Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Mediat bullgare nga 25 vende mblidhen në Sofje më 24 maj

Takimi Botëror i Mediave Bullgare Jashtë Vendit dërgon mesazhe të rëndësishme për të tashmen e tyre

Foto: BTA

Prej dy dekadash, mediat bullgare jashtë vendit mblidhen në një takim vjetor të organizuar nga Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA). Ngjarja njihet si Takimi Botëror i Mediave Bullgare dhe këtë vit edicioni i saj i 20-të hapet më 24 maj në Klubin Kombëtar të Shtypit të BTA-së.

Qëllimi kryesor i këtij forumi profesional është komunikimi dhe krijimi i rrjeteve dhe vendosja e marrëdhënieve bashkëpunuese midis gazetarëve bullgarë nga e gjithë bota. Përveç kësaj, ai ofron një mundësi për komunikim dhe shkëmbim përvojash midis mediave të bashkatdhetarëve jashtë Bullgarisë. Në të, ata i paraqesin problemet dhe sfidat në punën e tyre një rrethi më të gjerë njerëzish, përfshirë përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Forumi ka një histori 20-vjeçare dhe një fakt interesant është se Sofja priti si edicionin e parë në vitin 2005 ashtu edhe edicionin e sivjetshëm, duke shënuar përvjetorë të rëndësishëm që lidhen me shkrimin bullgar. Edicioni i parë i takimit mediatik përkoi me kremtimin e 1150 vjetorit të krijimit të alfabetit cirilik, dhe motoja atëherë ishte "1150 vjet alfabet". Viti aktual 2025 shënon 1170 vjet nga krijimi i alfabetit glagolitik, dhe tema e takimit më 24 maj është "Media dhe Dituria". Pritet në të të marrin pjesë përfaqësues të 34 mediave nga 25 vende, të cilët do të dërgojnë edhe një herë mesazhin se Bullgaria duhet të ketë një program të qartë për të mbështetur mediat bullgare në të gjithë botën. Pse është e rëndësishme kjo dhe çfarë lloj njerëzish merren me botimin e mediave bullgare jashtë vendit - shpjegon drejtori i BTA-së Kirill Vëllçev në një intervistë për Radio Bullgarinë:

"Ato bëhen më shpesh nga njerëz që punojnë edhe diçka tjetër. Ata i bëjnë me fonde personale, me ndihmë të pakët nga ndonjë formë reklamimi të bizneseve bullgare në vendet përkatëse. Ka vende në të cilat mediat bullgare ekzistojnë falë financimit nga këto vende. Ne kemi programe mbështetëse në vendin tonë. I fundit ishte në vitin 2022, dhe atëherë u mbështetën rreth 20 media bullgare, por kjo nuk garanton asnjë qëndrueshmëri. Nëse e di që një vit do të kesh ndihmë dhe një vit tjetër jo, nuk ka asnjë mënyrë që të punësosh njerëz dhe të nënshkruash kontrata të përhershme, madje as për gjëra themelore si shpërndarja e një medie."

Kirill Vëllçev

Vendi ynë ka nevojë për këto media sepse ato janë një nga format e ruajtjes së vetëdijen dhe gjuhës bullgare në të gjithë botën, së bashku me kishat bullgare, shkollat ​​e së dielës, ansamblet dhe shoqëritë folklorike bullgare.

"Media dhe Dituria" - kjo është motoja e Takimit Botëror të Mediave Bullgare këtë vit.

"Mediat janë një nga burimet e dijes për ditën e sotme. Prandaj, mund të thuhet se gazetarët janë si mësuesit. Megjithatë, mësuesit përdorin dijen e grumbulluar nga vitet e kaluara, ua kalojnë atë nxënësve dhe u mësojnë atyre se si ta përdorin përvojën e grumbulluar.Mediat, nga ana e tyre, mbajnë informacion për atë që po ndodh sot dhe për këtë arsye janë kaq të rëndësishme – shpjegon Vëllçev dhe shton: – Lidhur me debatin aktual rreth financimit të mediave publike, do ta konsideroja zgjerimin e tij – si të gjejmë forma financimi përmes programeve nga e gjithë shoqëria. Për më tepër, mendoj se ia vlen të thuhet se gazetarët duhet të paguhen të paktën po aq mirë sa mësuesit. Prandaj një nga mesazhet e tjera të rëndësishme të këtij takimi është të ndihmohen ata që mbartin informacionet për ditën e sotme që të jenë në gjendje ta bëjnë më mirë, të ripërtërihen, duke tërhequr të rinjtë. Pjesë e këtij procesi janë edhe mediat në mbarë botën që flasin dhe shkruajnë në bullgarisht."

Manastiri Klisurski

Programi festiv i 24 Majit do të jetë jashtëzakonisht i ngjeshur. Ai do të fillojë me vënien në qarkullim të një pulle postare të posaçme me imazhet e Vëllezërve të Shenjtë Kirill dhe Metodij nga Manastiri Klisurski, jo shumë larg qytetit Vërshec.

"Do të ketë edhe një hapje në Klubin Kombëtar të Shtypit të BTA-së. Ne e ftuam simbolikisht Mbretin Simeon II ta bëjë këtë, si 20 vjet më parë në vitin 2005. Presim nënpresidenten Ilijana Jotova, ministrin e turizmit Mirosllav Borshosh, i cili është ndër themeluesit e "Shoqatës së parë të Mediave Bullgare në Botë" 20 vjet më parë, kryetarin e bashkisë së Sofjes Vasill Terziev dhe kryetarët e komisioneve parlamentare që lidhen me temën - Toshko Jordanov dhe Jordanka Fandëkova - kryetarë të komisioneve për kulturë dhe media dhe politikë të jashtme."

Pas pjesës zyrtare planifikohet një panel pune kushtuar kulturës në media. Në të do të marrin pjesë përfaqësues të mediave bullgare, të cilat punojnë vazhdimisht për prezantimin e kulturës bullgare. Ndër to është edhe Radioja Kombëtare Bullgare, dhe ajo do të përfaqësohet nga Drejtori i Përgjithshëm Milen Mitev.

Milen Mitev

Paneli i dytë i kushtohet njohurive të reja në media. Një nga qëllimet është të diskutohet jo vetëm plani i përmbajtjes, por edhe mënyra se si transmetohet kjo njohuri e re. Në të do të marrin pjesë Ministri i Arsimit dhe Shkencës Krasimir Vëllçev, Presidentja e Akademisë Bullgare të Shkencave Evelina Sllavçeva dhe një numër përfaqësuesish të mediave më të përparuara teknologjikisht.

Takimi do të vazhdojë deri më 26 maj me aktivitete edhe në qytetin Vërshec, me të cilat organizatorët duan të tërheqin vëmendjen ndaj Rajonit Veriperëndimor të Bullgarisë, i cili ka nevojë për zhvillim të mëtejshëm për të dalë nga statistikat si më i varfri në BE. Ditën e fundit të takimit, të gjithë pjesëmarrësit ftohen në një konferencë përmbyllëse mbi projektin e BTA-së "Evropa në Ballkan - Së bashku përmes Dijes".

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BTA, Ani Petrova, berkovitsa.bg



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Rrethi, trekëndëshi dhe kryqi – sekretet e alfabetit glagolitik marrin jetë në punëtoritë për fëmijë

Në vitin 2025, Bullgaria shënon 1170 vjetorin e krijimit të alfabetit glagolitik – alfabeti i parë sllav që i parapriu alfabetit cirilik . Me këtë rast, Biblioteka Kombëtare organizon punëtori të posaçme “Unë shkruaj në alfabetin glagolitik”,..

botuar më 25-05-22 6.55.PD

Jarosllav Veshin - një çek shumëngjyrësh në Bullgari

Më 22 maj, në Muzeun Kombëtar të Historisë Ushtarake hapet një ekspozitë e quajtur "Një çek shumëngjyrësh në Bullgari". Ekspozita i kushtohet 165-vjetorit të lindjes dhe 110-vjetorit të vdekjes së Jarosllav Veshin - piktorit të parë kryesor në..

botuar më 25-05-22 6.10.PD

Disa institucione bullgare bëhen pjesë e një itinerari kulturor kushtuar Shenjtorëve Kirill dhe Metodij

Universiteti i Sofjes "Shën Kliment Ohridski", Shkolla e Mesme Kombëtare për Gjuhë dhe Kultura të Lashta "Konstantin-Kirill Filozofi", Instituti Kulturor Bullgar në Bratislavë dhe Fondacioni Glagolitik do të pranohen sot anëtarë të plotë të..

botuar më 25-05-22 5.05.PD