Sipas besimeve popullore, ngjyra e kuqe zotëron fuqinë e diellit dhe i jep vitalitet çdo qenieje të gjallë, ndërsa e bardha simbolizon pastërtinë, pafajësinë dhe gëzimin. Shfaqja e fijeve të përdredhura të bardha dhe të kuqe të njohura si verore tregon se dimri po ia lë vendin pranverës.
Sipas një legjende të vjetër, verorja ishte përhapur në trojet bullgare që nga koha e trakëve, madje edhe Orfeu e stoliste lirën e tij me to.
Një legjendë më e re e lidh veroren me vendosjen e bullgarëve në krye me khanin Asparuh në Gadishullin Ballkanik dhe fitoret e tyre të lavdishme.
Në Bullgari tradita, që më 1 Mars t’i dhurojmë njeri tjetrit verore, është shumë i përhapur. Madje, verorja prej kohe është një nga simbolet tona kombëtare. Megjithatë, fijet e përdredhura të kuqe dhe të bardha nuk janë një traditë ekskluzivisht bullgare. Rezulton se janë të njohura edhe në Rumani, Moldavi, Shqipëri, Greqi, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, ku mbahen edhe amulete të ngjashme për shëndetin –ndonëse me emra të ndryshëm.
Në vendin tonë, verore mund të shihen nëpër rrugë dhe sheshe që në fillim të shkurtit. Mjeshtrit e aftë i prezantojnë produktet e tyre në tezgat e improvizuara në qytetet e mëdha. Dhe as bora, as temperaturat e ulëta mund ta ndalin kërkesën dhe ofertën e këtij simboli të nderuar të pranverës.
Megjithatë, çfarë duhet të kemi parasysh kur veshim një verore në mënyrë që ajo të mos humbasë fuqinë e saj magjike në botën tonë moderne? Po kërkojmë përgjigjen e kësaj pyetjeje nga specialistja Maria Bojanova nga Qendra e Vizitorëve në Muzeun Etnografik në Sofje:
“Të moshuarit thonë se, "një fije e pa përdredhur nuk është verore". Fijet duhet të jenë të leshta në veroren tradicionale. Është e rëndësishme gjithashtu, se e kuqja dhe e bardha ishin kombinimet më të zakonshme të ngjyrave në trojet bullgare, por ka edhe ngjyra të tjera që hasen në veroret. Për shembull, verore shumëngjyrëshe hasen në malet Rodopa. Ato përfshijnë të verdhë, jeshile dhe blu. E rëndësishme është që fijet e verores të jenë të përdredhura. Sepse përdredhja nga njëra anë simbolizon ndërthurjen e stinës së dimrit me stinën e verës - muaji mars është pikërisht ky kalim nga dimri në verë, dhe nga ana tjetër - njerëzit kanë thënë: "vajzat të përdridhen rreth djemve, ashtu siç është e përdredhur verorja."
Kur flasim për veroren, nuk duhet ta përvetësojmë si krenari kombëtare dhe diçka unike vetëm për ne. Veroret u afirmuan veten si një zakon ballkanik edhe para vendosjes së kufijve kombëtarë në rajonin tonë, beson studiuesja e kësaj tradite të lashtë. Nuk mund të përcaktojmë me siguri se sa e vjetër është, por duket se përfaqëson një trashëgimi të lashtë të lënë ndër popujt tanë. Mirëpo, Gjysha Marta është një figurë mitologjike që ekziston vetëm te bullgarët. "Ajo është personifikimi i marsit - një muaj me mot shumë të ndryshueshëm, dhe për këtë arsye në mënyrë më logjike merr një imazh femëror, duke mbajtur një temperament të fortë dhe të ndryshueshëm", shpjegon Maria Bojanova dhe shton:
“Ne e dimë se kur Gjysha Marta është e buzëqeshur, moti është me diell, ndërsa kur ajo është në humor të keq –bie shi. Ka legjenda të ndryshme që shpjegojnë ndryshimin e humorit të Gjyshes Marta. Emëruesi i përbashkët në përshkrimet është se ajo është një grua e moshuar, që vjen nga fundi i botës për të vizituar njerëzit më 1 Marsin. Që andej e tutje, gjithçka është një interpretim personal, mbivendosje shtesë, përfshirë ato të krijuara nga poetët pas Çlirimit të Bullgarisë. Përshkrimet e para i gjejmë në poezinë për fëmijë “Gjyshja Marta nxitonte për të lidhur veroret”. Në këtë kohë u formuan edhe simbolet Pizho dhe Penda, të përfshira në verore, të cilat ndoshta përfaqësojnë një vazhdimësi të xhufkës si zbukurim, të rikrijuara nga personazhet me të njëjtin emër nga tregimet e shkrimtarit Elin Pelin.”
“Për ty, verore, më jep shëndet!” Me këto fjalë, paraardhësit tanë e hiqnin amuletin e tyre dhe shpeshherë e hidhnin te dielli, te një lejlek ose dallëndyshe kur i shihnin në pranverë. Çfarë fshihet pas kësaj tradite të lashtë - shpjegon Maria Bojanova:
“Në këtë mënyrë ata kërkonin të marrin shëndet në këmbim. Kjo është një formulë e lashtë - unë jap për të marrë, ose mënyra në të cilën, që nga kohërat e lashta, njerëzit u kanë lutur perëndive për atë që u nevojitet. Dhënia e kurbanit funksionon në të njëjtin parim, ndërsa brumosja e bukës rituale është një lloj blatimi me drithë. Njerëzit fillimisht japin nga vetja, gjënë më të mirë, më të vlefshme që kanë, në mënyrë që të marrin diçka që u nevojitet në këmbim. Dhe konkretisht me formulën “Për ty verore, më jep shëndet!”, veroja i jepet diellit si një fli. E veçanta është se verorja pasi hidhet në diell digjet. Me sa duket, në këtë mënyrë ajo shkon në diell në mënyrë që njerëzit të marrin shëndet në këmbim.”
Pasi vishet më 1 mars, verorja mund të mbahet deri më 9 mars - festën kishtare të 40 Martirëve të Shenjtë, ose deri më 25 Mars – Ungjillëzimin e Shën Marisë, thotë Maria Bojanova. Verorja mund të hiqet edhe kur shfaqet lejleku i parë, dallëndyshja e parë, qyqja e parë ose kur lulëzon pema e parë frutore. Sipas një besimi tjetër, verorja mund të mbahet deri në fillimin e të korrave në verë.
Më shumë për traditën e veshjes së veroreve në Bullgari mund të lexoni në koleksionin e Radio Bullgarisë:
Në artikullin më poshtë mund të lexoni më shumë për traditën e verores te bullgarët në Shqipëri:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Muzeu Kombëtar Etnografik – Akademia Bullgare e Shkencave, BTA
Ajo ka lindur më 28 korrik 1935 në fshatin Bistrec të Stranxhës në Bullgarinë Verilindore. Në moshën 17-vjeçare mori pjesë në një konkurs në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në Sofje, ku u miratua për korin “Filip Kutev”...
Ekspozita "Paftat - një univers shenjash" e Muzeut Historik Rajonal në Ruse po viziton Burgasin. Në ekspozitën, e cila hapet në Muzeun Etnografik mund të shihen më shumë se tridhjetë shembuj të artit të argjendarisë. Paftat janë pjesë e veshjeve..
Nuk ka statistika që përmbledhin numrin e saktë të grupeve bullgare të vallëzimit jashtë vendit. Por një gjë është e sigurt - këto grupe të krijuara vetë, të shpërndara në të gjitha kontinentet, janë një urë lidhëse e gjallë midis Bullgarisë dhe pjesës..