Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Doc. Dr. Spas Tashev: Çdo "identitet maqedonas" përfshin edhe bullgarët

Foto: BGNES

Projekti i raportit për përparimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt integrimit evropian u bë një temë e nxehtë ballkanike javët e fundit, pasi raportuesi Thomas Waitz përfshiu në dokument koncepte si "identitet maqedonas" dhe "gjuhë maqedonase" – formulime që janë refuzuar kategorikisht nga Bullgaria. Teksti shkaktoi një reagim të menjëhershëm nga eurodeputetët bullgarë, por u miratua nga Komisioni për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian.

Kjo çoi në një konsolidim të mëtejshëm të përfaqësuesve bullgarë në PE, dhe më 1 korrik Shoqata e "Pasardhësve të refugjatëve dhe të shpërngulurve nga territori i Maqedonisë së Veriut" dërgoi një letër të veçantë drejtuar David McAllister, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian. Nga Shoqata pyesin: çfarë e bën të domosdoshme përfshirjen e kategorive "identitet maqedonas" dhe "gjuhë maqedonase" në raportin e PE-së nga viti 2025 për përparimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit në BE?

Bashkëkryetarët e shoqatës, Prof. Trendafil Mitev, Doc. Spas Tashev dhe Ilija Stojanovski theksojnë se në qëndrimet e Komisionit Evropian nga vitet 2023 dhe 2024 për përparimin e Maqedonisë së Veriut mungojnë formulime që lidhen me "identitetin maqedonas" dhe "gjuhën maqedonase".

Doc. Dr. Spas Tashev

"Ne e shtrojmë pyetjen: cila është lidhja mes përparimit të një shteti në rrugën drejt integrimit evropian dhe identitetit të një pjese të popullsisë së tij? Theksojmë “një pjese”, dhe menjëherë nënvizojmë se kemi bërë pyetjen: çfarë saktësisht nënkuptohet me “identitet maqedonas”? Sepse identiteti është një kategori që nuk është e fiksuar. Mendoj se kryetari i këtij komisioni do të tronditet nga pyetjet tona. Ai vetë me gjasë nuk ka pasur parasysh se sa të ndërlikuara mund të jenë marrëdhëniet ndërmjet shteteve ballkanike dhe se si ndërhyrja e Parlamentit Evropian, në vend që të ndihmojë në uljen e tensioneve në rajonin tonë, në praktikë po i shërben interesave të forcave të jashtme për Evropën", shpjegon Spas Tashev, docent në Institutin për Studimin e Popullsisë dhe Njeriut pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.

Para Radio Bullgarisë, ai parashikoi se shumica në PE më 8 korrik nuk do të mbështesë përfshirjen e shprehjeve "identitet maqedonas" dhe "gjuhë maqedonase" pa ndonjë përcaktues të qartë, si p.sh. "modern" apo "bashkëkohor".

"Në letrën tonë kemi shtruar edhe pyetjen: pse, kur përmendet në raportin e PE-së “identiteti maqedonas”, nuk përmenden edhe identitetet e grupeve të tjera etnike që jetojnë atje, sipas kushtetutës së Maqedonisë së Veriut? Atje ka komunitete të pranuara – shqiptarë, turq, romë, vllahë, serbë. Këto identitete gjithashtu mungojnë. Për ne kjo është një qasje diskriminuese dhe një çështje

shumë e rëndësishme. Pasi PE dhe BE e kanë pranuar në qëndrimin e tyre kornizë të vitit 2022 që ndryshimi i kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, përmes përfshirjes së komunitetit bullgar, është kusht për fillimin e negociatave për anëtarësim real në BE, atëherë pse mungojnë bullgarët mes identiteteve të  përmendura?" – pyet Tashev.

Analisti i proceseve demografike në Ballkan kujton se Bullgaria nuk e ka kontestuar kurrë ekzistencën e një identiteti modern maqedonas dhe nuk e konteston të drejtën e bartësve të tij për ta deklaruar dhe për ta shprehur atë.

"E njëjta gjë vlen edhe për të drejtën e tyre për ta quajtur gjuhën e tyre “maqedonase”, pasi kjo është e drejtë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Por, në të njëjtën kohë, ata që deklarohen si maqedonas nuk kanë të drejtë t’ua ndalojnë personave që dëshirojnë të ruajnë identitetin e tyre bullgar ta quajnë gjuhën e tyre amtare – dialektet lokale – bullgarisht. Dhe, për aq sa gjuha maqedonase është krijuar mbi bazën e dialekteve lokale bullgare, dhe për aq sa bartësit e identitetit bullgar vazhdojnë t’i quajnë këto dialekte bullgare, ne në një moment arritëm te një situatë e ngjashme me atë që ndodhi deri vonë në Moldavi. Aty për një kohë të gjatë, madje edhe sot sipas kushtetutës, gjuha zyrtare është “moldaviane”, por kudo tashmë kjo gjuhë quhet “rumanishte”. Madje edhe në vetë tekstet shkollore që përdorin nxënësit në Moldavi, gjuha nuk quhet më “moldaviane”, por “rumanishte”. Prandaj, fillimisht mendoj se bullgarët vendas, qytetarë të Maqedonisë së Veriut, do të kenë të drejtën t’i quajnë dialektet e tyre bullgare" - komenton studiuesi.

Demografi citoi gjithashtu të dhëna zyrtare statistikore të rëndësishme për identitetin në Maqedoninë e Veriut.

"Vitin e kaluar, përqindja e foshnjave të sapolindura që u regjistruan si maqedonas ishte 41%. Do të thotë se tashmë mbi 50% e të sapolindurve i përkasin identiteteve të tjera. Këto identitete do të fillojnë të mbizotërojnë ndaj asaj maqedonase, sido që të jetë, nëse nuk fillon një proces konsolidimi mbi bazën e rolit të gjuhës bullgare dhe kulturës bullgare, të cilat tradicionalisht kanë qenë faktorë bashkues. Madje edhe gjatë sundimit osman, gjuha e rrugës, e tregut, ka qenë bullgarishtja – për t’u kuptuar me njëri-tjetrin, tregtarët dhe përfaqësuesit e grupeve të tjera etnike përdornin gjuhën bullgare, pra ajo ka qenë lidhësi i shoqërisë. Sot, nëse më pyesni mua, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dominon gjuha shqipe. Dhe për këtë nuk janë fajtorë shqiptarët" - theksoi studiuesi.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BТА, BGNES, euronews.com



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Rektorja e Universitetit të Ruses, doc. Desisllava Atanasova dhe Drejtori i Përgjithshëm i BNR, Milen Mitev

Ura drejt bullgarëve në Moldavi: Radioja Kombëtare Bullgare do të bashkëpunojë me Universitetin e Ruses në Taraklia

Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) dhe Universiteti i qytetit Ruse do të jenë partnerë në aktivitetet kulturore dhe arsimore në degën e sapohapur të universitetit në Taraklia, Moldavi. Kjo u bë e ditur pas një takimi midis drejtuesve të të dy..

botuar më 25-06-27 3.51.MD

Ekzaminime mjekësore falas për bullgarët në Gollobordën e Shqipërisë

Për të dytin vit radhazi, Kolegji Mjekësor i Universitetit Trak në Stara Zagora (Bullgaria Jugore) po organizon ekzaminime mjekësore falas në Shqipëri. Një ekip prej 22 specialistësh është duke punuar nga 26 deri më 28 qershor 2025 me pacientë në..

botuar më 25-06-26 7.45.MD
Viktorija Ivanova

Konsullata e Përgjithshme e Bullgarisë në Nju Jork kërkon praktikantë dhe vullnetarë

Konsullata e Përgjithshme e Bullgarisë në Nju Jork hap dyert për praktikantë dhe vullnetarë, të cilët duan të fitojnë një përfytyrim realist për profesionin e diplomatit dhe të përfshihen në jetën kulturore të komunitetit bullgar përtej Oqeanit. Në këtë..

botuar më 25-06-26 7.10.MD