Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Falenderime për Donvena Pandurskin, në Gjermani shqiptojnë shumë mirë emrin Stara Zagora

Foto: BTA

Donvena Pandurski – mjeshtre baleti bullgare me një karrierë të lakmueshme evropiane, ka përfunduar Shkollën Shtetërore të Koreografisë në Sofje në fund të viteve ’70 të shekullit XX dhe është emëruar në Operën e Sofjes. Në vitin 1988 diplomohet në konservatorin “Rimski-Korsakov” në Shën Petersburg në specialitetin regji baleti. Që nga viti 1989 jeton dhe punon në Gjermani.

Ka vënë në skenë shfaqje me trupat e baletit të Shtutgartit, të Operës Gjermane të Rajnës (Deutsche Oper am Rhein) në Dyseldorf, të teatrit Pfalztheater në Kajzerslautern. Ka punuar me Baletin Mbretëror Suedez në Stokholm, baletin e Operës në Göteborg, me trupën e Moris Bezhar (Maurice Béjart), me London City Ballet, me trupën e Teatrit Mariinsky në Shën Petersburg. Është autore e libreteve të baletit dhe skenarëve për filma. Në vitin 2023 themeloi Akademinë e Baletit të Vestfalisë në qytetin gjerman Asheberg.

Prej tri dekadash Donvena dhe bashkëshorti i saj – Mihail Pandurski – jetojnë në qytetin gjerman Mynster, ku ajo prezanton balete në stil klasik dhe neoklasik. Para disa vitesh, shoqja e saj e ngushtë, koreografja e njohur Silvia Tomova, e fton të shohë krijimin e saj të ri – baletin e Stara Zagorës. “Mbeta e mahnitur nga kjo trupë baleti shumë e ndritshme, e përbërë nga balerinë të kombësive të ndryshme, shumë shumëngjyrëshe, të gjithë profesionistë të nivelit të lartë, me motivim të madh” – thotë Donvena.



Që atëherë lindi ideja për të krijuar një shfaqje për ta. Ndërkohë, ajo i fton që të japin shfaqje në Mynster. Suksesi është i madh, shikuesit gjermanë janë shumë të kënaqur. “Në Mynster tashmë pyesin – kur do të vijnë sërish bullgarët? Të gjithë flasin për këtë dhe shqiptojnë shumë mirë emrin Stara Zagora.” Në Perëndim ka pak vende ku jepet balet klasik, por edhe atyre njerëzve u duhet, sepse “kjo është ndjenja e lindur natyrshëm e njeriut për bukurinë dhe estetikën”. Megjithatë, sipas Donvenës, bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Donvena Pandurski bën prova me Baletin Stara Zagora

“Baleti, në parim, është një art me kosto të lartë. Në Gjermani pothuajse kudo është në modë teatri i vallëzimit. Mund të realizohet nga një grusht njerëzish dhe pa skenografi. Edhe ai ka vendin e vet për të ekzistuar, por shumë herë në teatrin e vallëzimit, në të ashtuquajturin vallëzim modern, humbet, tretet përfytyrimi për ndonjë kriter të profesionalizmit dhe jo gjithmonë mund ta kuptosh përmbajtjen – më shumë është një formë. Mendoj se njerëzit, sado të jenë të impresionuar, le të themi në pesë minutat e para nga diçka e tillë, kur nuk ka dramaturgji, kur nuk ka ide, kur nuk ka as muzikë (shumë shpesh realizohet vetëm me zhurma) – çfarëdo që të ndodhë në skenë, nuk e prek shpirtin tënd. Dhe meqenëse njeriu ka lindur me shpirt në këtë botë – ka nevojë për emocion, ka nevojë për ide. Prandaj unë besoj fort se baleti do të vazhdojë gjithmonë të jetojë si një art i lartë, që udhëheq muzikën e bukur, hijeshinë, deri në fijet më të holla të shpirtit të njeriut.”



Ajo nga e cila ajo merr energji është muzika. Përveç kësaj: letërsia, filmat, kthimet në Bullgari, natyra e saj e bukur, ajri i pastër. Gëzohet të shohë miq të afërt këtu, i pëlqejnë emocionet e thjeshta njerëzore. Po në çfarë beson ajo?

“Besoj në të mirën. Besoj në të mirën në çdo njeri. Dhe mendoj se edhe kur është shumë e vështirë, kur ndonjëherë të duket se nuk ka rrugëdalje, nuk duhet të lejosh veten të shtypesh për tokë. Duhet gjithmonë të ngresh sytë lart, drejt qiellit, dhe të gëzohesh edhe për diçka krejt të vogël, që në atë moment mund ta kapësh me sy apo me vesh. Kjo është shumë e rëndësishme – njeriu të besojë në të mirën dhe të përpiqet gjithmonë të shikojë lart, përpara.”



Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: operasz.bg, Opera Shtetërore e Stara Zagora



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Foto: Karlovy Vary International Film Festival

Bullgaria është bashkëprodhuese në dy nga titujt e filmave në Festivalin e Filmit në Karlovy Vary

Nga data 4 deri më 12 korrik, në qytetin çek Karlovy Vary do të mbahet edicioni i 59-të i festivalit ndërkombëtar të filmit. 9 nga gjithsej 11 titujt në garën për çmimin “Globusi i Kristaltë” janë premiera botërore. Vendi ynë përfaqësohet atje me dy..

botuar më 25-06-08 7.00.PD

Regjisori slloven Jernej Lorenci do të vërë në skenë “Fizika e trishtimit” në Teatrin Popullor në Sofje

Një nga titujt, që do të jetë pjesë e repertorit të Teatrit Popullor gjatë vitit 2026, tashmë është i njohur. Kjo është shfaqja “Fizika e trishtimit” , të cilën regjisori slloven Jernej Lorenci do ta vërë në skenën teatrore. Kjo nuk është puna e tij e..

botuar më 25-06-07 7.00.PD

Për tre ditë gjatë qershorit Veliko Tërnovo jeton në kohën midis shekujve XII dhe XIV

Për të dhjetin vit radhazi, festivali "Përditshmëria e Tërnovgradit Mesjetar" do të mbledhë nga 6 deri më 8 qershor pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Evropës, për të rikrijuar ngjarjet historike dhe jetën e përditshme të qytetit ashtu siç kanë qenë..

botuar më 25-06-05 7.00.MD