Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në vizitë zyrtare në Sofje: integrimi europian dhe siguria rajonale në qendër të bisedimeve

Në datat 9-10 korrik 2025, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë zyrtare në Sofje, me ftesë të Kryetares së Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, znj. Natalija Kisellova. Gjatë qëndrimit të saj, znj. Spiropali u takua me udhëheqës të lartë bullgarë, duke përfshirë Presidentin Rumen Radev, Kryeministrin Rosen Zheljazkov dhe homologen e saj parlamentare, znj. Kisellova. Kjo vizitë u mbulua gjerësisht nga media bullgare, duke theksuar forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe perspektivat europiane të Shqipërisë.

Elisa Spiropali dhe Natalija Kisellova

Pjesë e vizitës ishte pjesëmarrja e Kryetares Spiropali në një Forum Publik të organizuar nga Paneuropa dhe Atlantic Club në Klubin Qendror Ushtarak të Sofjes, me praninë e trupit diplomatik, përfaqësuesve të biznesit dhe institucioneve bullgare. Në fjalimin e saj, znj. Spiropali theksoi se integrimi evropian nuk është thjesht një proces burokratik i diktuar nga Brukseli, por një transformim i thellë i brendshëm për shoqëritë aspiruese.

“Kur flasim për integrimin evropian, duhet të mos ndalemi vetëm tek detyrat teknike, por ta kthejmë atë në një debat kombëtar mbi çfarë do të thotë të jesh pjesë e BE-së, çfarë përgjegjësish sjell dhe çfarë përfitimesh u ofron qytetarëve tanë,” deklaroi ajo. Znj. Spiropali shtoi se në Shqipëri 95% e qytetarëve mbështesin integrimin evropian dhe e shohin BE-në si “familjen natyrore” të vendit. Ajo kujtoi periudhën e izolimit komunist, kur Evropa për shqiptarët ishte një ëndërr që dëgjohej vetëm në radiot italiane, dhe e përshkroi procesin e integrimit si një mundësi transformimi për vendin.



Në konferencën për shtyp të mbajtur pas takimit me Kryetaren e Parlamentit bullgar, znj. Spiropali theksoi se Shqipëria është thellësisht e përkushtuar ndaj çështjeve të sigurisë rajonale dhe ka hyrë në një bashkëpunim trepalësh me Kosovën dhe Kroacinë, duke shprehur dëshirën që Bullgaria t’i bashkohet kësaj nisme. “Qëllimi ynë është t’u përgjigjemi në mënyrë efektive sfidave të sigurisë, të forcojmë kapacitetet mbrojtëse dhe të sigurojmë paqen në një situatë delikate e të ndikuar nga zhvillime të vështira ndërkombëtare,” tha ajo. Kryetarja e Parlamentit shqiptar nënvizoi gjithashtu rëndësinë që kontaktet e shkëlqyera politike të përkthehen në bashkëpunim ekonomik, tregtar dhe turistik.



Ndër temat që u prekën gjatë bisedimeve ishin mbështetja e Bullgarisë për integrimin evropian të Shqipërisë, roli i bashkëpunimit rajonal, ndërtimi i Korridorit Nr.8 si projekt strategjik për ndërlidhjen e Ballkanit, si dhe çështja e pakicave kombëtare, ku Bullgaria vlerësoi respektimin nga Shqipëria të standardeve evropiane për të drejtat e minoriteteve.

Gjatë vizitës së saj, znj. Spiropali vendosi gjithashtu një kurorë pranë Monumentit të Ushtarit të Panjohur, si shenjë nderimi për historinë dhe miqësinë mes dy popujve.

Foto: BTA, Facebook: Elisa Spiropali, Facebook: Kuvendi i Shqipërisë


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Godina e MPJ-së në Sofje

Bullgaria i bëri thirrje Rusisë të ndalojë sulmet ndaj Ukrainës dhe provokimet kundër BE-së

Më 15 shtator 2025, Ambasadorja e Federatës Ruse në Sofje, Eleonora Mitrofanova, u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme në lidhje me shkeljen e qëllimshme të hapësirës ajrore të Polonisë, një aleat i Bullgarisë në NATO dhe partner i BE-së,..

botuar më 25-09-15 4.23.MD
Edi Rama

Ngjarjet me adresë ballkanike

Inteligjenca artificiale do të luftojë korrupsionin në prokurimet publike në Shqipëri Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që emëron si një ministër inteligjencën artificiale, shkruan faqja e internetit politico.eu. Anëtarja..

botuar më 25-09-12 7.20.MD
Ahmed Dogan

Ahmed Dogan krijon një parti të re

Pas përçarjes në DPS (Lëvizjen për të Drejta dhe Liri) Ahmed Dogan krijon një parti të re. Emri i projektit të ri politik të tij është "Aleanca për të Drejta dhe Liri". "Kemi një projekt të ri. Sot u mbajt mbledhja themeluese, e cila duhet të..

botuar më 25-09-11 6.09.MD