Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Radio Bullgaria tek bullgarët në Shqipëri

Nuredin Nuredinaj nga Gora: "Duhet t'iu rikthehemi vlerave njerëzore dhe të ruajmë identitetin tonë"

Nuredin Nuredinaj
Foto: Arkiva personale

Nuredin Nuredinaj është me origjinë nga rajoni historiko-gjeografik i Gorës në Shqipërinë Verilindore, ku 90% e banorëve vetëidentifikohen si bullgarë (Census 2023). 
Ndonëse rrënjët e tij janë gorane, Nuredini e kalon fëmijërinë e tij në kryeqytetin Tiranë, ku mbaron shkollën e mesme për gjuhë të huaja me anglisht dhe spanjisht. Më pas ai vazhdon shkollimin e tij në vendin tonë dhe në vitin 2009 diplomohet në degën “E Drejta e Bashkimit Europian”, ndërsa në Tiranë mbaroi masterin e dytë – “E Drejta Institucionale dhe Drejtimi i Shtetit”. Aktualisht është doktor shkencash në fushën e të Drejtës së Migracionit, ka zyrën e tij ligjore në kryeqytetin shqiptar, është përkthyes i licencuar në Ambasadën Bullgare dhe mbështet bashkatdhetarët e tij nga pakica kombëtare bullgare me aktivitete të ndryshme.

E pyesim Nuredinin se si mundet njeriu t'ia dalë i vetëm në një fushë kaq konkurruese siç është ajo e drejtësisë, a nuk është e vështirë?

"Jo, nuk do të thosha. Çdo person që dëshiron të jetë i suksesshëm duhet të mbështetet kryesisht tek vetja. Ndërsa vështirësi do të ketë gjithmonë. Jeta është e tillë që nëse nuk përballesh me vështirësi, nuk mund të kesh sukses dhe nuk mund të bëhesh i fortë. Personalisht, unë u fokusova në ligjin e migracionit, duke ndjekur përvojën e familjes sime. Ata kan punuar gjithmonë në administratën shtetërore, ndërsa babai im, gjyshi im dhe stërgjyshi im, të gjithë kishin mbaruar një arsim të lartë dhe ishin me mendimin se një person duhet të arsimohet, të luftojë dhe t'i arrijë qëllimet e veta, prandaj u them të gjithë njerëzve nga pakica bullgare se është e rëndësishme të vazhdojnë shkollimin e tyre. Kjo është mënyra e vetme për t'ia dalë në jetë. Përndryshe nuk mund të punojmë për etninë tonë, për të ardhmen tonë”.
Pamje nga fshati i Cërnalevës - Gorë
Ndonëse ka kohë që është larguar nga Gora, Nuredin Nuredinaj nuk resht së punuari për kauzën e bullgarëve në Shqipëri dhe për të ardhmen e tyre më të mirë.

“Meqenëse kam një kontratë me ambasadën bullgare si përkthyes i licencuar, prej më shumë se 10 vitesh unë punoj për çështjen bullgare. Kemi arritur shumë gjëra, por kemi ende shumë punë për të bërë. Zonat e bullgarëve duhet të zhvillohen, të kenë infrastrukturë normale, shkolla të mira dhe kultura bullgare të arrijë më lehtë tek njerëzit tanë. Ndonjëherë kjo është e vështirë për shkak të largësisë dhe infrastrukturës së dobët. 
Është e lehtë për ne që jetojmë në qytete të mëdha. Por për banorët e fshatrave nuk është kështu. Ata nuk kanë informacion të mjaftueshëm, nuk e dinë se çfarë po ndodh rreth tyre dhe nëpër botë. Për shembull, ata nuk e dinë se kanë mundësi për të fituar bursë gjatë studimeve, nuk e dinë që si bullgarë mund të vazhdojnë studimet për arsim të lartë në Bullgari, të financuar nga shteti, nuk e dinë se pavarësisht të folurës së tyre më të vjetër, ata flasin të njëjtën gjuhë si bullgarët në Bullgari dhe se mund të përshtaten shumë shpejt dhe lehtë në Bullgari dhe në universitetet bullgare. Me të njëjtën gjuhë që flasin në shtëpi, mund të kenë sukses në Bullgari, edhe pa kurse të veçanta gjuhësore”.
Gjyshe Kadire nga fshati bullgar i Cërnalevës
Çfarë populli janë bullgarët e Gorës? Dhe si mund të ndihmohen ata që të ndjejnë sa më shpejt mbështetje?

"Të them të drejtën, njerëzit nga Gora njihen si shumë kureshtarë dhe pëlqejnë të mësojnë. Shumë prej tyre punojnë në administratën shtetërore, në organizata private, në sektorin e biznesit. Dhe ata janë të suksesshëm kudo. Sepse janë të hapur ndaj të tjerëve, nuk kanë paragjykime që të kthehen në pengesa. Por çdo proces ka nevojë për kohë. Duke pasur parasysh periudhat historike nëpër të cilat kemi kaluar - komunizmi, tranzicioni drejt demokracisë etj., gjërat nuk mund të zhvillohen për një apo dy vjet. 
E kam përmendur tashmë se njerëzit nuk kanë informacion të mjaftueshëm dhe nuk e dinë se Bullgaria i mbështet, nuk dinë se ku dhe çfarë të kërkojnë. Dhe tani është koha më e mirë që ne t'u kushtojmë më shumë vëmendje, të investojmë në shkollat e tyre, të investojmë te njerëzit, në mënyrë që ata të vazhdojnë të ruajnë traditat e tyre, të mbrojnë vlerat e tyre kulturore dhe identitetin e tyre bullgar. Kjo është detyra jonë, e cila kërkon kohë dhe durim”.
Mësues nga fshati
Në rajonin e Gorës punojnë shumë mësues të rinj, të cilët gjithashtu duan më të mirën për bashkatdhetarët e tyre, por edhe të përmirësohen dhe të bëhen më të mirë në profesionet e tyre.

"Ky është një fakt - ata janë të rinj në moshë, por kanë një dëshirë të madhe të japin kontributin e tyre në arsim - konfirmon vëzhgimet tona Nuredini. - Ata duan të vazhdojnë shkollimin, të kryejnë një master në Bullgari dhe më pas të kthehen dhe të aplikojnë njohuritë e tyre këtu, në gjuhën bullgare. Shpresoj se do të kemi sukses. Ne punojmë për këtë dhe me ligj kemi të drejtë të hapim kurse në gjuhën bullgare”.
Mirijan Dauti - mësues i matematikës, gjuhës shqipe dhe dituri natyre
Deri vonë, shumë bullgarë nuk e dinin se kishin bashkatdhetarë në Shqipëri, se ekzistonte një komunitet i vjetër bullgar. Por, sipas z. Nuredin Nuredinaj, kjo po ndryshon shumë shpejt.

"Kur isha student, asnjë nga kolegët e mi nuk e dinte që në Shqipëri kishte bullgarë. Kur u tregoja se isha bullgar, askush nuk më besonte, edhe pse flisja bullgarisht. Edhe pasi u tregoja certifikatën e origjinës bullgare, të gjithë habiteshin për faktin se ka bullgarë në Shqipëri. Epo, është e vërtetë, ka. Historia e tregon. Por sot më duket se më shumë njerëz dinë për ne dhe ka pak më shumë informacion nëpër media. Dhe shyqyr Zotit, sepse ne të gjithë kemi punuar për këtë - të paktën që shteti bullgar ta dijë se në Shqipëri ka bullgarë. 
Pjesëmarrës në një takim pune ndërmjet ambasadorit tonë I. Kirov dhe kryetarit të bashkisë së Kukësit A. Halilaj
Dhe qëndrimi i shqiptarëve ndaj bullgarëve këtu është i mrekullueshëm. Na trajtojnë me respekt, na pranojnë si pjesë të shoqërisë, si miq të ngushtë. Madje ka një shprehje që thotë se fqinji ynë më i mirë është fqinji bullgar”.

Pra ju integroheni normalisht dhe mirë në shoqërinë shqiptare, apo jo?

"Po. Dhe do të jap një shembull nga jeta ime. Kur fillova shkollën unë nuk dija shqip. Në shtëpi flisnim vetëm bullgarisht. Por nuk kam pasur asnjë pengesë. Dhe si bullgar nuk kam pasur ndonjë problem - as në shkollë, as në universitet, as në lagjen ku jetoj. Babai im, i cili punon në administratën shtetërore, nuk ka pasur kurrë ndonjë pengesë për shkak të origjinës së tij."

Dhe së fundi, mesazhi i Nuredinit për bullgarët në Bullgari dhe në mbarë botën është...

"Të mos harrojmë nga vijmë, të punojmë për të ruajtur identitetin tonë, për të ruajtur traditat dhe kulturën tonë. Bota është zhytur në konsumizëm. Dhe kjo shkatërron identitetin tonë dhe ndjenjën tonë për atë që jemi, cilët jemi dhe nga vijmë. Jo çdo gjë në këtë botë mund të jetë materiale. Ndaj t’i kthehemi vetes dhe vlerave njerëzore”.

Foto: Krasimir Martinov, arkiva personale - facebook.com/nuredinaj.nuredin
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

De Là Trâp, reperi bullgar nga Miami: Mundësitë e njeriut varen nga perspektiva

De Là Trâp - ky emër melodioz tërhoqi vëmendjen e adhuruesve të kulturës hip-hop në vendin tonë edhe këtë vit. Në vetëm dy muaj projekti i përbashkët “333” me reperin hit 100 Kila mblodhi afro 1 milion shikime në një prej rrjeteve të shpërndarjes së..

botuar më 24-12-05 7.30.PD

Fotografja Mihaella Arojo: Është e rëndësishme të njohim historinë e bullgarëve të Besarabisë

Mihaella Arojo është një fotografe profesioniste nga Varna dhe nuk ka të afërm apo miq që janë bullgarë besarabianë. Megjithatë, në vitin 2019, e impresionuar nga një prej udhëtimeve të saj në një festival të të rinjve në një fshat moldav, ajo vendosi..

botuar më 24-12-02 7.30.PD
Ekaterina Titova

Shën Joani i Rilës dhe Shën Joani i Kronshtadit - dy mrekullibërës "Përmes fuqisë së Krishtit"

Në festën e Hyrjes së Nënës së Zotit në Tempull më 21 nëntor sipas Kalendarit Gregorian dhe Ditën e Kryeengjëjve Mihaill dhe Gavrijil sipas Kalendarit Julian, piktorja Ekaterina Titova prezantoi veprat e saj të reja në ekspozitën "Përmes fuqisë së..

botuar më 24-11-25 7.20.PD