Mbushen 131 vjet nga lindja e Mbretit Boris III, i cili mbeti në kujtesën bullgare me përkufizimin që i dha populli dhe historia - Bashkues.
Boris Sakskoburggotski qëndroi në krye të vendit pas abdikimit të Mbretit Ferdinand pas disfatës së vendit në Luftën e Parë Botërore. Monarku i ri u kurorëzua më 3 tetor të vitit 1918 i veshur me një pardesy ushtari dhe mori udhëheqjen e Bullgarisë në periudhën jashtëzakonisht të turbullt dhe të paparashikueshme ndërmjet dy luftërave botërore. Dekreti i tij i 25 janarit 1935, me të cilin transmetimet radiofonike në Bullgari u bënë pronë shtetërore, shënoi edhe fillimin e radios publike në vendin tonë.
Një nga regjistrimet, i ruajtur në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare, ruan një fjalim të Mbretit Boris III drejtuar përfaqësuesve të popullit me rastin e një prej sukseseve diplomatike më të rëndësishme gjatë mbretërimit të tij - kthimit paqësor të Dobruxhës Jugore në kufijtë e Mbretërisë së Bullgarisë:
“Zotërinj, deputetë, me kënaqësi të veçantë konstatoj se politika e jashtme e ndjekur deri tani ka dhënë rezultate të gëzueshme. Më 7 shtator 1940, qeveritë e Bullgarisë dhe Rumanisë nënshkruan një Traktat në Krajovë, në bazë të të cilit Dobrudxha Jugore u kthye në kufijtë e Mbretërisë Bullgare.”
Drejtësia që mbizotëroi atëherë dhe kthimi i territoreve të dhëna Rumanisë në bazë të Traktatit të Paqes të Bukureshtit, nënshkruar më 28 korrik 1913, tingëllon e pabesueshme nga këndvështrimi i sotëm:
“Për ta arritur këtë pa provokuar asnjë konflikt, duket se ka pasur rrethana të pranueshme nga të dyja palët - supozoi djali i tij Simeon Sakskoburggotski në një intervistë speciale për Radion Kombëtare Bullgare nga fundi i vitit 2024. - Më bën përshtypje kur njerëzit flasin me ton të ngritur për madhështinë e Bullgarisë. Po, mund të jetë mirë, le të themi një ditë me standardin e jetesës, por jo territorialisht. Në një kuptim tjetër, çdokush mund ta thotë dhe të vendosë të shkelë në territorin e fqinjit të tij, dhe kjo nuk çon askund.”
Sundimi i Mbretit Boris III është objekt i vlerësimeve të shumta. Se si ishte mbreti në rolin e tij si kreu i shtetit, por edhe si një person i zakonshëm, bashkëshort dhe baba, mund ta dëshmojnë sot vetëm dy fëmijët e tij - trashëgimtari i fronit Simeon II dhe Princesha Marija Lluiza. Megjithatë, të dy janë shumë rrallë të prirur për të dhënë intervista, kështu që është një nder i madh që ish-kryeministri i Bullgarisë (2001–2005) foli për Radion Kombëtare Bullgare në një përpjekje për të analizuar sundimin e Mbretit Boris III nga një perspektivë moderne.
Edhe pse në paraqitjet e tij të mëparshme Simeon Sakskoburggotski shmangte çdo vlerësim për individë apo procese të veçanta në vendin tonë, në këtë intervistë ai merr parasysh deklaratën e babait të tij për revistën “Time” më 20 janar 1941: “Ministrat e mi janë anglofilë, gjeneralët e mi janë gjermanofilë, populli im është rusofil, vetëm unë kam mbetur bullgarofil”, për t'i kujtuar Bullgarisë se është e rëndësishme të ndjekë, mbi të gjitha, interesat e saj kombëtare:
"Edhe 150 vjet më parë kishte rusofilë dhe rusofobë. A nuk është koha që të mendojmë pak në një mënyrë më racionale dhe të qetë për atë që është më e rëndësishme - të jemi bullgarofilë, apo çfarë? Le të mos jemi domosdoshmërisht "ose-ose", sepse kjo është pikërisht ajo që ndan shoqërinë dhe nuk çon askund dhe asgjë të mirë" - thotë Simeon Sakskoburggotski me mençurinë e 87 viteve të tij.
Madhëria e Tij gjithashtu heq perden mbi jetën pak më personale të Mbretit Bashkues dhe marrëdhëniet që ai kishte me familjen e tij.
Momentet e preferuara për Simeonin dhe motrën e tij ishin ekskursionet që bënin me të atin:
“Na çonte nëpër male dhe mbante gjithmonë një lopatë me të cilën nxirrte me kujdes një bimë pa e shkulur atë, që të mbillte në parkun e Pallatit “Vrana” apo gjetkë. Ai gjithmonë na shpjegonte se çfarë po bënte dhe pse. Në ekskursionin tonë të fundit me të, ndoshta në verën e vitit 1943, u ngjitëm në malin Murgash (maja më e lartë në rajonin perëndimor të malit Stara Pllanina), prej nga ai filloi të na tregonte drejtimet në të cilat ndodhen objektet e ndryshme."
Mbreti Boris III vdiq papritur nga një atak në zemër më 28 gusht 1943, pak pasi u kthye nga një vizitë te Hitleri, ku ai refuzoi të dorëzonte hebrenjtë bullgarë dhe të dërgonte trupa kundër Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Trashëgimtari i tij i fronit ishte djali i tij gjashtëvjeçar Simeoni II, në emër të të cilit një këshill regjence i zgjedhur nga Kuvendi Popullor sundoi për tre vjet, deri në vendosjen e një regjimi republikan në Bullgari.
Për një fëmijë, vdekja është një koncept jashtëzakonisht abstrakt, dhe megjithatë, edhe sot e kësaj dite, Simeon Sakskoburggotski ruan në kujtesën e tij kujtimin e lamtumirës së fundit me babain e tij në Katedralen “Shën Aleksandër Nevsk”:
“Nuk do ta harroj kurrë se kur i putha dorën dhe ballin, ishin të ftohtë të akullt. Edhe sot e kësaj dite, unë shmang të marr pjesë në ndonjë funeral ku ekspozohet i vdekuri, sepse jam i tmerruar nga ajo ndjenjë që e perceptoj si diçka që nuk mund ta kontrolloj. Ndoshta është për shkak të moshës sime.”
Mbreti Boris III është i vetmi burrë shteti dhe politikan bullgar i cili, që nga fëmijëria dhe gjatë gjithë jetës së tij të rritur deri në ngjitjen e tij në fron, përgatitej për të qenë kreu i shtetit. Ai mori përgjegjësinë e mbretërimit në moshën 24 vjeçare. Ai sundoi për një çerek shekulli dhe arriti të rimëkëmbë vendin pas humbjes në dy luftëra fatale dhe një ideali kombëtar të shkatërruar. Ai gjithmonë synonte të frenojë përshkallëzimin e konflikteve civile pa dhunë. Për aq sa ia lejonte situata ndërkombëtare, ai mbetej gjithmonë sundimtari, i cili ruante paqen e brendshme dhe të jashtme. Në kujtesën kolektive të bullgarëve ai mbetet si mbret popullor. Kështu, ai përmbush premtimin, që thonë, se i ka bërë në fëmijëri nënës së tij që po vdes, Princeshës Marija Lluiza.
Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Intervistë: Zllatko Zhelev
Tekst: Joan Kolev
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: kingsimeon.bg, facebook.com/SimeonSaxecoburggotha, bulgarianhistory.org, arkiv
Shkolla e Lartë Detare “Nikolla J. Vapcarov” në Varna festoi 144 vjetorin e themelimit. Gjatë të gjitha këtyre viteve institucioni arsimor ndjek tendencat për trajnime të specializuara të specialistëve në fusha të ndryshme profesionale që lidhen me..
Në kryeqytet u shfaq filmi dokumentar i gazetares Milena Milotinova "Vetëm sepse ata ishin bullgarë". Ai kujtoi ngjarjet e të ashtuquajturve “Krishtlindjet e përgjakshme” në Maqedoni në vitin 1945. Në shfaqjen në Institutin Maqedonas asistuan..
Qyteti i shenjtë shkëmbor i Perperikonit mori një tjetër njohje të madhe. Pasi një muaj më parë hyri në top dhjetëshen e vendeve arkeologjike më interesante në Evropë sipas gazetës së njohur britanike “The Guardian”, tani është shfaqur në faqen e..