Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bellosllav, vendi ku lind qelqi – tradita, muzeu dhe arti i gjallë

Foto: Veneta Nikollova

Muzeu i vetëm i Qelqit në Bullgari ndodhet në qytetin Bellosllav, në bregun e njërës prej mëngëve të liqenit Varna. Pikërisht në këtë vend, në vitin 1893, vëllezërit Mushallan hodhën themelet e prodhimit bullgar të qelqit, duke krijuar fabrikën e parë të qelqit, e cila ruan një traditë shekullore deri më sot.

Këtu prodhohen figura dhe produkte dekorative të shkëlqyera, dhe bëhen demonstrime të drejtpërdrejta - nga fryrja me dorë e qelqit deri te përdorimi i një sistemi modern fotovoltaik. E gjithë kjo e shndërron të gjithë procesin në një art të vërtetë. Sallat e ekspozitës pranë fabrikës zbulojnë hollësitë e prodhimit të qelqit në Bellosllav përmes eksponateve interesante. Për një prej atraksioneve turistike më të vizituara në rajon flasim me pronarin e fabrikës dhe të Muzeut të Qelqit ngjitur, Danko Kallçev:

Demonstrim i drejtpërdrejtë në punëtorinë e prodhimit

"Ne vendosëm, pasi fabrika e madhe - Nënë - u shemb, të krijonim një koleksion publik këtu në mënyrë që njerëzit të mund të shihnin se çfarë është ndërtuar në këto 132 vjet dhe në të njëjtën kohë veçanërisht, që fëmijëttë mund të shihnin në vend se si prodhohet qelqi duke përdorur energjinë diellore. Në verë, me ndihmën e sistemit tonë fotovoltaik dhe baterive, ne punojmë me mbeturina qelqi, duke krijuar figurina unike."

Ikona qelqi

Gjatë epokës socialiste, fabrika në Bellosllav eksportonte produkte qelqi në tregjet në të gjithë botën. Në vitin 1997, fabrika u privatizua. Në muzeun ngjitur njihemi me një koleksion mbresëlënës punimesh qelqi të prodhuara në fabrikë që nga themelimi i saj deri në ditët e sotme:

Është interesante që njerëzit mund të shohin xhamet e dritave të makinave “Lada” - thotë Danko Kallçev. – Dhe gjithashtu kapakët e lavatriçes "Perlla № 5" prodhuar në vendin tonë në të kaluarën. Ata mund të shohin kristalet e gdhendura me dy ngjyra, ose gotat e famshme të prodhuara automatikisht për rrjetin e restoranteve “Ballkanturist” në Bullgari.”

Furra e qelqit

Krijimi i figurinave prej qelqi demonstrohet drejtpërdrejt nga dy artizanë vendas - një spektakël i vërtetë që ngjall brohoritje dhe duartrokitje entuziaste nga publiku. Mund të hyni me një helmetë sigurie në të ashtuquajturën "shpellë qelqi" – furra e qelqit, ku masa e qelqit prodhohej duke shkrirë kuarcin dhe rërën. Dhe pastaj të hidhnit një sy "lumit të bukur prej qelqi" përgjatë të cilit rrjedh qelqi. Fëmijët mund të provojnë të dekorojnë vetë një shishe për ta marrë në shtëpi si suvenir.

Lumi i qelqtë

Historia e prodhimit të qelqit në trojet tona është interesante. Thuhet se qelqi ishte i njohur për popullsinë vendase në kohët e lashta, kur anijet tregtare egjiptiane arritën në brigjet e Detit të Zi, duke mbajtur në bord shishe qelqi. Por prodhimi i parë industrial i qelqit në vendin tonë filloi pikërisht në Bellosllav në fund të shekullit të XIX-të, pohon Danko Kallçev dhe shton:

"Gjatë 20-30 viteve të para, këtu punonin vetëm të huaj që vinin nga fabrikat e qelqit jashtë vendit. Ata e sollën këtë zanat në Bullgari dhe pas viteve 1920-1925, bullgarët filluan të punonin së bashku me mjeshtrit e huaj - xhampunues. Para kësaj, në vendin tonë pati disa përpjekje të vogla për të prodhuar, kryesisht shishe të vogla qelqi për vaj trëndafili, por historia e vërtetë e prodhimit të qelqit bullgar fillon pikërisht në qytetin Bellosllav” - thotë në përfundim Danko Kallçev.

Muzeu ndodhet shumë pranë një atraksioni tjetër turistik - nëndetëses së fundit bullgare "Sllava", e shndërruar në muze.

Në zonë mund të vizitoni edhe mrekullinë natyrore "Gurët e Drejtë", si dhe Muzeun unik të Mozaikëve në qytetin Devnja, 12 km larg. 

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Veneta Nikollova




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Qetësi, dritë dhe spiritualitet: Manastiri i Klisurës “Shën е Premtja” në dimër

I ngulitur mes kodrave të malit Ljulin, Manastiri i Klisurës “Shën е Premtja” është i mbuluar nga misteri dhe spiritualiteti. Ai ndodhet vetëm 7 km larg qytetit turistik  Bankja, në afërsi të fshatit Klisura. Dimri është koha kur manastiri i..

botuar më 25-02-23 9.25.PD

Të rinjtë bullgarë do të eksplorojnë Evropën përmes një udhëtimi falas me tren

558 bullgarë të moshës 18 vjeç do të mund të realizojnë një udhëtim me tren të ëndrrave nëpër Evropë, të mësojnë nga kulturat e tjera dhe të krijojnë miqësi të reja. Ata janë përzgjedhur për të marrë një kartë udhëtimi falas nga fushata DiscoverEU...

botuar më 25-02-23 8.30.PD

Verë dhe dashuri në Luginën e Strumës

Shën Valentini është festa më e shumëpritur për të dashuruarit, ndërsa ne, bullgarët, kemi një avantazh të veçantë - mund ta kombinojmë me Trifon Zarezanin, festën e verës. Dhe aty ku ka verë, ka dashuri. Kjo simbiozë e mrekullueshme ndihet veçanërisht..

botuar më 25-02-14 7.30.PD