Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Sofja thyen rekordet në turizëm – çfarë i tërheq të huajt në kryeqytetin tonë?

Foto: BTA

"Rritet, por nuk plaket". Motoja e kryeqytetit tonë është vërtetuar me kalimin e kohës si plotësisht e vërtetë – Sofja po zhvillohet dhe po bëhet një qytet i bukur evropian pavarësisht problemeve që haset. Dhe po rritet jo vetëm në aspektin e infrastrukturës, por edhe si një destinacion turistik. Bëni një shëtitje, për shembull, në mbrëmje përgjatë pjesës për këmbësorë të bulevardit “Vitosha” dhe do ta shihni vetë – gjuha bullgare mezi dëgjohet në sfondin e gjuhëve të huaja që flasin turistët nga afër dhe larg.


Po, Sofja po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për turistët e huaj, sipas të dhënave zyrtare, të cilat tregojnë nivele rekord vizitash për tremujorin e parë të vitit.

Konstantin Zankov

“Sofja po zhvillohet shumë mirë, turizmi urban sigurisht që krijon praktika të mira dhe ka rritje të lartë. Duke folur për tremujorin e parë të vitit 2025, kemi mbi 280 mijë turistë, që përfaqëson një rritje prej dhjetë përqind krahasuar me vitin e kaluar. Janë realizuar rreth 630 mijë netqëndrime, që është rreth 4% më shumë se vitin e kaluar” - paraqet të dhënat zyrtare Konstantin Zankov, ekspert kryesor në Institutin për Analiza dhe Vlerësime në Turizëm.


Shumica dërrmuese e turistëve janë nga Evropa - nga tregje të tilla si Italia, Gjermania, Britania e Madhe, Spanja, të cilat kanë lidhje shumë komode transporti me fluturime me kosto të ulët. Shumë vizitorë në kryeqytet vijnë edhe nga vendet fqinje - Greqia, Turqia, Serbia, Rumania. Po rritet gjithashtu numri i turistëve nga destinacionet më të largëta si SHBA-ja dhe Izraeli. Të gjithë vijnë, në shumicën e rasteve, për 2-3 net, gjë që është tipike për llojin urban të turizmit.

Çfarë kërkojnë dhe gjejnë turistët e huaj në kryeqytet?


"Gjëja e mirë është se turizmi në tërësi është një hibrid shërbimesh të ndryshme. Zakonisht, kur udhëtojmë, veçanërisht në një mjedis urban, kombinojmë forma të ndryshme të turizmit. Sigurisht, më i përhapuri është ai kulturor dhe arsimor, kur vizitojmë vendet kryesore turistike të qytetit, por ka edhe lloje të tjera. Për shembull, ata që interesohen për turizmin fetar – mund të vizitojnë Kishën e Bojanës, ata që tregojnë interes për spa dhe wellness, kanë mundësinë të shkojë për një turizëm të tillë pranë Sofjes. Dikush që i pëlqen malet, shijon Vitoshën, ku ka gjithnjë e më shumë turistë. Të gjithë vizituesit preferojnë turizmin kulinar dhe të verës, i cili është shumë i përhapur tek të huajt në Bullgari", raporton Konstantin Zankov.


Entuziastët e Sofia Free Tour organizojnë ture falas tek atraksionet kryesore në qendër të kryeqytetit. Dhe ata ndajnë përvojën e tyre – interesi është i madh.


"Shumica e turistëve që vijnë në Sofje nuk kanë pritshmëri shumë të larta, ata nuk e dinë fare se çfarë është ky kryeqytet dhe çfarë e bën atë të veçantë. Ajo që po përpiqemi të bëjmë është t'u prezantojmë atyre vendet kryesore turistike brenda dy orësh.Ata e kuptojnë se Sofja është një qytet jashtëzakonisht i lashtë me një histori të pasur, e cila përfshin shumë kultura”, thotë udhërrëfyesi Tomisllav Rashkov, duke ndarë përshtypjet e tij nga puna me turistët e huaj."

Tomisllav Rashkov

Pjesë e grupit është Dan nga Holanda, i cili ka qenë në Sofje më parë, por për qëllime pune. Pastaj qyteti е ka impresionuar dhe ka vendosur të sjellë të gjithë familjen e tij.


"Më pëlqen qyteti dhe njerëzit. Qyteti është një kombinim i traditës së vjetër dhe stileve të reja. Është i organizuarmirë, njerëzit janë të veshur mirë, ndihemi rehat dhe të sigurt. Dhe më pëlqen të jem këtu."

Shumë të huaj nga brezi i ri, përveç atraksioneve kryesore të kryeqytetit tonë, nuk kanë, për ta thënë me butësi, asgjë kundër zhytjes në jetën e natës.

Përpara një lokali të njohur në qendër të qytetit takuam Eduardin dhe mikun e tij nga Mançesteri,  të cilët na thanë se janë të impresionuar nga kultura jonë e "bareve".


"Të them të drejtën, kjo është një përvojë e re për ne, nuk dija shumë për Bullgarinë. Kohërat janë të vështira në Angli, kështu që po kërkonim një vend që do të ishte i lirë për ne. Më pëlqejnë shumë gjëra këtu - miqësia e njerëzve, siguria - kjo është shumë e rëndësishme. Për një kryeqytet në Evropë, nuk e prisja të ishte kaq qetë këtu. Sigurisht që nuk do të ndihesha kaq i sigurt në vendin tim", na tha Eduardi.

Sofja tërheq shumë njerëz nga Evropa Perëndimore dhe jo vetëm për qëllime turistike, por edhe si një destinacion për punë dhe biznes.


Për shembull Luigi është nga Italia, por ka zgjedhur Bullgarinë, dhe më konkretisht Sofjen, për të vazhduar zhvillimin e karrierës së tij.

"Kam jetuar në Portugali për shtatë vjet, por zgjodha të vija në Sofje, Bullgari, për të hapur një biznes këtu. Pse? Për disa arsye. E para - isha me pushime këtu dhe mbeta me përshtypje shumë pozitive dhe doja të vija përsëri. Por edhe sepse dua të hap një biznes të vogël si freelancer dhe vendosa që sistemi këtu është i përshtatshëm dhe i mirë për sa i përket riskut. Sidomos sistemi tatimor - 10% taksë dhe 5% mbi dividentët. Pata gjithashtu mundësinë të takoja bullgarë, kultura duket mjaft e ngjashme me atë italiane", na shpjegoi Luigi motivimin e tij për zgjedhjen e Sofjes.


Dhe pavarësisht rritjes rekord të numrit të turistëve, tavani еnde nuk është arritur, beson Konstantin Zankov. Me promovimin e duhur të Sofjes si destinacion, mund të zhvillohet më tej turizmi kulturor dhe arsimor, por edhe turizmi i kongreseve dhe sporteve. Uji mineral i Sofjes është gjithashtu një pasuri e madhe, e cila në fakt aktualisht nuk përdoret për turizëm spa dhe wellness; mali Vitosha gjithashtu duhet të promovohet si një destinacion.


Lexoni më tepër për kryeqytetin e Sofjes nga arkivi ynë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva

Foto: Ivan Gergov, Facebook/Free Sofia Tour, Facebook/Kisha e Bojanës, Reuters, BTA, BGNES



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Vera 2025 në Pamporovo – teleferik i ri alpin, litar slackline, çiklizëm dhe klimatoterapi

Vendpushimi Pamporovo në Rodopet premton emocione dhe aventura të paharrueshme gjatë muajve të ngrohtë. Sezoni i ri hapet më 20 qershor. Edhe këtë verë, adhuruesit e pushimit aktiv do të rrisin adrenalinën e tyre në Parkun Aventuror..

botuar më 25-06-09 7.05.PD

Freski ngjyrash, shtëpi prej guri dhe histori nga e kaluara – një shëtitje në fshatin magjik Dolene

Në cepin më jugperëndimor të Bullgarisë, lart në malin Ograzhden, gjendemi në një copëz parajse të dalë nga përrallat – në fshatin magjepsës Dolene. Çdokush që vjen këtu mbetet i habitur, sepse pamja është shumë e pazakontë për shumicën e fshatrave..

botuar më 25-06-08 8.05.PD

Udhëtimet atraktive me trenat retro të Hekurudhave Shtetërore Bullgare janë një hit i padiskutueshëm turistik

Udhëtimet me lokomotiva me avull, të cilat BDZ (Hekurudhat Shtetërore Bullgare) i organizon me raste të ndryshme dhe festa për dashamirësit e trenave të vjetër, u bënë traditë. Treni që fishkëllen, që lëshon shumë avull dhe tym dhe bilbili i tij i..

botuar më 25-05-30 7.00.PD