Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Pëshpërimë nga rruga… fotografitë e Nikollaj Vasilev frymëzojnë histori letrare

Konkursi i nëntë për analizë artistike të fotografisë “Fotot flasin” vlerësoi autorët më të mirë

10
Foto: Galeria e Shtypit të Sofjes

Kur artet e ndryshme hyjnë në kontakt, lindin gjëra të papritura. Dhe asgjë nuk është përfundimtare – fjalët zbukurojnë imazhin, ndërsa perceptimet fluturojnë drejt interpretimeve dhe botëve të reja. Një përvojë e tillë, që na rikthen në një kohë jo shumë të largët, zbulohet nga ekspozita “Zhurmë dhe pëshpërimë nga rruga” mbi vepra emblematike nga arkiva e fotografit-artist Nikollaj Vasilev.

Në galerinë-librari “Sofia Pres”, të rrethuar nga fotografitë e jashtëzakonshme të Nikollaj Vasilev, Akademia e Fotografisë “Janka Kjurkçieva” vlerësoi fituesit në edicionin e nëntë të konkursit për analizë artistike të fotografisë “Fotot flasin” 2025. Pjesëmarrësit u ftuan të krijojnë histori të frymëzuara nga çaste të kapura në qytete nga skaje të ndryshme të botës, nga njerëz dhe epoka të viteve ’60, ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar.

Olimpia Nikollova dhe Anton Savov

“Bën shumë përshtypje të këndshme që pjesëmarrësit i qasen me thellësi, në mënyrë analitike, me një ndjeshmëri të veçantë përqendrimi dhe dëshirë për të kuptuar artin – thotë Olimpija Nikollova, kritike arti dhe anëtare e jurisë së konkursit. – Ky ishte pikërisht qëllimi, kur pranuam idenë e Denis Buçellit, kolegut tonë fotograf, që të zhvillohet një konkurs i tillë. Ka shumë interpretime të ndryshme – nga impresionet poetike te njerëz që zhvillojnë më tej historinë ose shkruajnë një të re. Të tjerë analizojnë subjektin, personazhet, situatat me ndjeshmëri të thellë dhe njohuri për kohën dhe epokën.”



Shtëpi me fasadë e mbuluar me nekrologji dhe pranë saj një stendë gazetash.

Ky moment nga Dragomani frymëzon fituesen e konkursit, ark. Katerina Mutafova, të bëjë një analogji me mendimin e famshëm të Vasil Levskit: “Koha është tek ne dhe ne jemi në kohë, ajo na ndryshon dhe ne e ndryshojmë atë”, por edhe të shtrojë pyetje që shënjojnë ekzistencën tonë: “Ç’vlerë kanë gazetat për të gjallë e të vdekur, nëse në to nuk ka të vërtetë?! Ç’vlerë kanë nekrologjitë për të vdekurit, kur ata nuk janë respektuar e nderuar për së gjalli?”



Akademia zgjedh fotografitë e veteranit të shoqatës, Nikollaj Vasilev, për konkursin e sivjetshëm jo vetëm për respekt ndaj afro gjashtëdhjetë e pesë viteve të përvojës së tij krijuese. “Ia dolëm të nxisim adhuruesit e këtij formati ndryshe të flasin me fjalë përtej imazhit që ai ka kapur”, thotë kryetari i saj, Anton Savov, dhe shton: “Imazhet që mbërritën në sallën ekspozuese tregojnë njëkohësisht krijimtarinë e Nikollaj Vasilevit dhe të vërtetën, të rrëfyer ashtu siç e ndiejnë shikuesit përballë fotografive të tij.”

Një ndjenjë nostalgjie për një botë të panjohur/të paqartë, fjalë të përzgjedhura me kujdes për njerëz në prag të fundit të jetës ose tashmë të ikur – ndonjëherë rikthimi në të shkuarën tingëllon në tonalitet minor. Por nëse qëndrojmë përpara një fotografie të rastësishme, ajo mund të na çojë në drejtime krejt të ndryshme, mbështetur në ndjesitë dhe imagjinatën e autorëve të teksteve.

Anton Savov

“Shpirti i kapur i epokave të ndryshme, le t’i quajmë ashtu, në gamën e gjerë kohore në të cilën janë shkrepur fotot, vende dhe kultura të ndryshme – mbi këtë themel ndërtohen interpretimet e autorëve, – vlerëson Anton Savov. – Nikollaj Vasilev paraqet një reportazh autentik fotografik nga vendet që ka vizituar, sepse profesioni i foto-reporterit është pikërisht ky – të kërkojë interesanten në kohën kur ai vetë është dëshmitar i ngjarjes përpara tij, dhe ta ruajë për brezat që do vijnë. Sa i përket formatit “Fotot flasin”, ai synon të lidhë dy arte krejt të ndryshme në qasje, por të pandashme, sepse njëri gjeneron tjetrin dhe anasjelltas. E dimë që ata që shkruajnë shohin imazhe në mendjen e tyre, ndërsa fotografët kapin imazhe që tregojnë histori, pra konkursi është një lloj ure mes tyre.”





Kur përzgjedh fotografitë për analizë, Nikollaj Vasilev nis nga ideja që në to të ndodhë diçka – për shembull, njerëz të përfshirë në lojën e tyre të preferuar paçinko në një sallon lojërash në Kioto ose rekrutë në stacionin “Sofja veri” që nisen për ushtri.

Nikollaj Vasilev



“Këtu shohim mbishkrimin ‘Puna e mërzitshme të vret!’ mbi pllakat e trotuarit – ndalet përpara njërës prej fotografive autori i saj. – Ky është stacioni i autobusit pas Universitetit të Sofjes. Isha ulur në stol dhe po prisja dikush të kalonte, që të mos ishte vetëm një riprodhim i siluetës njerëzore të vizatuar dhe i autorit të tekstit”. 



Nikollaj Vasilev ndalet edhe përpara fotografive të tjera – “Ndërrimi i rojes”, sipas tij, do të ishte e vështirë të kuptohej nga dikush që nuk ka qenë në ushtri. Por për çudi, skena ku oficeri jep komandën “Gaz” për shkak të një sulmi me armë kimike, është interpretuar drejt nga një grua. Një tjetër moment i ka kushtuar fotografit tre orë në komisariat.



“Ky është nëntor ose dhjetor 1963 në Sofje – kujton Nikollaj Vasilev. – Në korridor ka reshje të lagështa bore dhe unë dal të fotografoj. Bëra disa shkrepje të njerëzve që shtyheshin për të hipur në një tramvaj të tejmbushur, pastaj u ktheva dhe pashë një shitëse biletash lotarie që mbulohej me disa shallë të grisur. Teksa po drejtoja aparatin, dy civilë më morën nga të dyja anët dhe më çuan në Drejtorinë e Brendshme të MVR-së në Sofje, ku për tre orë më bënin të njëjtën pyetje: ‘Kush të paguan të bësh këto foto?’ Faleminderit Zotit që nuk ma konfiskuan filmin, që të mund ta shohim sot këtë fotografi.”



A ka përputhje mes perceptimit të tij për atë që është fiksuar në film dhe atij të autorëve të tregimeve?

“Po, ata shohin çfarë ka dhe e interpretojnë sipas mënyrës së tyre – përgjigjet fotografi. – Do të më lejoni të citoj Bernard Show, i cili dikur, kur botonte ndonjë vepër, priste që kritikët të shkruanin diçka që të kuptonte çfarë kishte dashur të thoshte. Edhe unë jam pak a shumë në të njëjtën pozitë. Më intereson shumë, do të ulem me qetësi dhe do t’i lexoj me kujdes të gjitha komentet – për të kuptuar çfarë kam dashur të them.”



Po të përdorim fjalët e fotografit të njohur amerikan Ansel Adams, në një fotografi gjithmonë marrin pjesë të paktën dy vetë – ai që e ka bërë dhe ai që e shikon. Vizitorët e ekspozitës gjithashtu mund të shtojnë, qoftë edhe në mendjen e tyre, fjalët e tyre për imazhet në galeri.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Diana Cankova, Galeria-Libraria e Shtypit Sofja


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Verë, muzikë, perëndi dhe heronj – Opera e Sofjes na fton në Festivalin tradicional të Wagner-it

Festivali i veçantë veror i Wagner-it, i organizuar nga Teatri Kombëtar i Operës në Bullgari, fillon këtë vit më 26 qershor me premierën e operës “Tannhäuser” – vepra e nëntë nga Richard Wagner në repertorin e trupës së kryeqytetit.  Në konferencën..

botuar më 25-06-23 10.10.MD

Teatri i Plovdivit me partneritet të ri dhe premierë botërore

Teatri Dramatik "N. O. Masalitinov" në Plovdiv informon për një fazë të re në zhvillimin e kulturor në vend. Bëhet fjalë për fillimin e një partneriteti strategjik me një kompani kryesuese në përpunimin e metaleve të çmuara dhe metaleve me ngjyra, që..

botuar më 25-06-22 8.20.PD

Festivali “Vera e Varnës” e pret 99-vjetorin e vet në mënyrë ambicioze dhe tërheqëse

Festivali i parë muzikor në Bullgari është themeluar në vitin 1926 në Varnë. Pothuajse një shekull më parë, menjëherë pas hapjes zyrtare të Banjave Detare – qendra e parë spa në kryeqytetin bregdetar të Bullgarisë, muzikantë të njohur si Dobri Hristov dhe..

botuar më 25-06-21 7.00.PD