Projekti i raportit për përparimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt integrimit evropian u bë një temë e nxehtë ballkanike javët e fundit, pasi raportuesi Thomas Waitz përfshiu në dokument koncepte si "identitet maqedonas" dhe "gjuhë maqedonase" – formulime që janë refuzuar kategorikisht nga Bullgaria. Teksti shkaktoi një reagim të menjëhershëm nga eurodeputetët bullgarë, por u miratua nga Komisioni për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian.
Kjo çoi në një konsolidim të mëtejshëm të përfaqësuesve bullgarë në PE, dhe më 1 korrik Shoqata e "Pasardhësve të refugjatëve dhe të shpërngulurve nga territori i Maqedonisë së Veriut" dërgoi një letër të veçantë drejtuar David McAllister, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian. Nga Shoqata pyesin: çfarë e bën të domosdoshme përfshirjen e kategorive "identitet maqedonas" dhe "gjuhë maqedonase" në raportin e PE-së nga viti 2025 për përparimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit në BE?
Bashkëkryetarët e shoqatës, Prof. Trendafil Mitev, Doc. Spas Tashev dhe Ilija Stojanovski theksojnë se në qëndrimet e Komisionit Evropian nga vitet 2023 dhe 2024 për përparimin e Maqedonisë së Veriut mungojnë formulime që lidhen me "identitetin maqedonas" dhe "gjuhën maqedonase".
"Ne e shtrojmë pyetjen: cila është lidhja mes përparimit të një shteti në rrugën drejt integrimit evropian dhe identitetit të një pjese të popullsisë së tij? Theksojmë “një pjese”, dhe menjëherë nënvizojmë se kemi bërë pyetjen: çfarë saktësisht nënkuptohet me “identitet maqedonas”? Sepse identiteti është një kategori që nuk është e fiksuar. Mendoj se kryetari i këtij komisioni do të tronditet nga pyetjet tona. Ai vetë me gjasë nuk ka pasur parasysh se sa të ndërlikuara mund të jenë marrëdhëniet ndërmjet shteteve ballkanike dhe se si ndërhyrja e Parlamentit Evropian, në vend që të ndihmojë në uljen e tensioneve në rajonin tonë, në praktikë po i shërben interesave të forcave të jashtme për Evropën", shpjegon Spas Tashev, docent në Institutin për Studimin e Popullsisë dhe Njeriut pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.
Para Radio Bullgarisë, ai parashikoi se shumica në PE më 8 korrik nuk do të mbështesë përfshirjen e shprehjeve "identitet maqedonas" dhe "gjuhë maqedonase" pa ndonjë përcaktues të qartë, si p.sh. "modern" apo "bashkëkohor".
"Në letrën tonë kemi shtruar edhe pyetjen: pse, kur përmendet në raportin e PE-së “identiteti maqedonas”, nuk përmenden edhe identitetet e grupeve të tjera etnike që jetojnë atje, sipas kushtetutës së Maqedonisë së Veriut? Atje ka komunitete të pranuara – shqiptarë, turq, romë, vllahë, serbë. Këto identitete gjithashtu mungojnë. Për ne kjo është një qasje diskriminuese dhe një çështje
shumë e rëndësishme. Pasi PE dhe BE e kanë pranuar në qëndrimin e tyre kornizë të vitit 2022 që ndryshimi i kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, përmes përfshirjes së komunitetit bullgar, është kusht për fillimin e negociatave për anëtarësim real në BE, atëherë pse mungojnë bullgarët mes identiteteve të përmendura?" – pyet Tashev.
Analisti i proceseve demografike në Ballkan kujton se Bullgaria nuk e ka kontestuar kurrë ekzistencën e një identiteti modern maqedonas dhe nuk e konteston të drejtën e bartësve të tij për ta deklaruar dhe për ta shprehur atë.
"E njëjta gjë vlen edhe për të drejtën e tyre për ta quajtur gjuhën e tyre “maqedonase”, pasi kjo është e drejtë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Por, në të njëjtën kohë, ata që deklarohen si maqedonas nuk kanë të drejtë t’ua ndalojnë personave që dëshirojnë të ruajnë identitetin e tyre bullgar ta quajnë gjuhën e tyre amtare – dialektet lokale – bullgarisht. Dhe, për aq sa gjuha maqedonase është krijuar mbi bazën e dialekteve lokale bullgare, dhe për aq sa bartësit e identitetit bullgar vazhdojnë t’i quajnë këto dialekte bullgare, ne në një moment arritëm te një situatë e ngjashme me atë që ndodhi deri vonë në Moldavi. Aty për një kohë të gjatë, madje edhe sot sipas kushtetutës, gjuha zyrtare është “moldaviane”, por kudo tashmë kjo gjuhë quhet “rumanishte”. Madje edhe në vetë tekstet shkollore që përdorin nxënësit në Moldavi, gjuha nuk quhet më “moldaviane”, por “rumanishte”. Prandaj, fillimisht mendoj se bullgarët vendas, qytetarë të Maqedonisë së Veriut, do të kenë të drejtën t’i quajnë dialektet e tyre bullgare" - komenton studiuesi.
Demografi citoi gjithashtu të dhëna zyrtare statistikore të rëndësishme për identitetin në Maqedoninë e Veriut.
"Vitin e kaluar, përqindja e foshnjave të sapolindura që u regjistruan si maqedonas ishte 41%. Do të thotë se tashmë mbi 50% e të sapolindurve i përkasin identiteteve të tjera. Këto identitete do të fillojnë të mbizotërojnë ndaj asaj maqedonase, sido që të jetë, nëse nuk fillon një proces konsolidimi mbi bazën e rolit të gjuhës bullgare dhe kulturës bullgare, të cilat tradicionalisht kanë qenë faktorë bashkues. Madje edhe gjatë sundimit osman, gjuha e rrugës, e tregut, ka qenë bullgarishtja – për t’u kuptuar me njëri-tjetrin, tregtarët dhe përfaqësuesit e grupeve të tjera etnike përdornin gjuhën bullgare, pra ajo ka qenë lidhësi i shoqërisë. Sot, nëse më pyesni mua, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dominon gjuha shqipe. Dhe për këtë nuk janë fajtorë shqiptarët" - theksoi studiuesi.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BТА, BGNES, euronews.com
Ministria merr shënim përmbajtjen e Raportit të Komisionit për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian mbi progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë vlerësimet dhe konstatimet në lidhje me gjendjen e integrimittë saj..
Ministria e Drejtësisë po propozon një ndryshim në Tarifën Nr. 1 të Ligjit për Tarifat Shtetërore për tarifat e mbledhura nga gjykatat, prokuroria, shërbimet hetimore dhe Ministria e Drejtësisë. Qëllimi është të përditësohet shuma e tarifave shtetërore..
27 vjet e ndajnë Benoît Garbolino-n nga vendimi për të ndjekur zërin e zemrës dhe për të lënë Francën, për të jetuar në Bullgari. Arsyeja, siç i ka hije çdo historie të lumtur në jetë, është bashkëshortja e tij, Sijana, me të cilën është njohur në qytetin..
Një aparat unik për kontroll të syve me inteligjencë artificiale (IA) u përdor për herë të parë nga specialistë bullgarë gjatë ekzaminimeve mjekësore..