Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bullgari nga Parisi, Xhonatan Angellov – Është jeta një përrallë dhe cila është morali prej saj?

4
Xhonatan Angellov
Foto: jonathananguelov.com

Ju pëlqejnë përrallat? Cila është e fundit që keni lexuar dhe sa ngjashmëri keni gjetur me jetën tuaj deri tani? Megjithëse shumë njerëz e konsiderojnë këtë zhanër letrar më tepër si diçka për fëmijë, përrallat janë burim i shumë mësimeve dhe mesazheve, ende të vlefshme dhe sot. Përveç kësaj, edhe në botën e ashpër të sotme është e mundur të jetosh pikërisht brenda tyre. Të kesh talent do të thotë të mund të kalosh nga një përrallë në tjetrën, dhe sot t’i tregosh të dyja me qetësi, madje edhe mes të qeshurave, pas të cilave qëndrojnë vite pune të palodhur dhe refuzimi për të besuar në këshillat e të tjerëve që të thonë se më mirë të heqësh dorë, sepse ajo që dëshiron nuk mund të ndodhë.

Dëshmi se gjithçka është e mundur, mjafton të shohësh vetëm përpara dhe të mos dorëzohesh, është historia e bashkatdhetarit tonë Xhonatan Angellov, i cili ka jetuar mes Bullgarisë dhe Francës, por që e ruan përgjithmonë atdheun në zemër, sepse këtu ka përjetuar, mësuar dhe provuar shumë gjëra:


„Deri në moshën 18-vjeçare çdo verë kaloja të paktën 1-2 muaj në Bullgari. Shëtisja nëpër fshatra të ndryshëm, nëpër Sofje, Bjalla Sllatinë dhe Pravec dhe i ruaj kujtimet më të bukura nga ajo kohë, sepse isha një fëmijë me një biçikletë, me të cilën mund të shëtisja kudo – rrëfen bashkëbiseduesi ynë. – Shkoja të lahesha në lumenj dhe nën ujëvara të ndryshme, pata disko dhe dashuritë e mia të para në Bullgari. Megjithatë, mbaj mend edhe jetën e vështirë të bullgarëve, të cilët punonin shumë, por nuk kishin para. Mbaj mend se çfarë pensioni merrnin të afërmit e mi. Gjyshja merrte nga 80-90 leva në muaj në vitin 2000. Mbaj mend varfërinë që ekzistonte dhe kjo më mësoi se nuk dua kurrë të jetoj më ashtu, por gjithashtu kuptova se edhe me pak para mund të jesh i lumtur.“


Sipas tij, ajo që të bën të lumtur është mundësia të bësh atë që dëshiron. E pranon, megjithatë, se kjo mund të tingëllojë e lehtë, kur e thotë një njeri i suksesshëm si ai, por gjithmonë ka ëndërruar të arrijë diçka që askush tjetër nuk e kishte menduar se ishte e mundur. Përveç në Bullgari, fëmijëria e tij kaloi edhe në Paris, ku jetonte me të ëmën, e cila në fillim të tranzicionit (1989) u largua fillimisht për në Itali, ku u martua për të marrë dokumente evropiane. Pas një a dy vitesh, ajo la Italinë dhe u vendos në Francë, ku filloi një biznes të suksesshëm si modele dhe pronare e një agjencie të vogël mode.


„Ia dilte mirë, modelet që punësonte ishin nga e gjithë Evropa, Rusia dhe madje edhe nga Bullgaria. Në një moment u shfaqa unë, por ajo kurrë nuk ka ditur se kush ishte babai im. Prandaj, gjithë jetën është përpjekur që t’ia dalim dhe të jemi mirë së bashku – kujton Xhonatan. – Për fat të keq, një njeri e mashtroi, duke i thënë se punonte në fushën e artit, duke blerë dhe rishitur piktura dhe objekte të ndryshme. Nëna ime i dha pothuajse të gjitha paratë e saj dhe ai u zhduk. Ajo humbi gjithçka, firma e saj u mbyll, ndërsa tatimet iu hodhën mbi kokë. Si e huaj në Francë, ajo nuk mundi të mësonte mirë të fliste dhe të shkruante frëngjisht, filloi të pinte dhe me kohë njerëzit filluan të flasin për të dhe për mua. Dhe kështu, një ditë, në moshën 12-vjeçare, përfundova tek shërbimet sociale, të cilat më dërguan në një familje kujdestare.“


Pothuajse menjëherë filloi edhe punën e tij të parë – të shiste gazeta, e më pas pica, akullore e çfarë të mundte, sepse donte t’i tregonte nënës së tij se gjithçka është e mundur. Punoi shumë dhe pas një kohe filloi të blinte pasuri të paluajtshme:

„Dhoma të vogla në Paris, që ishin 8-9 metra katrorë, njëra pas tjetrës, arrita të blej dhjetë të tilla, i shita, fitova mjaft para, me të cilat bleva apartamente më të mëdha prej dy dhomash, të cilat i jepja me qira për turistët. Në moshën 27-vjeçare, pas një viti në Londër, ku punova si tregtar financiar për një kompani, u lodha së punuari për të tjerët, sepse fitoja më shumë para nga biznesi me pasuritë e paluajtshme. 


U ktheva në Francë dhe krijova kompaninë time, e cila u bë një nga startup-et më të mëdha në Francë në fushën e komunikimeve. Edhe pse nuk vija nga ky sektor, as shoku im i ortakërisë, ne ëndërronim të krijonim një produkt që të funksiononte për të gjitha kompanitë në botë që dëshironin të ngrinin qendra të tyre telefonike për shërbimin ndaj klientëve.“


Tërë historinë e tij Xhonatan e ka përshkruar në frëngjisht në një libër me titull „Asgjë për të humbur“ (Rien à perdre). I pyetur nëse mendon që ai të botohet edhe në bullgarisht, përgjigja është e prerë – ka një ide të tillë, madje po kërkon një botues, por në botimin bullgar do të përfshijë shumë më tepër nga përjetimet dhe jeta e tij këtu në Bullgari, pasi beson se edhe prej tyre lexuesi ka shumë për të mësuar.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Arkivi personal i Xhonatan Angellov, jonathananguelov.com, linkedin.com, Facebook/Jonathan Anguelov, beaboss.fr, fnac.com 



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Mediat moderne në sytë e bullgarit Veselin Vaçkov nga Çekia

Nëse duhet të veçojmë tiparet që e dallojnë një bullgar të suksesshëm në Evropën Qendrore, në asnjë mënyrë nuk do të ishte ndonjë biznesmen i madh që shfaqet me një makinë të shtrenjtë dhe një sërë suksesesh materiale. Përkundrazi, imazhi i bullgarit të..

botuar më 25-07-27 10.00.PD
Monika Evstatieva

Rruga e një bullgareje në radion publike të SHBA-së

Monika Evstatieva është gazetare që punon si producente në departamentin e hetimeve në radion publike amerikane NPR. Ajo ka lindur në Sofje dhe, kur ishte e vogël, ëndërronte të merrej me reklamë, por puna e saj në një radio në Blagoevgrad i ndezi..

botuar më 25-07-22 7.30.PD
Kalina Tomova

Nga Akademia Bullgare e Shkencave në Kembrixh dhe Regensburg – talenti ynë i ri në muzikologji Kalina Tomova

Kalina Tomova, e lindur më 24 maj, është një nga muzikologet më aktive dhe të suksesshme të reja në Evropë. Që në moshë shumë të vogël, Kalina shfaqi talentin e saj muzikor – luante në piano, këndonte në Korin e Fëmijëve të Radios Kombëtare Bullgare...

botuar më 25-07-09 7.30.PD