Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dirigjenti i ri evropian Bojan Videnov e konsideron Operën e Sofjes si familjen e tij

3
Foto: boianvidenoff.com

Dirigjenti me rrënjë bullgare, edukim italian dhe pasaportë gjermane, Bojan Videnov – një muzikant dhe menaxher i talentuar dhe simpatik me një karrierë të admirueshme evropiane, ishte në Sofje në mesin e marsit për dy shfaqje të “Madame Butterfly” me pjesëmarrjen e yllit botëror Kristine Opolais.

Kristine Opolais dhe Liparit Avetisyan

Një ditë para shfaqjes së parë, bisedova me Bojan Videnov – djalin e dy muzikantëve të jashtëzakonshëm bullgarë. Nëna e tij është violinistja jonë e njohur Dora Brëçkova, ndërsa babai i tij – baritoni i shkëlqyer Ljubomir Videnov, të cilin të gjithë e mbajnë mend, dhe në Operën e Sofjes ende flitet për të me dashuri të madhe!

“Mund ta konfirmoj vetëm këtë dashuri për babanë tim, këtu në teatër. E ndjeva që para dy vitesh, kur erdha për herë të parë të drejtoj ‘Traviata’-n dhe menjëherë ndjeva një valë dashurie, e cila, sigurisht, ishte për babanë tim – disi u reflektua drejtpërdrejt edhe tek unë… Doli një lidhje shumë e bukur. Jam rritur në Itali. Kam qenë një vjeç kur prindërit e mi u larguan aty. E bukura është se megjithatë arrita të mësoj bullgarisht – në fillim ishte italishtja, pastaj bullgarishtja. Që në moshë të hershme fillova të luaj në violinë, pastaj edhe në piano. Të dy janë marrë me mua, madje me babain jam marrë edhe me këndim, unë e dua shumë këngën. Kur kishim mësime me të, më kujtohet, nëna ime gjithmonë thonte se pas 45 minutash nxehje zëri, ajo nuk ishte më e sigurt kush nga të dy po këndon në atë moment.”

Gianluigi Gelmetti

Pas violinës dhe pianos vjen dirigjimi. Mentori më i rëndësishëm në jetën e Videnovit është specialisti i njohur operistik Gianluigi Gelmetti, të cilin bullgari e përcakton si “muzikant të një formati të madh”. Për pesë vite Bojan mëson me Gelmettin në Akademinë “Chigiana” në Siena, udhëton me të, i asiston. Përfundon gjithashtu Shkollën e Lartë të Muzikës në Manhajm (Hochschule für Musik und Darstellende Kunst Mannheim), dhe specializohet në Berlin. Ndër profesorët e tij të njohur është legjendari Jorma Panula. Takimet me Gennady Rozhdestvensky, Marcello Viotti dhe Günther Herbig janë gjithashtu pjesë e rritjes së tij si dirigjent. Në bisedë diskutojmë edhe çështjen nëse vendi ku duhet të mësohet dirigjimi është Gjermania, ashtu siç është konsideruar në të kaluarën. Por më e rëndësishme për mua është mendimi i tij për Operën e Sofjes.

"Eh, nuk e di pse, por e ndiej si familje këtu. Niveli është shumë i lartë! Orkestrantët luajnë me fleksibilitet, me kuptim për zërin. Luajnë shumë muzikalisht, për mua është shumë kënaqësi të punoj me ta. Dhe ndoshta prandaj kthehem kaq shpesh këtu, sepse mendoj se është e ndërsjellë. Na pëlqen njëri-tjetri dhe unë kam ndjesinë se ata kanë një kuptim të madh për lirikën, një kuptim të madh gjithashtu për frazimin e bukur, frazimin muzikor. Thjesht më vjen shumë mirë të punoj me ta."

Përvoja e tij e parë me zhanrin e operës është pikërisht në teatrin tonë kryesor në kryeqytet. “Plamen Kartalov ma dha këtë shans – të vij, dhe unë jam shumë mirënjohës për këtë – thotë Videnov. – Sepse gjithmonë keni nevojë për dikë që të besojë në ju dhe t’ju japë mundësinë e parë, dhe ky ishte ai.” Sipas tij, drejtori i Operës së Sofjes “mban flamurin e artit të madh lart.” Bojan është mirënjohës për mundësinë që të hyjë në një ansambël të tillë dhe në një teatër të tillë, me tradita dhe nivel të denjë. Pikërisht Bojan Videnov është dirigjenti që qëndroi në podium në paraqitjet e para të yllit tonë të njohur Sonja Jonçeva në Operën e Sofjes. Këto ishin dy shfaqje të “Bohemëve” në fund të shkurtit dhe fillim të marsit 2024.

“Ne me Sonjën kemi punuar shumë, disa gala-koncerte bashkë, jemi miq mjaft të afërt. Më kujtohet, vitin e kaluar Plamen Kartalov më kishte thënë se kishte këtë ëndërr – nëse do të mundej që një ditë Sonja të vinte. Dhe unë i thashë: ‘Do ta pyes.’ Sipas mendimit tim, kjo ishte një ngjarje e madhe për Sofjen. Ishte e rëndësishme që ajo në të vërtetë erdhi për një performancë në skenë, e jo për një gala-koncert, dhe për të gjithashtu ishte një ngjarje shumë, shumë emocionale.”

Flasim në detaje edhe për faktin se në moshën 23-vjeçare Bojan Videnov themelon orkestrën e tij në Manhajm. Një hap mjaft i guximshëm, i rrezikshëm. E pyes se si ka pasur guximin, dhe ai qesh: “Nuk mund t’ju them si! Thjesht… kështu e ndjeva, që doja ta bëja.” Jep shembullin se si për një vend për flautist në Gjermani aplikojnë mbi 300 persona dhe ndodh ndonjëherë që askush të mos e fitojë punën, thjesht thonë që nuk janë të kënaqur me nivelin. Kështu vjen ideja për të krijuar një formacion për të rinj, që të mësojnë si të luajnë në orkestër.

Sot solistët e Filarmonisë së Manhajmit janë yjet më të mëdhenj. Si arrin t’i tërheqë ata?

“I pari ishte Misha Maisky, i cili erdhi, sepse unë i njihja fëmijët e tij – Lili dhe Sasha Maisky. Ata erdhën si trio dhe luajtën Beethoven – Koncertin e trefishtë. Bashkëpunuam shumë mirë, me Mishën u bëmë menjëherë miq.”Historia vazhdon si përrallë: Misha i tregon Marta Argerich. Pastaj vjen Sergej Babayan, me të cilin Bojani menjëherë po ashtu bëhet mik. Më pas vijnë Pinchas Zukerman, Maria João Pires, Gautier Capuçon dhe kështu me radhë: “Thjesht përhapet fjala,” – thotë Bojan.

“Mendoj se në përgjithësi solistët e duan të kenë partnerë që janë të ndjeshëm si dirigjentë."

Në fund nuk mund të lë pa përmendur projektin e tij të famshëm për dixhitalizimin e materialeve muzikore - Enote.

Që disa vite më parë shpërtheu lajmi se po krijohej diçka kaq inovative dhe se një bullgar ishte në themel të saj.

“Vazhdojmë të dixhitalizojmë, kjo, natyrisht, është një transformim i madh” – thotë Videnov, “sepse muzikantët prej qindra vitesh janë mësuar të luajnë nga letra... Nuk mbaj më partitura të rënda… Thjesht është vërtet një lehtësim i madh…”Ky projekt është sërish një ide personale e Bojan Videnoff, e krijojnë atë me mikun e tij nga industria teknologjike – Jozef Tufan. Mbi 9 milionë nga financimi vijnë nga Bashkimi Evropian, dhe gjithsej janë investuar mbi 22 milionë euro në projekt.Tashmë është dixhitalizuar pothuajse gjithçka nga repertori standard. Qëllimi i tij tani është të krijojë një platformë për kompozitorët e rinj, që të mund të publikojnë atje, sepse sot është e kushtueshme të botohen vepra të reja.


Në çfarë beson ky muzikant i talentuar, ambicioz, jashtëzakonisht energjik dhe karizmatik?

“Besoj në dashurinë... mes njerëzve. Ky është gjëja në të cilën besoj më shumë – se me dashuri arrihen gjërat më të bukura.”

“Unë mendoj se ne gjithmonë jetojmë në të ardhmen – thotë Bojan. – Dhe gjithnjë e më shumë përpiqem disi të ndal këtë proces mendor dhe të them: ‘Shiko çfarë ke sot. Ji mirënjohës për atë që ke!’ Pyetja – drejt çfarë synon, çfarë dëshiron, kjo pyetje është një e tillë që shpesh mund të sjellë edhe pakënaqësi. Sepse njeriu gjatë gjithë kohës krahason – të tashmen, me atë që do të dëshironte. Por nëse arrin ta ndajë këtë, të shikojë vetëm të tashmen, unë mund të them se… po e jetoj jetën që dua të jetoj. Dhe jam shumë i lumtur për këtë. Sepse bëj muzikë me ndoshta muzikantët më të mëdhenj që mund të imagjinojë njeriu – idhujt e mi nga fëmijëria. Luaj me muzikantë të rinj dhe me orkestra të tilla fantastike si këtu, në Sofje, që kanë dëshirë të bëjnë muzikë dhe janë të gatshëm të ndjekin idetë e mia. Dhe kam mundësinë të bëj projekte kaq interesante si Enote, ku kam një lloj ‘entrepreneurial spirit’ (shpirt sipërmarrës), që thjesht është brenda meje dhe aty kam mundësinë ta përjetoj këtë. Dhe kam një familje fantastike dhe njerëz që më duan. Prandaj unë mendoj se ky është drejtimi që synoj dhe në fakt ky është – sot.”


Fotografi: boianvidenoff.com, Facebook /Bojan Videno, operasofia.bg, sofiaphilharmonic.com (V. Balevska), Sofia National Opera and Ballet

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Orkestra e Dhomës së Radios Bavareze

Ansambli i Dhomës së Radios Bavareze po viziton Sofjen për Pashkë

Ndër formacionet prestigjioze – të ftuar specialë në edicionin e 25-të të "Festivalit Evropian të Muzikës" në Sofje – është Orkestra Dhoma e Radios Bavareze me drejtor artistik Radosllav Shulc. Vizita e parë në kryeqytetin tonë e këtij ansambli elitar..

botuar më 25-04-13 6.00.PD

"A beson" - një projekt blues nga Angell Djullgerov

Angell Djullgerov është kitarist, violinist, kompozitor, aranzhues dhe lider muzikor, i cili vitet e fundit ka punuar me yjet më të mëdhenj të muzikës bullgare, si Lili Ivanova , Ljubo Kirov e shumë të tjerë. Paralelisht me pjesëmarrjen e tij në..

botuar më 25-04-11 1.55.MD
Svetlin Rusev

Svetlin Rusev – virtuozi botëror që dëshiron shumë të jetojë në… Bullgari!

Violinisti Svetlin Rusev – një nga instrumentistët më të shquar për momentin në mbarë botën, një artist karizmatik me një inteligjencë për t’u admiruar, kulturë të thellë zanore dhe lehtësi të jashtëzakonshme në komunikim, ishte në Sofje më 13 mars për..

botuar më 25-04-10 8.05.MD