimit, Ceatl (European Council of Literary Translators’ Associations), ku përkthyeset e Gospodinovit, Angela Rodel, Maria Vutova, Magdalena Pytlak, Milena Selimi dhe Marie Vrina-Nikolov diskutuan dhe lexuan pjesë nga romani “Kohëstrehim” dhe “Fizika e Trishtimit” në gjuhët: bullgarisht, shqip, anglisht, polonisht, spanjisht dhe frëngjisht. 
Konferenca Europiane e Përkthimit në Strasburg
“Jam e lumtur që “Kohëstrehim”, botuar nga shtëpia botuese Toena dhe mbështetur nga Traduki pati një premierë europiane në këtë konferencë. E rrallë kjo për një përkthim. Jam e lumtur që komunikuam në disa gjuhë, aty në mes të përkthyesve, organizatave e rrjeteve të fuqishme europiane, për të treguar se përkthyesi mbetet po aq i rëndësishëm si autori, ai që transporton kulturën përtej brigjeve.” – shprehet Milena Selimi.

Një moment interesant ishte edhe leximi i prologut të veprës në një polifoni gjuhësh. 

Pyetjes se si u ndje që ishite pjesë e këtij momenti të veçantë dhe që së bashku me z. Gospodinov bëri hapjen e konferencës, Milena u përgjigj:

“Krenare për atë që Gospodinov thekson gjithmonë: Чудото на Eзика/ Mrekullia e Gjuhës. Së bashku me autorin lexuam, diskutuam, u dëgjuam nga më shumë se 200 pjesëmarrës në gjuhën bullgare, në një skenë europiane në zemër të Strasburgut, UNESCO 2024 World Book Capital City (WBCC), me temën e vitit “Read our World/ Lexo Botën Tonë”.”


“Të kontribuosh për Atdheun tënd (Shqipërinë) falë gjuhës së Mëmëdheut (Bullgarisë). A mund të ketë krenari më të madhe për një përkthyes?! ”

“Asnjë kohë s’të përket. Asnjë vend s’është i yti. Këtë që ti kërkon, nuk të kërkon ty, ajo që ti sheh në ëndërr, s’të sheh ty. E di se diçka ka qenë e jotja në një vend e në një kohë tjetër, prandaj gjithmonë kalon dhoma dhe ditë të shkuara. Por, nëse je në vendin e duhur, koha është tjetër. Nëse je në kohën e duhur, vendi është ndryshe. 
E pashërueshme. ” (cit. nga romani “Kohëstrehim”)

Lexoni më tepër: 
Foto: Milena Selimi


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Prof. i Asociuar Marco Scarpa

Prof. i Asociuar Marco Scarpa: Gjuha dhe alfabeti nuk duhet të shërbejnë për të kundërshtuar njëri-tjetrin, por duhet të vlerësohen si një pasuri e përbashkët

Prof. i Asociuar Marco Scarpa hulumton trashëgiminë e Krilit dhe Metodit dhe rolin e qendrave sllavo-jugore ku janë shkruar librat në të kaluarën (të ashtuquajturat skriptoriume) dhe të letrarëve që kanë punuar në to për lulëzimin e kulturës së..

botuar më 24-09-26 7.20.PD
Zhivko Sedllarski

“Zonjat e çelikut” të skulptorit me famë botërore Zhivko Sedllarski parakalojnë edhe në Bullgari

Modë që nuk vishet, por të frymëzon. Fustane të bukura, por jo prej dantelle apo mëndafshi, por prej metali. Skulpturat e krijuesit Zivko Sedlarski janë në pronësi të muzeve, galerive dhe koleksioneve private në 3 kontinente, duke i dhënë atij..

botuar më 24-09-21 9.25.PD

Varna pret Festivalin e Filmit Artistik Bullgar "Trëndafili i Artë"

Në Varna hapet Festivali i 42-të i Filmit Artistik Bullgar "Trëndafili i Artë". Në programin konkurrues do të konkurrojnë 15 filma artistikë, 20 filma të shkurtër dhe 5 filma me seri. Hapja është mbrëmjen e 19 shtatorit në Qendrën e Festivalit dhe..

botuar më 24-09-19 1.54.MD