Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bamirësia në Kenia – misioni që ndryshoi jetën e dr. Shtërbanova

6
Foto: Arkiv personal

Dëshira e saj për t’u ndihmuar shpirtërave të vegjël të privuar nga fati, e çon deri në anën tjetër të globit. Dr. Elena Shtërbanova – specialiste në anesteziologji në spitalin kryesor “Shën Ekaterina” në kryeqytet, pranon se gjithmonë ka dashur të marrë pjesë në misione vullnetare në Kontinentin e Zi. Verën e kaluar ajo lidhet me fondacionin bullgar “Hapi i dytë”, i cili mbledh fonde për fëmijët në Afrikë dhe me mbështetjen e tij niset për në Kenia. Mjekja e re vetë financon udhëtimin dhe qëndrimin trejavor në një konvikt për fëmijë në Nakuru – një nga qytetet më të mëdha në Kenia. “Ideja kryesore e misionit tim ishte t’u jepja fëmijëve dashuri, shembull të mirë dhe në përgjithësi – një krishterim të vërtetë”, thotë dr. Shtërbanova dhe shton: 


“Konvikti përbëhet nga shkollë fillore dhe gjimnaz. Fëmijët janë midis 300 dhe 400. Një pjesë e madhe e tyre nuk kanë prindër, janë jetimë, jetojnë, mësojnë dhe ushqehen atje. Vizituam një lagje, që sipas standardeve bullgare ishte si një vendgrumbullim mbeturinash, dhe nga aty ishin marrë shumica e tyre. Ishte shumë prekëse të shihje në çfarë kushtesh jetojnë njerëzit nëpër botë. Reagimi i parë kur shkon në një vend të tillë është shoku nga mjerimi, në të cilin jetojnë njerëz të vegjël, të pafajshëm, këta fëmijë. Të kuptosh se si fillon jeta e tyre, si vazhdon dhe në një masë të madhe si përfundon, sepse jetëgjatësia mesatare atje është shumë e ulët – midis 30 dhe 35 vjet.” 


Rezulton se fondacioni bullgar është i vetmi donator i huaj i konviktit në Nakuru, që siguron ushqim, rroba, ujë të rrjedhshëm, banka shkollore e të tjera për fëmijët e vegjël. Por ndihma bullgare nuk ka vetëm përmasa materiale dhe financiare, e rëndësishme është edhe mbështetja psikologjike. "Ndërronim orët mësimore dhe ndihmën në kuzhinë me lojëra. Sepse më e rëndësishmja është të jesh me ta, t’u tregosh se dikush interesohet dhe se nuk janë vetëm", ndan dr. Shtërbanova dhe shton:


"Ishte mbresëlënëse sa mirënjohës janë fëmijët. Ndoshta sepse e dinin se opsioni tjetër ishte të ishin në rrugë, pa ushqim, pa strehë. Fëmijë jashtëzakonisht të lumtur, mirënjohës për gjithçka që kanë. Ne u jepnim ushqim, rroba, dhurata, por ata më shumë gëzoheshin për vëmendjen tonë – që t’u tregosh dashuri, të luash me ta ose t’i ndihmosh në shkollë. E shumë nga fëmijët kanë histori të rënda – disa janë keqtrajtuar, të tjerëve prindërit u janë vrarë para syve, kishte fëmijë të infektuar me HIV, disa prej të cilëve ishin infektuar edhe nga përdhunimi. Por askush, e përsëris, askush nuk ankohej! Fëmijët ishin të lumtur që kanë mundësi të arsimohen. Atje fëmijët e shohin arsimin si dhuratë."


Dr. Shtërbanova tregon për habinë e pastër dhe gëzimin e fëmijëve kur u tregonte fotografi nga telefoni i saj. "Ata kuptuan që unë kam familje – nënë, baba, motër dhe se të gjithë janë gjallë. Në sytë e tyre unë isha si një yll i privilegjuar nga Bullgaria", thotë mjekja e re dhe shton se ndihmat e fondacionit bullgar janë jetike për këto shpirtëra të vegjël në anën tjetër të botës:
"Për mua kjo gjithashtu ishte shumë ndryshuese. Të shoh se si me 20 leva mund t’i siguroj një fëmije ushqim për një muaj të tërë dhe të mendoj për çfarë i shpenzoj këto para në Bullgari. Përvoja në Kenia më mësoi të jem mirënjohëse për atë që kam dhe të kuptoj sa të bekuar jemi në Bullgari. Në të njëjtën kohë, ne mbajmë përgjegjësinë të ndihmojmë ata që nuk kanë. Më e rëndësishmja ishte të shkoja atje dhe, për aq sa mundem, t’u tregoj dashurinë e Zotit këtyre fëmijëve – të ndiejnë se nuk janë vetëm në këtë botë, megjithëse ata janë të bindur se askush nuk i do. Dhe është shumë e bukur ndjenja t’u tregosh se nuk është kështu," përfundoi dr. Elena Shtërbanova. 


Shihni më tepër nga arkivi i Radio Bullgarisë:
Fotografi: Arkivi personal i Elena Shtërbanova

Përgatiti dhe publikoi në shqip: Sindi Nikollofski


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Xhonatan Angellov

Bullgari nga Parisi, Xhonatan Angellov – Është jeta një përrallë dhe cila është morali prej saj?

Ju pëlqejnë përrallat? Cila është e fundit që keni lexuar dhe sa ngjashmëri keni gjetur me jetën tuaj deri tani? Megjithëse shumë njerëz e konsiderojnë këtë zhanër letrar më tepër si diçka për fëmijë, përrallat janë burim i shumë mësimeve dhe..

botuar më 25-07-29 4.30.MD

Mediat moderne në sytë e bullgarit Veselin Vaçkov nga Çekia

Nëse duhet të veçojmë tiparet që e dallojnë një bullgar të suksesshëm në Evropën Qendrore, në asnjë mënyrë nuk do të ishte ndonjë biznesmen i madh që shfaqet me një makinë të shtrenjtë dhe një sërë suksesesh materiale. Përkundrazi, imazhi i bullgarit të..

botuar më 25-07-27 10.00.PD
Monika Evstatieva

Rruga e një bullgareje në radion publike të SHBA-së

Monika Evstatieva është gazetare që punon si producente në departamentin e hetimeve në radion publike amerikane NPR. Ajo ka lindur në Sofje dhe, kur ishte e vogël, ëndërronte të merrej me reklamë, por puna e saj në një radio në Blagoevgrad i ndezi..

botuar më 25-07-22 7.30.PD