Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

"No more hotels" dhe një rritje prej 44% të turistëve gjermanë – taktika e suksesshme e vendpushimit "Allbena"

Foto: albena.bg

Është ende herët për të bërë një përmbledhje, por gjithçka tregon se sezoni ka qenë i suksesshëm për vendpushimet në Bregdetin tonë Verior të Detit të Zi, ku "Allbena" po shndërrohet në një shembull emblematik të rimëkëmbjes së shumëpritur pas pandemisë. Shenjat e hershme të aktivitetit erdhën që në prill, me mbërritjen e 3000 pensionistëve austriakë në kompleks. Por përparimi i vërtetë është rikthimi i turistëve gjermanë – një treg kyç që ka munguar për vite me radhë. Të dhënat e konfirmojnë këtë tendencë – një rritje e ndjeshme e turistëve nga Gjermania në krahasim me vitin 2024, një rritje e vizitorëve vendas dhe interes i qëndrueshëm nga Skandinavia dhe Europa Qendrore. Krasimira Stojanova, menaxhere në vendpushimin "Allbena", e komenton kështu këtë tendencë:
Krasimira Stojanova
"Po vëzhgojmë këtë sezon një ringjallje të tregut gjerman, të cilën e kemi pritur prej vitesh, pasi rimëkëmbja e tij për Bullgarinë po ndodhte dukshëm më ngadalë krahasuar me destinacionet tona konkurrente. Falë kontratave që kemi nënshkruar me partnerët tanë, këtë vit ka një numër të mjaftueshëm vendesh në fluturimet çarter për të gjithë ata që duan të pushojnë në Bullgari nga Gjermania. Ky sukses i detyrohet edhe reklamës së specializuar përmes një agjencie gjermane të marketingut. Një tjetër faktor ishte edhe mundësia që patëm për të ftuar në "Allbena" rreth 3000 pensionistë austriakë që në prill dhe maj, gjë që na dha mundësinë të hapim edhe më tepër "krahët" e sezonit."
Turistë austriakë përsëri zgjodhën Allbenën për pushimet e tyre pranverore
Këtë verë, destinacionet konkurrente si Turqia dhe Greqia shënuan një rritje çmimesh prej 15–20% në sektorin e turizmit. Në këtë kontekst, "Allbena" i rriti çmimet me jo më shumë se 5% – një strategji që i solli përfitime. Ka një rritje prej 20% të turistëve të huaj, ndërsa kapaciteti i mbushjes së bazës – pothuajse 100%.

"Rritja e çmimeve tek ne është jashtëzakonisht modeste krahasuar me atë që ndodh në destinacionet konkurrente. Ndoshta pikërisht kjo është një nga arsyet për rritjen e numrit të turistëve – kemi një rritje prej 14% të mysafirëve vendas. Rritja mesatare e të huajve është rreth 20%, me rritjen më të madhe të turistëve gjermanë – 44%. Francezët, skandinavët, çekët dhe polakët janë në të njëjtin nivel si vitin e kaluar. Kemi një rritje të lehtë edhe nga Rumania, por gjithashtu edhe nga Ukraina, Bjellorusia dhe Moldavia," – thotë Krasimira Stojanova.

Ndërkohë që mbingarkesa me ndërtime vazhdon pa kontroll në shumë vendpushime të tjera vendase, të cilat synojnë rritjen e kapaciteteve të fjetjes, "Allbena" mbetet kompleksi më i gjelbër detar në Bullgari. Drejtuesit e saj ndjekin prej kohësh politikën "No more hotels", e cila ndalon ndërtimin e hoteleve të reja shtesë. Në vend të ndërtimeve të reja, ndërtohen struktura moderne mbi themelet e atyre të vjetrave – për shembull, hotele me dy yje shndërrohen në hotele me pesë yje. Afërsia me rezervatin "Balltata" – një pyll i paprekur me bimësi tipike të zonave të lagështa – kontribuon gjithashtu në gjelbërimin dhe freskinë e kompleksit.

"Kemi shumë familje me fëmijë, sepse kjo është përparësia jonë kryesore – vendet për fëmijë, parku ujor, i njohur si një nga 8 më të mirët në Evropë, dhe mundësia që një fëmijë të kalojë pushimet në kontakt me natyrën. Falë faktit që ndodhemi në territorin e pyllit të lagësht më perëndimor në Evropë, mysafirët tanë më të vegjël mund të shohin kafshë dhe shpendë të rralla," – thotë Stojanova.

Në vitin 2018, "Allbena" u shpall " Vendpushimi Evropian i Sportit". Falë shumë aktiviteteve sportive dhe kongreseve, kompleksi pret turistë edhe jashtë sezonit aktiv. Ndërsa kalendari kulturor i plotëson atraksionet me festivale javore në plazh, koncerte falas dhe diskoteka për fëmijë, të cilat mbledhin një pjesë të madhe nga 12 000 mysafirët e vendpushimit.

Lexoni më tepër:

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: albena.bg, bgtourism.ng, Facebook /Vendspushimi Allbena


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Freski, ecje në natyrë dhe pamje mbresëlënëse – shpëtoni nga vapa në Svoge

Kur termometrat në Sofje i afrohen pa mëshirë 40°C, ajri bëhet i rëndë si plumbi, rrugët boshatisen dhe njerëzit kërkojnë shpëtim në malet përreth. Vetëm rreth një orë me makinë në veriperëndim të kryeqytetit, shpatet e malit Stara Pllanina në rajonin..

botuar më 25-08-07 7.05.PD

Thesare të arta dhe përjetime interaktive në muzeun e Pazarxhikut

Historia e veprimtarisë muzeale në Pazarxhik fillon që në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur me idenë e Stefan Zaharievit në bibliotekën popullore “Videlina” formohet një koleksion prej sendesh të vjetra, monedhash, dorëshkrimesh kishtare. Gjatë viteve..

botuar më 25-08-03 9.55.PD

Mysafirë nga vendi dhe jashtë vijnë në Rodope për "Ditët e Ardinos"

Nuk ka njeri që ka thithur ajrin e Rodopëve dhe të mos ketë mbetur i mahnitur nga pamjet piktoreske dhe legjendat e malit. Ditët nga 4 deri më 10 gusht na japin shumë arsye për të zgjedhur Rodopët Perëndimore, dhe veçanërisht rajonin e qytetit Ardino..

botuar më 25-08-03 8.00.PD