Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shkolla "Çuçuliga" në Londër synon përmes mësimeve të lidhë fëmijët me Bullgarinë

Interesi ndaj shkollës bullgare në lagjen Croydon po rritet për shkak të cilësisë së mësimit dhe numrit gjithnjë në rritje të bullgarëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Foto: Shkolla Bullgare 'Çuçuliga' në Londër

Gjatë disa dekadave të fundit, komuniteti bullgar në Mbretërinë e Bashkuar është rritur ndjeshëm, dhe bashkë me këtë edhe nevoja për ruajtjen e gjuhës amtare dhe të identitetit kulturor. Një rol të rëndësishëm në këtë proces luajnë shkollat bullgare, të cilat u ndihmojnë prindërve të përcjellin lidhjen me Bullgarinë te brezat e ardhshëm.

Shkolla bullgare "Çuçuliga" ka lindur në lagjen londineze Croydon nëntë vjet më parë, kur në bankat shkollore u ulën vetëm 16 fëmijë. Sot nxënësit e saj e tejkalojnë numrin 200, dhe për shkak të shembullit pozitiv dhe rezultateve të shkëlqyera, institucioni arsimor hapi edhe tre filiale të tjera në Anglinë Jugore dhe Juglindore.



"Lëndët mësimore janë katër – gjuha bullgare, letërsia, historia dhe gjeografia e Bullgarisë, pasi i tillë është kërkimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës – rrëfen Valentin Kozhuharov, administrator dhe mësues i gjuhës dhe letërsisë bullgare në shkollë. – Krahas disiplinave të detyrueshme, ne japim gjithashtu njohuri për atdheun dhe lëndën njeriu dhe shoqëria. Njëkohësisht ofrojmë gjuhën angleze për fëmijët ose prindërit e tyre që kanë vështirësi me këtë gjuhë, si edhe bullgarishten për ata që ende nuk mund ta flasin dhe kanë nevojë për mësim para se të hyjnë në grupin parashkollor, në klasën e parë e kështu me radhë."

Niveli i zotërimit të gjuhës bullgare nga nxënësit varet në masë të madhe nga prindërit e tyre. Ndikim ka se në çfarë gjuhe flitet në familje, nëse është e pranishme edhe një gjuhë e tretë, më së shpeshti turqishtja, si edhe nëse fëmijët janë lindur në Bullgari ose në Mbretërinë e Bashkuar.



"Pavarësisht nga niveli i zotërimit të gjuhës, ne gjithmonë përpiqemi t’i mësojmë nxënësit të flasin dhe të shkruajnë drejt në bullgarisht – shton Valentin Kozhuharov. – Për disa prej tyre procesi është më i shkurtër, për të tjerë – më i gjatë. Sa më shumë megjithatë fëmijët të flasin në shtëpi në bullgarisht dhe të mësojnë për hollësitë e gjuhës sonë nga njerëzit më të afërt, aq më me sukses përparojnë ata në zotërimin e saj, dhe përmes saj edhe të kulturës bullgare. Për fat të keq, jo pak prindër janë të angazhuar si të shtunën, ashtu edhe të dielën dhe nuk kanë mundësi të ndajnë më shumë kohë për bisedë. Dhe meqenëse fëmija që nga mosha parashkollore flet vetëm anglisht, në shtëpi komunikohet në këtë gjuhë, sepse është më e lehtë. Familjeve të tilla unë u them: "Flisni me fëmijën në gjuhën bullgare!" Sigurisht, shumica e prindërve përdorin pikërisht gjuhën amtare."

Gjërat e para që mësojnë nxënësit në shkollën e së dielës janë shkrimi bullgar dhe trashëgimia e tij shumë shekullore.



"Pikërisht përmes tyre fëmijët fillojnë të njohin atdheun si diçka që ka rritur prindërit dhe stërgjyshërit tanë, pra gjininë tonë bullgare – vazhdon Valentin Kozhuharov. – Pasi të njihen me gjuhën, ata gradualisht marrin dije edhe për kulturën, zakonet dhe traditat e Bullgarisë, për të kaluarën e saj të lavdishme dhe sfidat e së tashmes. Nuk janë të paktë nxënësit, të cilët me interes të madh lexojnë për betejat dhe pushtimet e popullit tonë, si në aspektin gjeografik, ashtu edhe në atë kulturor dhe shpirtëror. Kështu ata kuptojnë se nuk janë shumë shtetet me histori të lashtë dhe të lavdishme si ajo e Bullgarisë."

Mësuesi pranon se është e vështirë të krijohet një ide e besueshme për diçka që nuk mund ta shohim drejtpërdrejt ose ta përjetojmë. Megjithatë mësuesit arrijnë ta paraqesin atdheun në një mënyrë të tillë, që përmes tregimeve të tyre fëmijët gjithnjë e më shumë të dashurohen me Bullgarinë, e pse jo një ditë të dëshirojnë të kthehen. Ndihmës në këtë proces janë filmat mësimorë të botuesve bullgarë dhe platformat online, që zbulojnë bukurinë e vendit tonë, si edhe festimet e festave si Bashkimi, Dita e Pavarësisë, Dita e Alfabetit Bullgar, arsimit dhe kulturës.



Shkolla bullgare "Çuçuliga" tashmë po përgatitet për vitin e ri shkollor, fillimi i të cilit do të jepet pak pas 15 shtatorit. Regjistrimi i nxënësve fillon që në janar, ndërsa gjatë pushimit përpjekjet drejtohen drejt sigurimit të librave mësimorë për numrin gjithnjë në rritje të fëmijëve në Croydon dhe tre degët në Caterham, Tunbridge Wells dhe Maidstone.



"Çdo vit gjatë verës ndodh që, kur mësuesit janë në Bullgari, të transportojnë libra, fletore, tekste, ndihmëse mësimore – thotë në përfundim Valentin Kozhuharov. – Veçmas sigurojmë nga shkollat vendase materiale të tjera për fëmijët tanë. Ndonjëherë edhe prindërit na ndihmojnë, kur janë në Bullgari, me librat mësimorë dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme. Kështu ia dalim çdo vit shkollor dhe deri në fillim të shtatorit jemi tashmë gati."


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Shkolla Bullgare "Çuçuliga" në Londër



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Përsëri në shkollë

Sot, 57 mijë nxënës të klasës së parë kaluan pragun e shkollës në të gjithë Bullgarinë.  Mbi 2300 shkolla në vend hapën dyert për të mirëpritur nxënësit e tyre më 15 shtator, raportoi një gazetar i BGNES...

botuar më 25-09-15 3.07.MD

Ndryshimet në legjislacion do ta afrojnë arsimin me kërkesat e shekullit XXI

Që të rinjtë të jenë të aftë të përballen me sfidat moderne – tregun e punës, zhvillimin e teknologjisë dhe kërkesat e botës që na rrethon – arsimi ka nevojë për reforma të mbështetura me ligje të nevojshme. Një prej tyre është ligji për arsimin..

botuar më 25-09-15 6.20.PD
Foto: Konsullata e Përgjithshme e Bullgarisë në Dubai

Besimi dhe arsimi forcojnë lidhjet mes bullgarëve në Emiratet e Bashkuara Arabe

Në fillim të shekullit të kaluar Dubai ishte një qytet i vogël me rreth 1200 banorë, me një port të vogël në brigjet e Gjirit Persik. Falë vendndodhjes së tij gjeografike u shndërrua në një port të rëndësishëm për tregtarët e huaj, kryesisht indianë,..

botuar më 25-09-11 8.00.MD