Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Besimi dhe arsimi forcojnë lidhjet mes bullgarëve në Emiratet e Bashkuara Arabe

10
Foto: Konsullata e Përgjithshme e Bullgarisë në Dubai

Në fillim të shekullit të kaluar Dubai ishte një qytet i vogël me rreth 1200 banorë, me një port të vogël në brigjet e Gjirit Persik. Falë vendndodhjes së tij gjeografike u shndërrua në një port të rëndësishëm për tregtarët e huaj, kryesisht indianë, në rrugën për në Indi. Ashtu si dhe në emiratet fqinje, Dubai filloi të zhvillohej me zbulimin e burimeve të naftës, por meqë ato ishin të parëndësishme, emirati vendosi të mbështetej në turizëm, teknologjitë e reja dhe tregtinë. Në shkretëtirë shpejt u ngritën gratacielë dhe instalime moderne me arkitekturë mahnitëse dhe Dubai u shndërrua gradualisht në një metropol të shkëlqyer dhe mbresëlënës. Sipas statistikave, qyteti pret çdo vit rreth 20 milionë turistë.



Nuk është për t’u habitur se pikërisht aty ndodhet edhe diaspora më e madhe bullgare në botën arabe. Për të na rrëfen ambasadori i Republikës së Bullgarisë Ivan Jordanov, në një intervistë të veçantë për podcastin e Radio Bullgarisë "Ura e besimit".

Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ivan Jordanov

"Në territorin e Emirateve të Bashkuara Arabe deri në vitin 2025 jetojnë pak mbi 3800 qytetarë bullgarë," – shënon ambasadori Jordanov. Me iniciativë të komunitetit bullgar, me ndihmën e konsullatës sonë të përgjithshme, në vitin 2007 në Dubai u themelua shkolla bullgare e së dielës "Bullgarçe", ku sot mësojnë mbi 150 fëmijë.



Në vitin 2014 atje u krijua edhe klubi folklorik "Zdravec", i cili mbledh bullgarë me interesa dhe profesione të ndryshme, por të bashkuar në dashurinë e tyre për kulturën dhe folklorin bullgar. Dhjetë vjet më vonë, bullgarët në Abu Dabi gjithashtu u vetëorganizuan dhe hapën shkollën e dytë bullgare në EBA – "Kambana". Kështu në praktikë forcohen lidhjet mes bullgarëve në komunitet, i cili synon të mbajë gjallë shpirtin dhe traditat bullgare.



Por çfarë i tërheq bullgarët në Dubai?



"Stimuli kryesor për të gjithë qytetarët bullgarë janë mundësitë e pasura për zhvillim profesional në territorin e EBA në të gjitha profesionet – thekson ambasadori Jordanov. – Ne kemi shumë muzikantë, mjekë, specialistë IT, bankierë. Komuniteti bullgar ka një përbërje profesionale të larmishme, por është shumë mirë i organizuar dhe shumë mirë funksionon në organizatat e tij për një diasporë kaq të re, siç është në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ka forma të veçanta të paraqitjes së kulturës bullgare, qoftë me koncerte, qoftë me manifestime ndërkombëtare folklorike në emirate të ndryshme. Ka interes ndaj nesh. Sigurisht, duhet të merret parasysh fakti se në territorin e EBA jetojnë mbi 150 kombësi, të cilat paraqesin kulturën dhe arsimin e vet. Në këtë kuptim, herë pas here mundësitë janë tepër të shumta dhe ka mbingopje."



Dubai është i njohur me ndërtesën më të lartë në botë – Burj Khalifa (828 m), atje ndodhet edhe një nga qendrat tregtare më të mëdha botërore – Dubai Mall. Turistët magjepsen nga shatërvani vallëzues – The Dubai Fountain, kopshti botanik shumëngjyrësh – Dubai Miracle Garden dhe ishulli artificial Palm Jumeirah, i cili mund të shihet edhe nga Kozmosi. Pavarësisht nga të gjitha këto mrekulli të teknologjisë të mbledhura bashkë, bullgarët në Dubai ruajnë rrënjët e tyre dhe kërkojnë lidhjen edhe me traditat shpirtërore të paraardhësve të tyre.



"Numri në rritje gradualisht i komunitetit bullgar ngriti çështjen edhe për nevojat shpirtërore të qytetarëve bullgarë të besimit ortodoks – thekson ambasadori Ivan Jordanov. – Në vitin 2023 ata iu drejtuan me kërkesë Sinodit të Shenjtë për kryerjen e shërbesës fetare në gjuhën bullgare në territorin e EBA, si dhe për themelimin e një Komuniteti Ortodoks Kishtar Bullgar (BPCO) me seli në qytetin e Dubait. Me një vendim të vetin Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Bullgare caktoi Shkëlqesinë e tij Mitropolitin Antonij, drejtuesin e dioqezës perëndimore dhe qendrore evropiane, për peshkop që të kujdeset për nevojat shpirtërore të bullgarëve në EBA."



Kështu u arrit edhe te krijimi i BPCO "Shën Joan Rillski" në Dubai – komuniteti më i ri kishtar i KOB. Atje ende nuk ka tempull ortodoks bullgar dhe prift bullgar të përhershëm, por bullgarët në komunitet shpresojnë që kjo të ndodhë në vitet e afërta. Të gjithë ata janë jashtëzakonisht mirënjohës për përpjekjet e ambasadorit Ivan Jordanov, i cili organizoi dhe mori pjesë aktivisht në takimet mes institucioneve kishtare dhe shtetërore, që çuan në themelimin e komunitetit tonë kishtar.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Konsullata e Përgjithshme e Bullgarisë në Dubai, Mitropolia e Shenjtë e Plovdivit, Shkolla Bullgare "Kambana" - Abu Dhabi, BTA



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Pas zjarreve dhe thatësirës vijnë përmbytjet - cili është parandalimi?

Gjatë gjithë verës, dhe madje edhe tani, Bullgaria ka luftuar zjarre të shumta - fushore dhe pyjore. Në të njëjtën kohë, mbi gjysmë milioni njerëz janë pa ujë ose në një regjim të rreptë uji . Të zhytura në problemet aktuale, si qytetarët, ashtu..

botuar më 25-09-23 7.25.MD

Shkencëtarë bullgarë dhe të huaj krijojnë nanopjesëza për të luftuar kancerin

Shkencëtarë nga Bullgaria, Sllovakia, Serbia dhe Republika Çeke po bashkojnë forcat në projektin "SeNaTa" - "Nanostruktura magnetike vetëngrohëse për aplikime teranostike", i koordinuar nga Instituti i Katalizës në Akademinë Bullgare të Shkencave, i..

botuar më 25-09-23 3.59.MD
Foto: Qendra urbane dhe parahistorike e nxjerrjes së kripës Provadia-Kriporja

Dita e Dyerve të Hapura në Provadia-Kriporja

Edhe këtë vit, ekipi që po studion kompleksin arkeologjik Provadia-Kriporja organizon më 22 shtator Ditën e Dyerve të Hapura. Është përgatitur një itinerar interesant dhe ndryshe nga ai standardi për vizitorët në kompleksin e qendrës më të lashtë të..

botuar më 25-09-21 8.20.PD